E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stalini, pretendent për statusin e individit më popullor në Rusi

Sipas një sondazhi të zhvilluar në rang kombëtar, diktatori sovjetik, Josif Stalin, mbetet figura historike me më shumë popullaritet në Rusi, pavarësisht krimet e shumta që shoqëruan qëndrimin e tij në pushtet. Diktatori me origjinë gjeorgjiane është në vendin e tretë në sondazhin e organizuar nga kanali televiziv shtetëror rus, "Rosija", rezultati përfundimtar i të cilit do të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Miliona banorë të Bashkimit Sovjetik vuajtën kriza të gjata urie gjatë kolektivizmit të detyruar të bujqësisë, u ekzekutuan si armiq të popullit apo vdiqën për shkak të punës së rëndë e torturave nëpër gulagë gjatë dominimit të Stalinit, i cili zgjati për thuajse 30 vjet deri në vdekjen e tij në vitin 1953.

Në krye të 12 finalistëve të sondazhit qëndron princi i shekullit XIII, Aleksandër Nevski, i cili theu pushtuesit gjermanë me 11.7 për qind të votave të të anketuarve. Ndiqet nga Pjetër Stolipin, Kryeministër gjatë fillimit të shekullit XX, i njohur për reformat agrare dhe për veprimin me dorë të fortë kundër revolucionarëve të majtë me 11.6 për qind.

Projekti u nis me një listë fillestare të përbërë nga 50 figura të famshme historike. Por cilido qoftë rezultati, aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komunistët kanë vërejtur se votimi i deritanishëm tregon qartë se Stalini po gëzon popullaritet të paprecedentë në Rusinë kapitaliste. "Brezat e rinj janë ushqyer me mite mbi Stalinin. Nuk dinë asgjë për ata miliona fatkëqij që vdiqën nëpër gulage, por dinë mirë se ishte një lider i fortë që mundi nazistët", tha për agjencinë "Reuters" aktivisti i të drejtave të njeriut, Lev Ponomarjov.

Shtoi se hija e stalinizmit ndihet në tonet e ashpra të Moskës ndaj Perëndimit, nga i cili po vijnë kritika të forta për hapa prapa në demokraci e për veprime me dorë të fortë ndaj disidentëve. "Edhe njëherë, armiqtë e jashtëm janë ata që duhet të fajësohen për të gjitha problemet e brendshme, kështu që duhet ta ushtrosh pushtetin me dorë të hekurt - metodë tërësisht staliniste", tha aktivisti.

Nostalgjikëve të Stalinit u pëlqen të përsërisin se udhëheqësi mposhti Gjermaninë naziste, industrializoi Bashkimin Sovjetik dhe shkolloi një komb tërësisht të prapambetur. "Sigurisht, ka edhe faqe të errëta... dhe bashkë me gjenialitetin e tij gjendeshin edhe momente destruktive, por në përgjithësi kujtohet më së shumti si një lider i madh", tha për "Reuters" Viktor Iljukin, një prej krerëve të Partisë Komuniste ruse. "Jetojmë nën kapitalizmin që prej 20 vitesh dhe çfarë? Tani jemi shtet i dorës së dytë, nuk jemi më superfuqi. Zëri ynë është i dobët si në planin ekonomik, edhe në atë politik, ndërkohë që vendime të rëndësisë së lartë shpesh merren pa ne", përfundoi Viktor Iljukin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›