E Shtunë, 31 Tetor 2026

Canaj dhe Lika, fituesit e Europës

Nuk ka miliona si një president, nuk është orator i lindur, nuk bie në sy të kamerave. Por është një trajner për së mbari. Agim Canaj ka atë që i duhet në profesionin e tij, ndonëse shumë nga pronarët e sotëm jo të ligjshëm të futbollit shqiptar as nuk ia cek dot mendja rëndësinë e kësaj. Fitorja 2-1 e Vllaznisë në fushën e Koperit, urojmë me gjithë shpirt, të jetë një fitore e vërtetë futbolli, jo sukses "1x2" dhe, nëse është kështu, i pari njeri që duhet të marrë një "të lumtë" të madhe është pikërisht Gimi.
Punoi mirë tek Besa, tek Lushnja, tek Dinamo nga e cila e larguan në vend të parë. Gimi është nga ata që të mbush zemrën me shpresë se në këtë vend me deficit vlerash njerëzore, ekzistojnë edhe njerëzit e duhur. Të urojmë që presidenti i Vllaznisë, Fushaj, ta kuptojë këtë dhe ta lejojë trajnerin të punojë qetë më shumë se një vit, sepse kështu do të mundë të kalojë në të ardhmen më shumë se një turn në kupat e Europës.
Hasan Lika nuk fitoi, porse barazoi, ndonëse një 0-0 jashtë fushe në Europë gjithnjë është rezultat i mirë. Pasi presidenti Albert Xhani nuk bën më akrobaci si dikur, qendrueshmëria e grupit dha fryte dhe largimet e disa emrave nuk u ndjenë. Të paktën për ndeshjen e parë.
Një e vërtetë e madhe e futbollit u vërtetua: Më shumë vlerë ka skuadra sesa individi. Pavarësisht se për c'shkak ikën lojtarët nga Partizani, sërish prania e trajnerit me përvojë Hasan Lika dhe përmbajtja gjithnjë e më e madhe e Xhanit janë një garanci për sukses.
Bledar Kuka

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›