Cardinale: Do të xhiroj një film me Timo Fllokon
TIRANE-Claudia Cardinale do të interpretojë në një film përkrah aktorit shqiptar, Timo Flloko. Ka qenë vetë ikona e kinematografisë italiane, që e ka konfirmuar lajmin në një prononcim për "Gazetën Shqiptare". "Unë do të luaj një film me Timo Fllokon", - tha ajo në dyert e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Teksa iu përgjigjet pyetjeve tona në lidhje me vizitën në Shqipëri, në dorë mbante një cigare. E qeshur, me pamjen e saj fisnike që asgjë s'i linte mangët bukurisë së dikurshme që bëri për vete gjithë Italinë, ajo shprehet e lumtur për prezencën në vendin tonë. "Jam e lumtur që kam ardhur në Durrës, në Festivalin e Filmit, dhe që erdha në Tiranë. Më ka bërë shumë përshtypje mikpritja juaj e ngrohtë. Vetëm një shqetësim kam pasur gjithë këto ditë, ka qenë shumë nxehtë", - thotë ajo, duke ulur zërin, a thua se po rrëfente ndonjë krim. E dashur, e lirshme dhe plot komunikim, pa "mendjemadhësinë" që karakterizon shumë njerëz që kanë arritur suksesin dhe famën e saj, ajo pohon përballë Timo Fllokos, se me të do të luajë një film. Duket e lumtur kur i thotë këto fjalë, ashtu sikundër edhe vetë Flloko. Kur e pyesim aktorin shqiptar nëse kjo është e vërtetë, ai thotë: "Pse nuk e besoni?! E tha Claudia, po jua them edhe unë. Do të xhirojmë një film". Ata nuk dhanë asnjë detaj mbi bashkëpunimin e tyre, që duket se është në planet e tyre të përbashkëta në një të ardhme jo të largët. E teksa biseda bëhet më e zhurmshme, Cardinale shprehet se është habitur se sa shumë flitet italishtja në vendin tonë. E ndërsa largohen për drekë së bashku me drejtoreshën artistike të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, Anila Varfi dhe me aktorin e mirënjohur shqiptar, Timo Flloko, ky i fundit ndër vlerësimet për Cardinale-n shton edhe diçka tjetër: "Ajo është dashuria ime e parë!" Kjo gjë i rikthen sërish buzëqeshjen Cardinales, e cila menjëherë i drejtohet Fllokos me fjalët: "Tani po e tepron". Por Flloko këmbëngul në të tijën dhe e mbyll bisedën me fjalët: "E kush nuk do të binte në dashuri me Claudia Cardinalen!"
Axhenda
Para mbërritjes së saj në Tiranë, gjatë një konference të zhvilluar në Durrës aktorja italiane ka folur për filmat e saj.
Claudia Cardinale ka treguar disa nga takimet e saj me regjisorët e mëdhenj me të cilët ka punuar, si edhe për filmin e saj "Të jesh italian me zonjën Enrika", që u prezantua në natën e tretë të edicionit të katërt të Festivalit të Filmit në Durrës. Ajo tregoi se Shqipërinë e njeh si gjithë italianët e tjerë: "Unë sigurisht që e dija, pasi mjaft shqiptarë jetojnë në Itali dhe këtë informacion si çdo italian e kam edhe unë. Është hera e parë që vij dhe jam e mrekulluar nga pritja që më bëtë. Do t'i shijoj të gjitha ditët që do jem këtu". Ndërkaq, në fjalën e saj për Fellinin, ajo tha se ka qenë muza e tij, frymëzimi i tij. Sa i takon projekteve, ajo tregoi se ka tri të tilla me regjisorë të rinj. "Gjëja më e rëndësishme për mua është skenari, nëse nuk e pëlqej, e mbyll dhe nuk merrem me të. Nëse më pëlqen, atëherë takoj regjisorin dhe kjo është shumë e rëndësishme, se ne këtë takim të drejtpërdrejtë me regjisorin unë mund të kuptoj, ia vlen të punoj me të, apo nuk ia vlen".
Në presidencë
Gjatë ditës së djeshme ajo është pritur edhe nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z.Bamir Topi. Në këtë takim ishin të pranishëm drejtoresha artistike e Festivalit, Anila Varfi dhe aktori i mirënjohur shqiptar, Timo Flloko. Z.Topi e uroi zonjën Cardinale për marrjen e çmimit "Pjata e Argjendtë" me motivacionin "Ikonë e aktrimit italian". Ai shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim dhe vuri në dukje se vizita të kësaj natyre ilustrojnë jo vetëm marrëdhëniet miqësore e të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve dhe popujve tanë, por edhe vlerësimin për kulturën dhe artin në tërësi, si dhe për kinematografinë në veçanti. Kreu i shtetit i dhuroi zonjës Cardinale si një kujtim institucional, një figurinë artistike të shenjtores shqiptare me famë ndërkombëtare, Nënë Tereza. Nga ana e saj, aktorja e shquar italiane me famë botërore, Claudia Cardinale, pasi falenderoi presidentin Topi për mikpritjen e ngrohtë, shprehu vlerësimet e saj më të mira për Shqipërinë, artin dhe artistët shqiptarë, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e zhvillimit të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës, si një ngjarje artistike tradicionale që jo vetëm evidenton vlerat e fushës së kinematografisë, por kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e urave kulturore dhe forcimin e lidhjeve artistike e shpirtërore mes popujve të ndryshëm. Pas presidencës, Cardinale vizitoi edhe mjediset e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. E pyetur nga "Gazeta" ajo tha se nuk e dinte se në Shqipëri kishte një zyrë të tillë, por iu duk një vend mikpritës dhe i këndshëm.
(d.b/BalkanWeb)