E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet kambisti Shefqet Bregasi



FIER – Kambisti Shefqet Bregasi, sapo ka mbaruar punën në treg dhe me një shumë të konsiderueshme parash është nisur për në shtëpi, por është përballur me një pritë të organizuar nga tre persona, të cilët e kanë grabitur dhe e kanë goditur në trup. Ata, pa maska dhe pa armë, i kanë dalë përpara Bregasit duke i marrë çantën në të cilën ndodheshin rreth 40 milionë lekë të vjetër dhe duke e qëlluar me mjete të forta. Kambisti është konfliktuar me autorët, por nuk ka arritur që të shpëtojë paratë. Tre grabitësit janë larguar me vrap nga vendi i ngjarjes, ndërsa Bregasi, i alarmuar, ka kërkuar ndihmën e policisë. Ngjarja ndodhi në shumë pranë banesës së kambistit, në lagjen “Kastrioti” të qytetit të Fierit. Burime nga policia e Fierit bëjnë të ditur se kambisti ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi është qëlluar në kokë me një tullë. Ka nisur puna për identifikimin dhe kapjen e tre autorëve.

Kapen në pub 0.5 kg Cannabis, prangoset 20-vjeçari

TIRANË – Një operacion i organizuar në një nga lokalet e natës ka sjellë sekuestrimin e një sasie lënde narkotike dhe prangosjen e një të riu. Burimet policore bëjnë të ditur se kanë arrestuar shtetasin Edvin Biçaku, banues në Elbasan, gjatë një kontrolli që u bë në rrugën “Sadik Petrela”, pranë një pub-i. Policia e Tiranës njofton se u gjetën në çantën e shpinës së 20-vjeçarit Biçaku dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 516 gramësh bimë narkotike e llojit Cannabis sativa. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ndaj Edvin Biçakut kanë nisur hetimet për veprën penale të “prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”. Në lokalet e natës në kryeqytet përdoren lëndë narkotike, kryesisht të llojit marijuanë.

Plagosja me armë, arrestohen dy vëllezërit

TIRANË – Dy vëllezër janë arrestuar pasi kanë kanosur dhe plagosur me armë zjarri një shtetas. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ndaluan në kushtet e flagrancës shtetasit Sefedin dhe Bektash Satka, banues në Valias, në periferi të kryeqytetit. Sipas tyre, arrestimi i u krye sepse mbrëmjen e së premtes, në rrugën “4 Shkurti”, afër lokal “Tajvanit”, dyshohet se kanë kanosur me pistoletë dhe plagosur lehtë shtetasin Safet Çili, 28 vjeç, banues në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë pistoletë, model 54 dhe një krehër me 7 fishekë, të cilën e mbante pa leje shtetasi Bektash Staka. Dosja ndaj dy personave i kaloi Prokurorisë dhe ata akuzohen për veprat penale të “kanosjes”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Përplasja e dy mjeteve, një i vdekur dhe dy të plagosur

LEZHË – Përplasja e një betoniereje me një fuoristradë me targa të Kosovës ka shkaktuar një të vdekur dhe dy të plagosur, që të gjithë të afërm me njëri-tjetrin. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në aksident ka mbetur i vdekur Kol Gjoni, 45 vjeç, pasagjer në fuoristradën tip “Nisan Patrol”, me targa të Kosovës 480 KS 720 dhe janë plagosur Marsrel Gjoni, 17 vjeç dhe Fatjon Gjoni, 20 vjeç, përkatësisht djali dhe nipi i viktimës. Vetë drejtuesi i mjetit Tonin Gjoni, 45 vjeç, nuk ka pësuar lëndime. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:30, në hyrje të qytetit të Lezhës. Nga të dhënat e para hetimore, fuoristrada ka rrëshqitur për shkak të terrenit të lagësht dhe ngricës në rrugë, e cila solli përplasjen me betonierën. Drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë, Eduard Frroku, 33 vjeç, me banim në Kamzë, nuk arriti që të shmangë aksidentin. Ai është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Lezhës për të kryer verifikimet e mundshme. Burimet policore pohojnë se të aksidentuarit janë shtruar në Spitalin e Lezhës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesit e Policisë së Qarkullimit kanë paralajmëruar shoferët që të përdorin mjete mbrojtëse gjatë udhëtimit për shkak të kohës së ftohtës dhe shtresës së akullit në rrugë.

Dy vetëvrasje për pak orë, viktimat hidhen nga lartësitë

ELBASAN/VLORË - Për pak orë janë shënuar dy akte vetëvrasëse me të njëjtën natyrë. Në Elbasan dhe Vlorë, dy shtetasit, Bledar Rexhepi dhe Edison Haxhiraj, i kanë dhënë fund jetës duke u hedhur nga lartësitë e ndërtesave në të cilat banonin. Pas disa kohësh sfidë me jetën, Rexhepi, i sëmurë mendor, është hedhur nga kati i 6-të i pallatit ku banonte pasditen e djeshme, rreth orës 15:30, në lagjen “Çlirimi”, në Elbasan. Viktima, sipas policisë, vuante nga problemet mendore, ndërsa mësohet se vdekja ka qenë e menjëhershme. Në lidhje me këtë vetëvrasje janë marrë dëshmitë e të afërmeve të viktimës dhe dosja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Elbasanit.
Po të njëjtën ditë, 34-vjeçari Haxhiraj është hedhur nga kati i shtatë i banesës ku jetonte, në Orikum të Vlorës, pas një grindjeje me bashkëshorten e tij. Ai ka dhunuar gruan e tij, Eglantinën, duke e lënë pa ndjenja. Duke kujtuar se bashkëshortja e tij kishte vdekur, Haxhiraj vendosi të vetëvritej. Ndërkohë, 24-vjeçarja ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e qytetit. Gjatë kohëve të fundit janë rritur në mënyrë drastike rastet e vetëvrasjeve për shkak të varfërisë, papunësisë dhe mungesës së trajtimit të sëmundjeve mendore.

Box 1
Kamera për të parandaluar krimet dhe aksidentet

TIRANË – Në çdo cep të ndërtesave, buzë rrugëve kryesore, janë vënë kamera spiune për të mbajtur nën vëzhgim vepra të ndryshime kriminale apo shkelje të rregullave të qarkullimit. Burimet jozyrtare sqarojnë se janë instaluar rreth 200 kamera sigurie në pikat kryesore të Tiranës, të cilat do të monitorojnë lëvizjet e mjeteve dhe veprimet e personave që kryejnë shkelje. Ende nuk ka të dhëna zyrtare për vendosjen e tyre, apo vendin se ku ndodhen, por “sytë” elektronikë të vëzhgimit janë të dukshme pranë godinave qeveritare apo pikat kyçe të trafikut. Tashmë po bëhet instalimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Rrugën e Durrësit, Rrugën e Kavajës, sheshin “Nënë Tereza”, qendrën e Tiranës, por edhe në zona të tilla si “Komuna e Parisit”, lagja përreth “21 Dhjetorit”, pranë Farmacisë Nr. 10 dhe në afërsi të Bërrylit. Të gjitha kamerat janë të lidhura me qendrën operacionale, e cila mbahet nën kontroll nga ekspertët, që më pas njoftojnë patrullat e policisë në terren.

MILANO - Një organizatë e trafikut të lëndëve narkotike që vepronte në Komasko dhe në Veri të Italisë është shkatërruar nga “Guardia di Financa” e Komos. Njëzet e nëntë persona janë arrestuar si dhe janë sekuestruar 56 kg drogë. Konkretisht janë sekuestruar 15 kg kokainë, 31 kg heroinë dhe 10 kg marijuanë. Hetimet, e koordinuara nga prokurori i Milanos, Xhani Narbone, nisën nga një sinjalizimi i policisë belge, e cila në mars të 2008-s kishte arrestuar në Bruksel 5 persona. Ndaj të arrestuarve ishte firmosur një urdhër-arrest europian nga Gjykata e Milanos. Më pas prokurorët dhe hetuesit nisën të gjurmojnë për ekzistencën e një strukture të përbërë kryesisht nga shqiptarë dhe që ishte e lidhur me grupe të tjera kriminale aktive në Belgjikë, Holandë, Zvicër, Slloveni, Shqipëri dhe Itali, raporton agjencia e lajmeve “ANSA”. Grupi drejtonte një pjesë të madhe të tregut vendas të kokainës, heroinës gjithashtu dhe marijuanës. Sipas hetimeve, lënda narkotike kalonte nëpër shtigje të studiuara tepër mirë për të mbërritur më pas në tregun italian.
Kokaina nisej nga Holanda dhe nëpërmjet shtigjeve malore të Frejus dhe Brennero, arrinte në provincat e Milanos, ku dhe magazinohej. Në këtë hetim janë të përfshirë gjithsej 40 persona, përfshi dhe ato që kanë përfunduar në burg. Gjatë operacionit u sekuestruan dhe 7 makina, 2 kamionë, një motor, 20 mijë euro cash, 22 celularë, 30 karta SIMS, si dhe një sërë pajisjesh për të punuar lëndën narkotike.

20 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›