Qeveria, fonde për sistemimin e kullimit të sistemit kodrinor
Pas situatave të krijuara javët e fundit, në vazhdën edhe të projekteve të hartuara qysh më parë, qeveria duket se ka menduar seriozisht lidhur me masat urgjente ndaj rrëshqitjeve në zona të ndryshme kodrinore të Durrësit, ku si shkak kanë qenë shirat e shumtë të javëve të fundit. Që nga muaji nëntor i vitit 2010 e në vazhdim, për shkak të shirave, janë regjistruar disa raste shkarjesh masive të dherave nga kodrat e qytetit të Durrësit. Pasojë e shkarjeve ka qenë bllokimi i rrugëve si dhe paniku te banorët të cilët kanë ndërtuar përgjatë këtij sistemi. Por nëse do të funksiononte rrjeti i kanalizimeve të ujërave të larta, i cili tashmë ka dalë jashtë përdorimi për shkak të ndërtimeve pa leje mbi kanale rreziku i shkarjes së dherave dhe shembjes së shtëpive do të ishte i vogël. Por në kushtet aktuale, banorët e kodrave si dhe ato poshtë tyre jetojnë me panikun e shembjeve për shkak të shkarjeve. Një projekt për rinovimin e sistemit të kanalizimeve do të ishte shpëtimi i banorëve nga shkarjet masive e dherave. Një projekt i tillë është hartuar 4 vjet më parë në pamundësi për të shembur 150 banesat e ndërtuara mbi kanale. Por realizimi i këtij projekti i cili parashikon ndërtimin e një kanali të madh si dhe të një rrjeti kanalesh dytësore që lidhen me të kërkon 10 milion dollarë. Kaq ishte fondi që ka Bashkia e Durrësit për zërin e investimeve për të gjithë vitin 2010. Një projekt i tillë mund të realizohet me fonde nga buxheti i shtetit duke qenë se rreziqet nga kodrat prekin një zonë turistike, ose me kredi nga bankat e huaja. Por në bazë të projekteve që janë parashikuar të realizohen në vitin 2011, si dhe nga prioritetet që ka qeveria, duket se rrjeti i kanalizimeve në kodrat e Durrësit do të mbetet vazhdimisht një studim dhe projekt që do të gjejë zbatim konkret. I pyetur për problemin e shkarjeve të dherave nga kodrat dhe për rrezikun e këtij fenomeni, kreu i bashkisë Vangjush Dako tha se “edhe gjatë këtij viti do të vazhdojmë të ndërtojmë prita me anë të mureve apo të rrjetave metalike të mbushura me gurë, por ndihma e qeverisë mbetet vendimtare”. Disa ditë më parë u regjistrua rrëshqitja e fundit dherave rezultat i së cilës ishte bllokimi i rrugës Durrës-Currila për 3 ditë derisa mjetet e rënda arritën që të largojnë qindra metra kub baltë dhe dhera të cilat ishin plot 300 metra asfalt që u mbulua me një shtresë 50 cm me baltë. Nisur nga kjo situatë skandaloze e krijuar nga neglizhenca e bashkisë, qeveria ka menduar të mos vonojë asnjë minutë dhe të mos presë më nga bashkia, por të ndërhyjë me fondet e saj për të shmangur katastrofën e mundshme në zonat kodrinore të qytetit të Durrësit.