E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana,vetëm një karton në barazimin e bardhë me Sedanin

"Këto lloja ekipesh bëjnë c'është e mundur për ta filluar mirë debutimin e tyre të parë në kampionat. Ashtu si të gjitha ekipet që ngjiten nga Divizioni 2, edhe kjo skuadër ka lojtarë cilësorë. Sedani mund të mbështetet fort edhe te publiku i tiji jashtëzakonshëm. Kur ju e filloni kampionatin në shtëpi, përballë Olimpikut të Marsejës, ndeshja merr një tjetër kuptim. Lojtarët e Sedanit do të kenë patjetër një dëshirë të madhe për të fituar. Por tani, edhe ne kemi një dëshirë akoma më të madhe, pasi dua të rikujtoj edhe njëherë se, debutimi ynë në fillimi të sezonit, do të kondicionojë edhe pjesën tjetër të sezonit."

Këto ishin fjalët që pati thënë kosovari i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, pak ditë para ndeshjes që ngriti siparin e sezonit të ri për skuadrën e tij në kampionatin francez. Dhe fjalët e mesfushorit u vërtetuan plotësisht dje, kur skuadra marsejeze nuk shkoi më larg se një barazim pa gola në fushën e Sedanit të ardhur nga kategoria e dytë. Ndonëse afro 2000 tifozët që votuan në një anketë të shpejtë përpara ndeshje parashikuan një fitore të marsejezëve, ka qenë krejt e kundërta në fushën e blertë në Sedan, ku skuadrës vendase i është mohuar fitorja më shumë falë paraqitjes së shkëlqyer të gardianit të portës marsejeze, Karrasko.

Ndërsa e vetmja gjë për t'u mbajtur mend për Lorik Canën, i cili ishte shprehur se shpresonte se skuadra e tij do ta niste me këmbë të mbarë sezonin, është një karton i verdhë, i marrë në minutën e fundit të kohës së rregullt. Pas 90 minutave të para të kampionatit francez, pika e vetme, e marrë në Sedan, e rendit Olimpikun e Marsejës një vendin e 11-të në tabelë. Java e dytë e vë skuadrën marsejeze përballë Renës, në ndeshjen që do të luhet të dielën në stadiumin "Stade Velodrome", ku Olimpiku do të startojë sezonin në fushën e saj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›