E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sex-gate, Terri rrezikon Kombëtaren?

Kapiteni i çelsit dhe i Anglisë ka pasur një lidhje jashtëmartesore me të fejuarën e ish-shokut të skuadrës, Uejn Brixh

Pas skandalit, mbrojtësi mund të divorcohet dhe të mbetet jashtë Botërorit 2010Xhon Terri e sheh veten në qendër të një skandali seksual. Të gjitha gazetat britanike kanë shkruar për marrëdhënien jashtëmartesore që mbrojtësi i mirënjohur ka pasur me modelen Vanesa Perronçeli, e fejuara e ish-shokut të tij të skuadrës te çelsi, Uejn Brixh (që tashmë luan te Mançester Siti). Perronçeli dhe Brixh, të cilët kanë edhe një djalë 4-vjeçar, janë ndarë gjatë dhjetorit të vitit të kaluar. Në të vërtetë, kapiteni i bluve ishte në dijeni të faktit se një prej të përditshmeve po përgatitej të publikonte lajmin dhe përpara tri ditëve kishte marrë miratimin nga Gjykata e Lartë, që kjo çështje të mbetej anonime. Megjithatë, të premten gjykatësi Xhastis Tugendhat e hodhi poshtë vendimin, me justifikimin se në këtë mënyrë, Terri kërkonte “t’i mbyllte gojën shtypit”, vetëm që mos të humbiste sponsorët (lojtari ka kontrata milionere me “Samsung”, “Umbro” dhe “Nationwide”). Sipas vendimit të ri, arsyet e paraqitura nga 29-vjeçari për mbajtjen sekret të skandalit ishin thjesht ekonomike dhe jo për të mbrojtur reputacionin e njerëzve që prekeshin drejtpërdrejt: ku më kryesorët janë bashkëshortja Toni Pol dhe shoku i tradhtuar. Kaq ka mjaftuar që të gjitha gazetat të shkatërrojnë emrin e “babait të vitit”, çmim i fituar nga lojtari në nëntor 2009, duke treguar gjithçka rreth marrëdhënies. Detaji më interesant ishte pa dyshim “kontrata sekrete” që Terri ia dha Vanesës të firmoste, sipas të cilës ajo nuk do të tregonte asnjëherë atë që kishte ndodhur. Akordi ishte pranuar nga modelja pas një shpërblimi me vlerë një sterlinë.
Rreth “sex-gate”, bashkëshortja e kapitenit të Anglisë deklaroi: “Më vjen keq, nuk mund të flas për këtë ngjarje”, por miqtë e afërt të çiftit (që ka edhe një djalë 3 vjeç) i tremben faktit se kësaj radhe Pol nuk do të arrijë ta falë Xhon Terrin. Kjo edhe për faktin se nuk është hera e parë që lojtari ndërmerr veprime të diskutueshme. “Daily Mirror” ka publikuar “Top 10” skandalet e mbrojtësit, ndërsa për “The Sun”, Vanesa Perronçeli ka hedhur poshtë çdo lidhje me futbollistin. “Jam e tronditur, tha ajo. Nuk e di nëse duhet të qesh apo të qaj me këtë histori”. Ndërkohë, 87 për qind e tifozëve kërkojnë që Terri të mos jetë pjesë e Kombëtares angleze. Mbrojtësi rrezikon të mos jetë i grumbulluar për miqësoren që “Tre Luanët” do të luajnë në “Uembli” më 1 mars me Egjiptin, pasi prezenca e tij mund të bëjë që në skuadrën e Kapelos të krijohet një atmosferë e sikletshme. Ndërkohë, “Daily Mail” ka hedhur hipotezën se lojtari mund të mos jetë pjesë e skuadrës as në fazën finale të Botërorit 2010, duke qenë se Terri ka humbur respektin mes “senatorëve”. Por, burime pranë Federatës Angleze theksuan se kjo ngjarje nuk do të ndikojë, pasi ajo ka ndodhur rreth një vit më parë dhe të gjithë ishin në dijeni.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›