E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refik Halili: “Doja një kroat më të madh për Tiranën”

Bledar Kuka- Presidenti Refik Halili është një njeri i cuditshëm. Shumë shpejt u bë milioner me disa transaksione të shkathta, mori dhe lau kredi, bleu troje e shtëpi dhe vazhdon të ndërtojë pallate e të prodhojë e shesë zhavorr, pa llogaritur profesione të tjera që u është futur "me kokë". Por ai digjet nga dëshira që ta shohë sërish Tiranën kampione. "Përderisa kam ndërtuar këto pallate dhe pasuri do të di të ndërtoj edhe një skuadër futbolli", - rreh gjoksin "Ridi".
Ai pajtoi me 100 000 euro në sezon karizmatikun dhe ish-lojtarin e shkëlqyer Bllazh "Baka" Slishkovic. Në Kroaci nuk po cante së fundmi, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë as nuk kishte dëshirë të drejtonte. "Atje po bëhet gjithnjë e më keq, rinia po rritet pa punë, agresive, negative, - thotë Slishkovici, - vendosa të mos punoj më në vendin tim, po dëmtoja edhe shëndetin, po bëhesha nervoz". Kamerdarja e shpëtimit quhet Shqipëri, një vend tepër i qetë krahasuar me Bosnjë-Hercegovinën dhe ku trajnerëve të huaj u rrijnë gatitu. "Slishko" është ulur në vendin ku mund të ishte një patriot i tij si Ivan Gudelj, një tjetër futbollist i shkëlqyer i shkollës jugosllave të viteve 70-80-të. Gudelji nuk pati shumë besim dhe nxorri arsye financiare për të mos pranuar, por për Refik Halilin ëndrra kishte qenë një emër tjetër.
"Dëgjo gazetar, - nis të të thotë, - unë doja të sillja një tjetër, me mustaqe, më të mirë se të tjerët, por të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Ai ka punuar si trajner i Libisë. Tani punon me Osijekun (liga e parë kroate) dhe më tha se "presidentin tim e kërkojnë në Hagë, ndaj unë nuk dua ta tradhtoj në momentin më të keq".
Ky burrë me mustaqe quhet Ilija Loncarevic, 64-vjecar, "timonier" i jo më pak se 9 klubeve në Kroaci, kampion i vendit më 1999 dhe fitues i Kupës më 1992 me modestët e Interit të Zapreshiqit, përvecse dy herë trajner i Libisë. "Unë nuk do të të lë në baltë", - mësohet t'i ketë thënë Loncarevici Halilit dhe i ka sugjeruar Slishkovicin. Veterani mustaqelli ndoshta mund të ketë gabuar, pasi tek Tirana do të kishte fituar dyfishin. Plot 50 000 euro i merr tek Osijeku që prej 2006-ës, por presidenti bardheblu do t'i nxirrte nga qesja të paktën 100 000 euro për të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›