Canaj, i shqetësuar nga mungesat para Flamurtarit

Vllaznia kryesuese do të përballet të shtunën me Flamurtarin në “Loro Boriçi” dhe trajneri i shkodranëve, Agim Canaj, është i shqetësuar për mungesat që ka skuadra.
Katër pikë diferencë ndaj Tiranës së vendit të dytë (24), ia kanë çimentuar edhe në përfundim të kësaj jave vendin e parë 9-herë kampionëve të Shqipërisë, por përpara “ultrasve kuqeblu” çdo rezultat tjetër përveç fitores nuk përjetohet mirë.
Golashënuesi më i mirë i Vllaznisë, Vioresin Sinani (7 gola në 14 javë) është në dyshim ( u dëmtua në ndeshjen e Kupës kundër Teutës), teksa janë të pritshme edhe mungesat e Elvin Beqirit dhe Albert Kaçit.
Flamurtari, që fitoi takimin e fazës së parë në Vlorë (1-0), falë golit të Mate Brajkoviçit (27’), do të mbështetet sërish mbi aftësitë e lojtarëve kroatë.
Trajneri Edmond Liçaj, i cili nuk njeh humbje prej pesë javësh, qysh kur mori drejtimin e 1-herë kampionëve të Shqipërisë - Flamurtari fitoi në sezonin 1990-1991, pikërisht me Liçajn në bankinë- synon rezultat pozitiv në Shkodër.
Mate Brajkoviç i rikthyer pas pezullimit do të jetë në majë të sulmit të skuadrës më të famshme shqiptare në Europë. Gjithsesi, kundër Vllaznisë, Liçaj do të luajë me “pesë kartat kroate”.
E Enjte, 11 Dhjetor 2008