E Shtunë, 31 Tetor 2026

Foto Strakosha: Ju rrëfej rikthimin tim si trajner i portierëve të kombëtares

Nga Fatjon Kodra

Ishte larguar nga kombëtarja shqiptare pak muaj më parë, duke i dhënë fund karrierës së tij aktive, ndërsa tani do të rikthehet sërish te kuqeinjtë, por në një tjetër pozicion. Foto Strakosha do të jetë trajneri i portierëve të përfaqësueses së Shqipërisë, duke iu bashkangjitur stafit të teknikut Oto Baric. Këtë e konfirmon edhe vetë ish-portieri në një prononcim ekskluziv dhënë për "Panorama Sport" nëpërmjet linjës telefonike. "Po, është e vërtetë që kam pranuar ftesën e FSHF-së dhe tashmë do të jem pjesë e stafit teknik të kombëtares shqiptare", - është shprehur Strakosha nëpërmjet linjës telefonike. Në fakt, emërimi i tij në këtë post nuk do të ishte i menjëhershëm, pasi ish-portierit të kombëtares iu desh të përballej me pengesën që mban emrin Olpimpiakos. Strakosha ka një kontratë me klubin e njohur grek, ku po punon prej më shumë se një viti tashmë si trajner portierësh. Në momentin e parë, klubi nuk pranoi të linte të lirë trajnerin e portierëve, duke bërë që Strakosha t'i kthente përgjigje negative drejtuesve të FSHF-së. "Të them të drejtën u gazova shumë kur nga FSHF mora ftesën për të qenë pjesë e stafit të Oto Baricit, - shpjegon ish-portieri. – Mirëpo, u përballa me refuzimin e presidentit të klubit, i cili nuk donte të më linte të lirë t'i bashkohesha kombëtares". Megjithatë, Strakosha nuk është tërhequr dhe ka këmbëngulur në kërkesën e tij, derisa më në fund ka mundur të marrë edhe miratimin e shumëpritur. "Këmbëngula sërish te drjejtuesit e klubit derisa më në fund arrita të merrja lejen e tyre për të qenë pjesë e stafit të Oto Baricit në kombëtaren shqiptare, - vijon trajneri i ri i portierëvë kuqezi. – Menjëherë njoftova drejtuesit e FSHF-së, të cilëti kisha mbajtur në dijeni në cdo moment për bisedimet dhe u bëra të ditur se më në fund mund ta pranoja ftesën e tyre". Ardhja e Strakoshës në stafin kuqezi, nuk do të thotë largim nga Olimpiakosi. Sipas marrëveshje së arritur mes palëve, ish-portieri do të vazhdojë funksionin e tij në klubin grek, ndërkohë që do të bashkohet me kombëtaren sa herë të ketë grumbullime. Me pak fjalë, ish-portieri i njohur do t'i mbajë të dyja punët, pas zgjidhur kontratën me klubin. "Kemi rënë dakord që t'i mbaj të dyja detyrat. Nuk do të largohem nga Olimpiakosi, do të vazhdoj sërish në funksionin tim dhe do të grumbullohem me kombëtaren sa herë që të ketë ndeshje", - është shprehur Strakosha. Sigurisht, që rikthimi në kombëtare ka bërë që të shijojë sërish emocionet e dikurshme, ndërkohë që shprehet se është një krenari e madhe. "Sigurisht, nuk kam se si të mos ndihem krenar. Është një nder shumë i madh që më bëhet. Të emërohesh në stafin teknik të kombëtares, pasi ke luajtur për shumë vjet me fanellën kuqezi, është një ndjenjë shumë e bukur. Ajo skuadër dhe ai ambient më bën të ndihem si në shtëpinë time", - shprehet Foto Strakosha. Kandidatura e tij është pritur me entuziasëm nga trajneri kroat Oto Baric, i cili ka kërkuar që të ketë në staf njerëz që kanë qenë edhe më parë pjesë e kombëtares shqiptare. Emri i Strakoshës nuk është disktuar për asnjë moment dhe ka gjatur mbështetjen e fuqishme nga të gjitha palët. Impenjimi i parë do të jetë miqësorja e datës 16 gusht, ku Strakosha pohon se do të jetë pjesë e stafit kuqezi të kombëtares shqiptare. "Do të jem pjesë e stafit që në ndeshjen e parë të datës 16 gushta ndaj San Marinos", - përfundon trajneri i portierëve. Shifrat e Strakoshës 73 ndeshje ka luajtur Foto Strakosha me fanellën e kombëtares shqiptare duke shënuar një rekord për kuqezinjtë. Ish-portieri i përfaqësuese ka debutuar më datën 30.5.1990 ndaj Islandës (0-2) të luajtur në Rejkjavik. 18 fitore kaq ka mundur të koleksionojë gjatë karrierës së tij të gjatë në përfaqësuese në 73 paraqitje. Në sfidat e tjera Strakosha ka mundur të arrijë 13 barazime, ndërsa ka humbur 42 takime me fanellën kuqezi. 7 skuadra ka ndërruar ish-portieri i kombëtares gjatë karrierës së tij të gjatë. Strakosha e nisi me Dinamon, për të kaluar në Greqi me klubet PAS Janina, Ethnikos Asteras, Olimpiakos, Panionios NFC, Ionikos dhe Kallithea. 39 vjec e 317 ditë ishte Strakosha kur u tërhoq nga futbolli i luajtur. Ndeshja e tij e fundit me kombëtaren ishte ajo ndaj Ukrainës (0-2) më datën 9.2.2005. Ish-portieri debutoi në kombëtare në moshën 25 vjec e 62 ditë. Botuar ne Panorama Sport

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›