Skela në dorën e hekurt te Heidriqit

Ervin Skela duhet të jetë i kënaqur. Dy “armiqtë” e tij te Energi Kotbusi, Dimitar Rangelov dhe Stanislav Angelov do të paguajnë secili nga 5 mijë euro gjobë. Të dy bullgarët kohët e fundit janë sjellë në mënyrën më të keqe me fantazistin e Kombëtares shqiptare, madje duke e tepruar e tejkaluar masën me Ervinin.
Menaxheri Shtefën Heidriq dha shenjat e qarta se kërkon një disiplinë të hekurt dhe një imazh të denjë të klubit. Mesfushori Angelov do të mungojë të shtunën në ndeshjen e radhës, dhe vetë trajneri Bojan Prasnikar, duket se ka nxjerrë jashtë loje. “Unë nuk e llogaris atë”.
Për Kotbusin do të mungojë edhe Timo Rost, kështu që barra e ndeshjes do të jetë e tëra mbi Skelën. Ervini nuk ka bindur shumë në këtë sezon, por te drejtuesit e klubit është ende e “ngrohtë” ajo që bëri shqiptari sezonin e kaluar.
Në ndërtimin e lojës shpresat janë të gjitha te 32-vjeçari, i cili me klasin e tij është edhe faktori thelbësor në sukseset e deritanishme sezonale të Energi Kotbusit. Në këtë fazë të parë, Skela nuk ka statistika të mira personale: vetëm 1 gol dhe 1 asist.
Për këtë menaxheri pret ende shumë nga mesfushori, sidomos tani që është para vendimit për ripërtëritjen e kontratës., duke e lënë skelën të “përpëlitet”: “Po presim mbarimin e fazës dhe gjatë pushimit dimëror do të nisim bisedimet”.
E Enjte, 11 Dhjetor 2008