E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dede: Në Lushnjë na pritën si armiq

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Trajneri i gjirokastritëve, Nevil Dede, thekson se edhe fusha shumë e keqe ishte një fakt që ndikoi në humbjen e tij të parë

Luftëtari, para se mundej nga Lushnja të shtunën që shkoi, ka pësuar edhe dy humbje të tjera me të njëjtin rezultat, pra 1-0, e dyta më 26 nëntor të vitit të kaluar në Gramsh. Që nga kjo humbje, gjirokastritët kishin regjistruar 8 fitore dhe 1 barazim. Kanë mbetur edhe 9 ndeshje, nga të cilat 5 do të luhen në Gjirokastër, e para me Butrintin këtë javë dhe që parashikohet fitore plotësisht e mundshme pas humbjes me Lushnjën.

Luftëtari shkoi në Lushnjë  si kavalier, por dama u tregua dhelpër dhe e dribloi, duke marrë revanshin për humbjen e fazës së parë. Ekip i fortë nuk është ai që u gëzohet fitoreve, por ai që di të gjejë forca shpirtërore për ti kapërcyer edhe humbjet. Kjo gjë për Luftëtarin është plotësisht e mundëshme për faktin se ka jo pak futbollistë me përvojë shumë të gjatë dhe nga disa ish të tillë përbëhet stafi i tij teknik, edhe pse në fillimet e karrierrës së tyre.

Kalendari Në vazhdim duhet punuar me laps në dorë, në kërkim të realizimit të objektivit, ngjitjes në superligë dhe titullit kampion të kategorisë së parë. Nga ndeshjet që do të luajë në Gjirokastër, në pamje të pare, më e vështirë rezulton ajo me Besën, kurse në transfertë ajo me Kukësin.

Por, ashtu sikundër e ka treguar fytyrën e tij të pabesë, futbolli ka edhe surprizat dhe janë këto që e zbukurojnë së tepërmi, se kanë turpëruar edhe specialistë më në zë, ndaj për çdo ndeshje duhet kujdes dhe përqendrim maksimal.

Dede Trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede, për humbjen e parë të pësuar në krye të këtij ekipi dhe ndeshjen e radhës me Butritin, shprehet:

Ndeshja në Lushnjë faktikisht ishte shumë e fortë. Ne gabuam në momentin tonë më të mirë. Normalisht, kundërshtari, duke pasur edhe përkrahjen e tifozëve të tij, ushtroi trysni. Ne e përballuam dhe e detyruam të mbrohet, por nuk u treguam të pjekur për të përfituar  nga epërsia numerike.

E thashë edhe para nisjes për në Lushnjë se rezultati do të përcaktohej në mënyrë episodike dhe kështu ndodhi. Gabuam dhe humbëm përqendrimin për një çast, kur pësuam gol. Nuk mund të gjej justifikime, sepse ndeshja u humb nga ne vetë. Nuk bëmë atë që duhej bërë për të fituar. Personalisht, përgëzoj Ramadanin dhe Zholin, jo se të tjerët nuk luftuan, por këta të dy nuk gabuan asnjë çast. Më vjen keq që na pritën si armiq në Lushnjë dhe jo si rivalë në futboll.

Tifozat në kor çfarë nuk nxirrnin nga goja. Vërtet  kishte shumë shikues, por numri  i tyre me atë sjellje nuk vlen për imazhin e futbollit. Pra, pritja që na u rezervua ishte e keqe, sikundër edhe fusha e lojës, që është për ekipet e kategorisë së tretë. Ne jemi të qetë shpirtërisht dhe do të vazhdojmë të jemi, sepse jemi kryesues me pikë, kemi kontigjent lojtarësh dhe jemi përpara në të gjithë komponentët e lojës së futbollit nga rivalët tanë. Ndeshjen e radhës me Butrintin do ta vlerësojmë maksimalisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›