Vlora çlirohet në derbin e mbijetesës
Me gola të Plepit dhe Shabanit, ekipi vlonjat ka marrë 3 pikë të çmuara ndaj himarjotëve, që i japin besim për të ardhmen
Vlora – Himara 2-1
Shënues: Plepi 32, Shabani 48 / Telushi 85
Vlora: Hysi, Kaçani (Serjani 52), Idrizi, Bisha (Tairi 76), Myderizi, Hoxha, Çaushaj (Dalipaj 67), Azizi, Strati, Plepi, Shabani.
Trajner: A.Haxhiraj.
Himara: Këllçiu, Mehmeti, Qëndro, Kananai (Telushi 72), Banushaj, Imeraj, Goro, Cana, Sako, Kokona (Myftaraj 67), Gjondeda.
Trajner: V.Laluci.
Gjyqtarë: D.Jubica, M.Dervishi, Gj.Bori (Shkodër)
Kartonë të verdhë: Mehmeti, Qëndro, Banushaj, Goro, Telushi, Plepi, Çaushaj
Kartonë të kuq: Qëndro, Cana
Vlora fiton derbin e prefekturës, me rezultatin 2-1. Nga një gol në çdo pjesë kanë shënuar djemtë e trajnerit Haxhiraj për të marrë një tripikësh shumë të rëndësishëm në javën e 13-të. Në një atmosferë të ftohtë për shkak të motit, ndeshja mes Vlorës dhe Himarës ka ngjallur pak interes, ndryshe nga sa parashikohej. Megjithatë, ndeshja ka pasur nivel, sepse të dy ekipet kanë dhënë më të mirën në fushë, në kërkim të fitores. Futbollistët e Vlorës janë treguar më të qartë dhe në fund kanë fituar.
Himara sulmon e para dhe Sako godet nga larg zonës, topi prek traversën dhe përfundon jashtë. Është vetëm sinjali i parë, që tregon se do të jetë një takim i bukur. Plepi ka mundësinë më të mirë në minutën e 16-të, kur gjendet i lirë brenda zonës, por gjuajtja e tij me kokë është e gabuar. Edhe Imeraj ka një mundësi të mirë për Himarën, pasi porta vlonjate është e boshatisur, por Bisha largon topin në çastin final.
Vlonjatët fillojnë të sulmojnë më dendur dhe në minutën e 32-të, Plepi, i harruar në zonë, shfrytëzon bukur një kros dhe e kalon ekipin e tij në avantazh. Në minutat e mbetura të pjesës së parë ka dyluftime të ashpra dhe gjyqtari Jubica nuk ngurron të nxjerrë kartonë të verdhë. Para nisjes së pjesës së dytë, lojtarët e Himarës bëjnë një veprim të pakuptueshëm.
Ata hyjnë në fushë dhe më pas largohen, për tu kthyer disa sekonda më pas, ndërsa në stadium është aluduar për një braktisje të ndeshjes nga Himara. Vetëm 3 minuta pas fillimit të lojës, Vlora shënon golin e dytë. Është Azizi që ngulmon dhe aty përfiton Shabani, që gjuan saktë dhe 2-0. Vlonjatët janë më të qetë, ndërsa himarjotët mbeten me 10 vetë në gjysmën e pjesës së dytë.
Qëndro merr kartonin e dytë të verdhë dhe e lë ekipin e tij me 10 vetë. Vlora ka mundësi me Serjanin dhe Shabanin për të shënuar golin e tretë, por nuk arrin. Ata që e gjejnë rrugën e rrjetës janë himariotët, që e ngushtojnë diferencën me Telushin, që merr një top të saktë nga Imeraj. Ka edhe 5 minuta lojë, por jo gol tjetër. Tairi për Vlorën humbet një rast shumë të pastër, duke gjuajtur jashtë me portën bosh, ndërsa Himara mbetet me 9 vetë, sepse me karton të kuq ndëshkohet edhe Cana. Vlora fiton dhe ngjitet në kuotën e 11 pikëve, kurse Himara mban vendin e fundit.
Trajnerët
Agron Haxhiraj, trajner i Vlorës: Ishte nëj fitore e merituar e ekipt tonë. Mendoj se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe e rëndësishme është që kemi marrë 3 pikët. Vlora ka shumë punë për të bërë dhe besoj se në fazën e dytë mund të ndryshojmë në lojë dhe rezultate për tu larguar nga zona e ftohtë.
Vangjel Laluci, trajner i Himarës: Ndeshja për Himarën përfundoi që kur pësuam golin e dytë dhe mbetëm me 10 vetë. Mendoj se nuk kemi luajtur keq, por duhet ta pranojmë se ekipi ka shumë gjëra për të ndryshuar.
