E Shtunë, 31 Tetor 2026

Canka: Golat vendimtarë për Lushnjën më lumturojnë

Nga Julian Kasapi

Sulmuesi lushnjar, Mikel Canka, rezultoi i saktë edhe në Ersekë

njeriu-gol për skuadrën verdhejeshile, që qëndron pranë kreut  

Verdhejeshilët kanë nisur një tjetër javë stërvitore, atë në kuadër të  ndeshjes me Adën, që do ta luajnë në fundjavë në stadiumin Roza Haxhiu, kurse java e fundit e fazës së parë do ti gjejë lushnjarët në Kukës, ku do të luajnë një transfertë shumë të rëndësishme.  Atmosfera është shumë e mirë dhe premtuese, pasi ende vijon gëzimi për 3 pikët e marra në Ersekë me Gramozin. Jo vetëm vazhdimësia e rezultateve pozitive, e shtata fitore radhazi, por edhe ngjitja një shkallë në tabelën e klasifikimit, është rast për tu festuar.

Megjithatë, nuk ka vend për eufori, pasi janë edhe dy sfida deri në mbylljen e gjysmës së parë të sezonit. Objektivi i Lushnjës është që në fund të sezonit të sigurojnë një biletë superlige, por deri aty ka edhe shumë punë. Lushnjarët nuk e nisën mirë kampionatin, por, pas 5 ndeshjeve të dobta, kur skuadrën e drejtonte Ramadan Baballëku, që u dorëhoq, vijnë 8 javë mjaft të mira nën drejtimin e trajnerit Sajmir Malko, i cili ka 7 fitore radhazi.

Canka Ka qenë përsëri ai njeriu gol i Lushnjës, 25-vjeçari Mikel Canka. Ai ka shënuar një gol vendimtar, që i ka dhënë 3 pikë të çmuara skuadrës verdhejeshile në transfertën e Ersekës. Canka ka qenë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të devijuar saktë me kokë një krosim të Renato Sulës. Ishte një takim i vështirë jo vetëm për shkak të kundërshtarit, por edhe sepse luanim në kushte të vështira atmosferike.

Reshjet e shiut, që na shoqëruan gjatë gjithë 90-minutëshit, ishin të pranueshme, por fusha linte shumë për të dëshiruar. Patëm aq shumë raste për të shënuar sa nuk e imagjinonim, por të gjithë e pamë se ishte e pamundur të shënonim me atë mënyrë loje që kemi ne. Topi ngecte në pellgjet e ujit dhe shpesh pranë vijës fatale.

Momenti i golit, ishte mjaft i bukur. Pas shumë e shumë mundimeve dhe një loje mjaft të fortë, me kokë kam shënuar ndoshta golin më të bukur për këtë sezon. Ishte një krosim i bukur i Renato Sulës në zonë. Jam i lumtur që shënova përsëri një gol me shumë vlera në një ndeshje vendimtare.

Më vjen shumë mirë që po shënoj për skuadrën time dhe i falënderoj të gjithë, stafin teknik, me në krye trajnerin Malko, për besimin që më dhanë, shokët, presidencën dhe tifozërinë lushnjare, që edhe në Ersekë na ndoqi. Ndonëse ishin pak në numër, fakti që erdhën deri në Ersekë është kuptimplotë. Ata besojnë te skuadra dhe na japin forcë për më tej. Kemi festuar dhe kemi nisur punën për ndeshjen e radhës me Adën, që është e vështirë, por jemi të detyruar ta fitojmë, – ka thënë sulmuesi Mikel Canka, golashënues i skuadrës lushjnare, me 7 gola.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›