E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika drejt Lushnjës me mendjen te merkato

Trajneri i Partizanit, Hasan Lika deklaroi se skuadra që di drejton do të shkojë drejt Lushnjës me synimin për të marrë maksimumin nga kjo sfidë e parë e kampionatit. 

Fatjon Kodra

Gjithsesi, tekniku e kishte të vështirë të fshihte faktin se e ka mendjen te merkato dhe te përforcimet që pritet të bëjë presidenti Albert Xhani gjatë këtyre ditëve të fundit të merkatos. Numri një i pankinës deklaroi para nisjes për në grumbullim se të kuqtë vijnë me një skuadër ndryshe nga vitit i kaluar në këtë sezon. “Nuk është e vështirë për ta kuptuar se në këtë fillim të kampionatit vijmë me një skuadër të re dhe jo me shumë emra, ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë sezoneve të fundit, - tha Lika për ‘Panorama Sport’. – Megjithatë, ne shkojmë drejt Lushnjës për të marrë maksimumin dhe për të bërë më të mirën, pasi e dimë që na pret një sfidë e vështirë”. Për çudinë e të gjithëve, tekniku nuk e ka përmendur për asnjë moment fjalën “fitore” gjatë komentit të tij për ndeshjen hapëse të kampionatit për të kuqtë.
Merkato
Më tej, Lika u shpreh se ka shumë shpresa në ditët e fundit të merkatos, që mund të jetë rruga e vetme e shpëtimit, në përpjekje për të krijuar një grup solid, që mund të hyjë në luftën për titull. “Shpresojmë që të kemi afrime, pasi kemi shumë nevojë. Kam besim se presidenti do të bëjë diçka për ta forcuar skuadrën në ditët në vazhdim. Kemi pasur shumë largime dhe skuadra thuajse ka ndryshuar totalisht, kështu që janë të domosdoshme disa blerje cilësore”, - vijoi trajneri i të kuqve. Përsa i përket formacionit, edhe pse Lika ka provuar disa opsione gjatë javës, thotë se ende nuk ka vendosur, pasi pret të shohë deri në momentin e fundit gjendjen e lojtarëve që ka në dispozicion. “Ende nuk kam vendosur përfundimisht, pasi do të shoh edhe një herë të fundit se në çfarë gjendjeje janë lojtarët që unë kam menduar se kandidojnë për një vend në formacionin bazë”, - theksoi Lika. Në fund, trajneri konfirmoi se mungesa e Bakajt tashmë është zyrtare në këtë sfidë hapëse për shkak dëmtimi. “Bakaj nuk do të jetë në dispozicion, pasi dëmtimi ende nuk është përmirësuar, kështu që do ta shohë ndeshjen si spektator”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›