“Caritas in veritate” - Enciklika e re e Papa Benediktit XVI - Pjesa e Parë
Teksti i plotë i Letrës enciklike “Bamirësia e Vërtetë”, të Papës Benedikti XVI, drejtuar ipeshkvinjve, famullitarëve dhe diakonëve, personave të konsakruar, besimtarëve laikë, të gjithë njerëzve vullnetmirë, mbi zhvillimin njerëzor integral, në bamirësi dhe vërtetësi
HYRJE
1. Bamirësia në vërtetësi, ne te cilen Jezu Krishti u be deshmitar me jeten e Tij tokesore dhe mbi te gjitha me vdekjen dhe ringjalljen e tij, është forca kryesore shtytëse për zhvillimin e vërtetë të çdo personi dhe të të gjithë njerëzimit. Dashuria – “caritas” - është një forcë e jashtëzakonshme që e shtyn njeriun të angazhohet me kurajo dhe shpirtgjerësi në fushën e drejtësisë dhe të paqes. Është një forcë që e ka origjinën në Hyun, Dashuri e përjetshme dhe e Vërtetë absolute. Gjithkush e gjen të mirën e vet duke iu bashkangjitur apo aderuar projektit që Hyu ka për të, për ta realizuar në plotëninë e tij: në këtë projekt në fakt ai gjen në fakt të vërtetën e tij dhe duke aderuar tek kjo e vërtetë ai bëhet i lirë (cfr Gv 8,22). Të mbrosh të vërtetën, ta paraqesësh me përulësi dhe bindje dhe ta dëshmosh në jetë, këto janë pra format që kërkohen dhe të patjetërsueshme të dashurisë. Kjo në fakt “gëzohet për të vërtetën” (1 Cor 13,6). Të gjithë njerëzit ndjejnë shtysën e brendshme për të dashur në mënyrë autentike: dashuria dhe e vërteta nuk i braktisin kurrë plotësisht, pasi janë prirja e mbjellë nga Hyu në zemrat dhe mendjet e çdo njeriu. Jezu Krishti pastron dhe çliron nga varfëritë tona njerëzore kërkimin e dashurisë dhe të së vërtetës dhe na zbulon në plotëni inisiativën e dashurisë dhe të projektit të jetës së vërtetë që Hyu ka përgatitur për ne. Në Krishtin, dashuria në të vërtetën bëhet Fytyra e Personit, një thirrje për ne që të duam vëllezërit në të vërtetën e projektit të tij. Ai vetë në fakt është e Vërteta. (cfr Gv 14,6).
2. Bamirësia, dashuria është udha kryesore e doktrinës sociale të Kishës. Çdo përgjegjësi dhe angazhim i përvijuar nga kjo doktrinë janë të ushqyera nga dashuria që sipas mesimeve të Jezu Krishtit përbëjnë sintezën e të gjithë Ligjit (cfr Mt 22,36-40). Ajo i jep thelbin e vërtetë lidhjes personale me Hyun dhe me të afërmin; është principi jo vetëm i mikro relatave: raporteve miqësore, familjare, të grupeve të vegjël, por edhe i makro relatave: raportet sociale, ekonomike, politike. Per Kishën - e mësuar nga Ungjilli - dashuria është gjithshka, pasi siç na mëson shën Gjoni (cfr 1 Gv 4,8.16) dhe sic e kam përmendur në Letrën time të parë Enciklike, “Hyu është dashuri” (Deus caritas est): nga dashuria e Hyut rrjedh gjithshka, në sajë të dashurisë gjithshka merr formë, drejt saj gjithshka priret. Dashuria është dhurata më e madhe që Hyu i ka dhënë njerëzve, është premtimi i tij dhe shpresa jonë.
Jam i ndërgjegjshëm për dredhat dhe boshllëqet e drejtimit me të cilat është përplasur dhe përplaset dashuria, duke patur si rrjedhojë rrezikun e keqkuptimit, e përjashtimit nga të jetuarit etik dhe në çdo rast pengon vlerësimin korrekt. Në kuadrin social, juridik, kulturor, politik, ekonomik, apo në kontekste më të ekspozuara kundrejt këtij rreziku, deklarohet lehtësisht papërfillshmëria për të interpretuar dhe drejtuar përgjësitë morale. Që këtej domosdoshmëria për të lidhur dashurinë me të vërtetën jo vetëm në drejtimin e dhënë nga shën Pali të së “veritas in caritate” – “e vërteta në dashuri” (Ef 4,15), por edhe në atë inverse dhe plotësuese të “caritas in veritate»-“dashuria në të vërtetën”. E vërteta kërkohet, gjehet dhe shprehet “në ekonominë” e dashurisë, bamirësisë, por bamirësia në anën e saj kuptohet, vlerësohet dhe praktikohet nën dritën e së vërtetës. Në këtë mënyrë jo vetëm do t’i kemi bërë një shërbim dashurisë, bamirësisë së ndriçuar nga e vërteta, por kështu do të kontribuojmë për akreditimin e së vërtetës, duke treguar forcën dhe autenticitetin në bindjen tek realiteti i jetesës sociale. Dhe kjo nuk ka peshë të vogël sot në një kontekst social dhe kulturor që e relativizon të vërtetën duke u bërë shpesh mosperfillese kundrejt saj dhe ngurruese.
3. Per këtë lidhje të ngushtë me të vërtetën, dashuria, bamirësia mund të konsiderohen si shprehje autentike e njerëzimit dhe si element i një rëndësie thelbësore ne relatat njerezore, edhe në ato të natyrës publike. Dashuria shkëlqen vetëm tek e vërteta dhe vetëm ateherë mund të jetohet në mënyrë autentike. E vërteta është dritë që i jep kuptim dhe vlerë dashurisë, bamirësisë. Kjo dritë është në të njejtën kohë dritë e arësyes dhe besimit përmes së cilës inteligjenca arrin tek e vërteta natyrore dhe mbinatyrore e bamirësisë: merr domethënien e dhurimit, pritjes dhe bashkësisë. Bamirësia pa të vërtetën rreshqet në sentimentalizëm. Dashuria kthehet në një guackë e zbrazët për t’u mbushur në mënyrë arbitrare. Është rreziku fatal i dashurisë në një kulturë pa të vërtetën. Ajo është pre e emocioneve dhe e opinioneve që u përkasin subjekteve, një fjalë e e shtrembëruar, deri në atë pikë sa të ketë si domethënie të kundërtën. E vërteta e çliron dashurinë nga ngushticat e një emotivizmi, i cili e privon nga përbërja relacionale dhe sociale dhe nga një fideizëm që e privon nga frymëmarrja njerëzore dhe universale. Dashuria tek e vërteta reflekton dimensionin personal dhe në të njejtën kohë publik të bësimit në Hyun biblik, që është «Agápe» dhe «Lógos»: Bamirësi dhe Vërtetësi, Dashuri dhe Fjalë.
4. Meqenëse është plot me të vërteta, bamirësia mund të kuptohet nga njeriu në pasurinë e saj të vlerave, e bashkëndarë dhe e komunikuar. E vërteta në fakt është“lógos” që krijon “diá-logos”, pra komunikim dhe bashkim. E vërteta duke i nxjerrë njerëzit nga opinione dhe ndjesi subjektive, u lejon atyre te ngrihen pertej percaktimeve kulturore dhe historike dhe të takohen në vlerësimin e vlerës dhe të thelbit të gjërave. E vërteta hap dhe bashkon inteligjencat në lógos-in e dashurisë: është kjo thënia dhe dëshmia e krishterë e bamirësisë. Në kontekstin aktual social dhe kulturor, ku është e përhapur tendenca për ta relativizuar të vërtetën, të jetuarit e bamirësisë në vërtetësi na shtyn të kuptojmë se aderimi në vlerat e Krishtërimit është element jo vetëm i dobishëm, por edhe i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie të mirë dhe një zhvillim të vërtetë njerëzor integral. Një Krishtërim i bamirësisë pa të vërtetën mund të shkëmbehet lehtësisht si një shprehje rezervë e ndjenjave të mira, aq të domosdoshme për bashkëjetesën sociale, por të dorës së dytë. Në këtë mënyrë nuk do të kishte më një vend të vërtetë për Hyun në botë. Bamirësia pa të vërtetën syrgjynoset në një fushë të ngushtë private relatash. Ajo përjashtohet nga projektet dhe nga proceset e ndertimit te një zhvillimi njerëzor të një rëndësie universale, në dialogun mes dijeve dhe operativitetit..
5. Bamirësia është dashuri e marrë dhe e dhuruar. Ajo është «hir» (cháris). Zanafilla e saj është dashuria e gjallë e Atit për Birin, në Shpirtin e Shenjtë. Është dashuria që nga Biri zbret tek ne. Është dashuri krijuese pasi ne jemi: ështëe dashuri shelbuese nga e cila jemi rikrijuar. Dashuri e zbuluar dhe realizuar nga Krishti (cfr Gv 13,1) dhe e «derdhur në zemrat tona përmes Shpirtit të Shenjtë» (Rm 5,5). Marrësit e dashurisë së Hyut, njerëzit janë krijuar si subjekte të dashurisë, të thirrur për t’u bërë ata vetë instrumente të hirit, për të shpërndarë dashurinë e Hyut dhe për të thurur rrjetat e bamirësisë.
Kësaj dinamike të bamirësisë së marrë dhe të dhuruar i përgjigjet doktrina sociale e Kishës. Ajo është «caritas in veritate in re sociali»: lajmërimi i së vërtetës së dashurisë së Krishtit në shoqeri. Kjo doktrinë është shërbim i bamirësisë, dashurisë por tek e vërteta. E vërteta ruan dhe shpreh forcën e clirimit të bamirësisë në ngjarjet gjithnjë të reja të historisë. Dhe në të njëjtën kohë e vërteta e besimit dhe arsyes, në dallimin dhe në sinergjinë e të dy fushave të njohjes. Zhvillimi, mirëqënia sociale, një zgjidhje e përshtatshme e problemeve të rënda social ekonomike që e brengosin njerëzimin, kanë nevojë për këtë të vërtetë. Aq më tepër kanë nevojë që kjo e vërtetë të duhet dhe të dëshmohet. Pa të vërtetën dhe pa dashurinë për të vërtetën nuk ka ndërgjegje dhe përgjegjësi sociale, dhe veprimi social bëhet pre e interesave private dhe logjikave të pushtetit, me efekte shkatërruese në shoqëri, aq më tepër në një shoqëri në rrugën e globalizimit, në momente të vështira si këto aktuale.
6. «Caritas in veritate» eshtë principi rreth të cilit rrotullohet doktrina sociale e Kishës, një princip që merr formë vepruese në kritere orientuese të veprimit moral. Dëshiroj t’u referohem dy kritereve në veçanti, të diktuara në vecanti nga angazhimi për zhvillimin e një shoqërie në globalizim e sipër: drejtësia dhe e mira e përbashkët.
Drejtësia para së gjithash. Ubi societas, ibi ius: çdo shoqëri përpunon një sistem të sajin të drejtësisë. Dashuria e tejkalon drejtësinë, pasi të duash do të thotë të dhurosh, t’i ofrosh diçka “që është e imja” tjetrit; por asnjëherë nuk ndodh pa drejtësinë, e cila shtyn t’i japësh tjetrit atë që është e “tija” atë që i përket si rrjedhojë e qenies dhe veprimit të tij. Nuk mund t’i “dhuroj” tjetrit nga ç’ka është e imja, pa i dhënë më parë atë që i përket me të drejtë. Kush i do më ndjenjën e bamirësisë të tjerët para së gjithash është i drejtë kundrejt tyre. Drejtësia jo vetëm nuk është e huaj kundrejt bamirësisë, jo vetëm nuk është një rrugë alternative apo paralele me bamirësinë: drejtësia është «e pandarë nga bamirësia», e lidhur ngushtësisht me të. Drejtësia është udha e parë e bamirësisë apo sic thoshte Papa Pali i VI «masa minimale e saj” pjesë përbërëse e kësaj dashurië «me fakte dhe në të vërtetën» (1 Gv 3,18), dhe drejt se cilës na shtyn apostulli Gjon. Bamirësia nga njëra anë kërkon drejtësinë: njohja dhe respektimi i te drejtave legjitime të individëve dhe të popujve. Ajo përpiqet për ndërtimin e “qytetit të njeriut” sipas së drejtës dhe drejtësisë. Nga ana tjetër bamirësia e tejkalon drejtësinë dhe e plotëson në logjikën e dhurimit dhe të faljes. “Qyteti i njeriut” nuk promovohet vetëm nga raporte të të drejtave dhe detyrave, por akoma më tepër dhe më parë nga marrëdhënie të dhurimit, mëshirës dhe shëlbimit. Bamirësia shprehet gjithnjë edhe në marrëdhëniet njerëzore të Hyut, ajo i jep vlerë në përputhje teologjike dhe shëlbyese çdo angazhimi të drejtësisë në botë.
7. Gjithashtu duhet të marrim mirë parasysh të mirën e përbashkët. Të duash dikë është të duash të mirën e tij dhe të angazhohesh në mënyrë efikase për të. Përbri së mirës individuale, ekziston një e mirë e lidhur me jetesën sociale të personave: te mirën e përbashkët. Është e mira e asaj fraze “të gjithë ne”, formuar nga individë, familje dhe grupe të ndërmjetme të cilët bashkohen në komunitete sociale. Nuk është një e mirë e kërkuar për vetveten, por për personat që bëjnë pjesë në komunitetin sociale dhe që vetëm në të munden realisht dhe në mënyrë më efikase të arrijnë të mirën e tyre. Të duash të mirën e përbashkët dhe të angazhohesh për të është kërkesë e drejtësisë dhe bamirësisë. Angazhimi për të mirën e përbashkët është të kujdesesh nga njëra anë, dhe në anë tjetër të përfitosh nga ai kompleks institucionesh të cilët strukturojnë juridikisht, nga pikëpamje civile, politike e kulturore jetesën sociale, e cila në këtë mënyrë merr formën e pólis, qytetit. I afërmi duhet në mënyrë më të efektshme sa më shumë të angazhohesh për një të mirë të përbashkët që i përgjigjet nevojave të tij reale. Çdo i krishterë është i thirrur për këtë bamirësi sipas thirrjes së tij dhe mundësive të peshës që ka në pólis. Është kjo rruga institucionale - mund të themi edhe politike - e bamirësisë, jo më pak e kualifikuar dhe e mprehtë sesa bamirësia direkt kundrejt të afërmit, jashtë ndërhyrjeve institucionale të pólisit. Angazhimi për të mirën e përbashkët kur e ushqen shpirtërisht dashuria, bamirësia, ka një vlerë më të lartë se ajo e angazhimit shekullar dhe politik. Si edhe çdo angazhim per drejtësinë, lë gjurmë në dëshminë e bamirësisë hyjnore e cila duke vepruar në kohë përgatit përjetësinë. Veprimi i njeriut në tokë kur është frymëzuar dhe mbështetur nga dashuria, kontribuon për ndërtimin e qytetit universal të Hyut drejt të cilit ecën historia e familjes njerëzore. Në një shoqëri në rrugën e globalizimit, e mira e përbashkët dhe angazhimi për të nuk mund të mos marrin përmasat e të gjithë familjes njerëzore, pra të komunitetit të popujve dhe Kombeve, duke i dhënë kështu formë uniteti e paqeje qytetit të njeriut, duke e bërë në njëfarë mase një shëmbëlltyrrë pararendëse e qytetit pa barriera krijuar nga Hyu.
8. Paraardhësi im i përndëruar Pali i VI me publikimin në 1967 të Enciklikës Populorum progressio, hodhi dritë mbi temën e rëndësishme të zhvillimit të popujve me shkëlqimin e së vërtetës dhe dritën e butë dhe të ëmbël të dashurisë së Krishtit. Ai pohoi se lajmërimi i Krishtit është faktori i parë dhe kryesor i zhvillimit dhe na la si trashëgim ecjen në rrugën e zhvillimit me gjithë fuqinë e zemrës sonë dhe gjithë inteligjencën, me fjalë të tjera me afshin e dashurisë dhe diturinë e së vërtetës. Èshtë e vërteta fillstare e dashurisë së Hyut, hir që na është dhuruar, ajo që e hap jetën tonë kundrejt dhuratës dhe bën të mundur shpresën për një “zhvillim të njeriut dhe të të gjithë njerëzve” në një kalim “nga kushte më pak njerëzore në kushte më njerëzore” i arritur duke fituar mbi vështirësitë që në mënyrë të paevitueshme hasen gjatë rrugës.
Pas më shumë se dyzet vite nga publikimi i Enciklikës dëshiroj t’i thur lavde dhe të nderoj kujtimin e Papës së madh Pali i VI, duke rimarrë në dorë mësimet e tij mbi zhvillimin njerëzor integral dhe duke vendosur vetveten në rrugëtimin e përcaktuar nga ata për ti aktualizuar në kohën e tashme. Ky proces aktualizimi filloi me Enciklikën Sollicitudo rei socialis, me të cilën Shërbëtori i Hyut Gjon Pali II deshi të përkujtojë e Populorum progressio me rastin e njezetvjetorit të publikimit. Deri në atë kohë një përkujtim i tillë i ishte rezervuar vetëm Rerum novarum. Pas njezet viteve të tjera shpreh bindjen time se Populorum progressio meriton të merret në konsideratë si «Rerum novarum e epokës bashkëkohore», që ndriçon rrugën e njerëzimit për bashkim.
9. Dashuria tek e vërteta - caritas in veritate - është një sfidë e madhe për Kishën në një botë të pushtuar nga globalizmi në zhvillim. Rreziku i kohës sonë është se ndërvarësisë faktike mes njerëzve dhe popujve nuk i korrespondon ndërveprimi etik i ndërgjegjeve dhe inteligjencave, nga e cila të mund të dalë si rezultat një zhvillim vërtet njerëzor. Vetëm me dashurinë e ndriçuar nga drita e arsyes dhe e besimit, është e mundur të arrihen objektivat e zhvillimit të pajisur me një valence më njerëzore dhe më të qyteteruar (zbutur). Bashkëndarja e të mirave dhe e resurseve nga e cila vjen edhe zhvillimi i vertetë, nuk sigurohet vetëm nga progresi teknik dhe nga relata te thjeshta mirësjelljeje, por nga forca e dashurisë që fiton me të mire mbi të keqen dhe hapet drejt reciprocitetit të ndergjegjeve dhe lirive.
Kisha nuk ka zgjidhje teknike për të ofruar dhe as pretendon “të ndërhyje qoftë minimalisht ne politikat e Shteteve». Por ka një mision të së vërtetës për të realizuar, në çdo kohë dhe rast, për një shoqëri të përmasave njerezore, të dinjitetit të tij, të thirrjes së tij. Pa të vërtetën bie ne një vizion empirik dhe skeptik per jeten, e paaftë të ngrihet mbi praktiken, pasi nuk eshte e interesuar te mbledhe vlerat - ndonjeherë as edhe dometheniet - me te cilat ta gjykoje dhe orientoje. Besnikeria kundrejt njeriut kerkon domosdoshmerisht besnikerine kundrejt së vërtetës, e cila e vetme është garancia e lirisë (cfr Gv 8,32) dhe e mundësisë për nje zhvillim njerëzor tërësor. Për këtë qëllim Kisha e shpall pa u lodhur dhe e njeh gjithkund, pra ajo del në pah. Misioni i së vërtetës është misioni nga i cili Kisha nuk mund të heqë dorë. Doktrina e saj sociale është një cast i vecantë i kësaj shpalljeje: ajo është shërbim kundrejt së vërtetës që çliron. Doktrina sociale e Kishës e hapur kundrejt së vërtetës nga cfaredo dije që të vijë e mirëpret, formon në plotësi fragmentet në të cilat shpesh e gjen dhe e përcon në jetën gjithnjë të re të shoqërisë së njerëzve dhe popujve.
KAPITULLI PARE
MESAZHI I POPULORUM PROGRESSIO
10. Rileximi i Populorum progressio, pas më shumë se dyzet vite nga publikimi, na shtyn t’i mbetemi besnikë mesazhit të saj të dashurisë dhe së vërtetës, duke e marrë në konsideratë në kushtet e magjisterit specifik të Palit te VI dhe më në përgjithësi brenda traditës së doktrinës sociale të Kishës. Më pas duhen vlerësuar termat e ndryshëm në të cilët sot, në ndryshim nga atëherë, flitet mbi problemin e zhvillimit. Pikëpamja korrekte, pra është ajo e Traditës së besimit apostolik, trashëgimi antike dhe e re, jashtë së cilës Populorum progressio do të ishte një dokument pa rrënjë dhe çështjet e zhvillimit do të reduktoheshin vetëm në të dhëna sociologjike.
11. Publikimi i Populorum progressio ndodhi menjëherë pas përfundimit të Koncilit Ekumenik të vatikanit. E njejta Encicklikë nënvizon në paragrafet e para raportin e saj intim me Koncilin. Gjon Pali i II, njezet vite më pas në veprën Sollicitudo rei socialis nënvizonte nga ana e tij, raportin pjellor të kesaj Enciklike me Koncilin, dhe në vecanti me Kushtetutën baritore Gaudium et spes]. Edhe unë dëshiroj të kujtoj këtu rëndësinë e Koncilit Vatikani II për Enciklikën e Pali të VI dhe për të gjithë Magjisterin e mevonshëm social të Papnor. Koncili thelloi atë çka i përket ngaherë së vërtetës së besimit, apo se Kisha duke qenë në shërbim të Hyut është në shërbim të botës në termat e dashurisë dhe së vërtetës. Pikërisht nga ky vizion nisej Pali i VI për të na komunikuar dy të vërteta të mëdha. E para është se e gjithë Kisha, në të gjithë qënien e saj dhe në veprimin e saj, kur shpall, kremton dhe vepron në dashuri, priret të promovojë zhvillimin integral të njeriut. Ajo ka një rol publik i cili nuk ezaurohet në aktivitetin e saj të asistencës apo edukimit, por zbulon të gjitha energjitë në shërbim të promovimit të njeriut dhe të vëllazërisë universale kur mund të përdorë një regjim lirie. Nuk janë të pakta rastet kur kjo liri ndalohet nga pengesa dhe persekutime apo është dhe e kufizuar kur prania e Kishës reduktohet vetëm në aktivitetet e saj bamirëse. E vërteta e dytë është se zhvillimi autentik i njeriut ka të bëjë vetëm me tërësinë e personit në çdo dimension të tij. Pa perspektivën e një jete të përjetshme, zhvillimi njerëzor në këtë botë mbetet pa frymemarrje. I mbyllur brenda historisë, ai është i ekspozuar kundrejt rrezikut të reduktimit vetëm nga rritja e të ardhurave; njerëzimi humbet kështu kurajon për të qenë i gatshëm për të mira më të larta, për inisiativa të mëdha të nxitura nga bamirësia universale. Njeriu nuk zhvillohet vetëm me forcat e veta, dhe ky zhvillim nuk mund t’i jepet thjesht nga jashtë. Gjatë historisë shpesh është menduar se krijimi i institucioneve mund të ishte i mjaftueshëm per t’i garantuar njerëzimit realizimin e te drejtave per zhvillim. Fatkeqësisht i është kushtuar një besim i jashtëzakonshëm këtyre institucioneve, gati ne atë masë sa ato do të mund ta arrinin objektivin e deshiruar në mënyre automatike. Në realitet institucionet e vetme nuk mjaftojnë, pasi zhvillimi njerëzor integral është para së gjithash vokacion, thirrje, pra sjell me vete marrjen lirisht dhe ne menyre solidare të pergjegjësive nga të gjithë. Një zhvillim i tillë kërkon ndër të tjera një vizion transhendent të personit, ka nevojë për Hyun: pa Atë zhvillimi mohohet ose i besohet vetëm duarve te njeriut i cili bie ne në mendjemadhësinë e vet shpëtimit dhe përfundon me ndërmarrjen e një zhvillimi cnjerëzor. Në anën tjetër vetëm takimi me Hyun lejon të mos “shohim tek tjetri gjithnje vetëm tjetrin, por të njohim në të imazhin hyjnor, duke arritur kështu të zbulojmë vërtet tjetrin dhe të arrijmë një dashuri që “kthehet në kujdes për tjetrin dhe kundrejt tjetrit.
12. Lidhja mes Populorum progressio dhe Koncilit II të Vatikanit nuk perfaqëson një cesure (pezullim) mes Magjisterit social te Palit te VI dhe atij te Papeve paraardhës, pasi Koncili perben nje thellim të këtij magjisteri në vazhdimësinë e jetës së Kishës Në këtë kuptim nuk kontribuojne në qartësimin e disa ndarjeve abstrakte te doktrinës sociale të Kishës të cilat aplikojnë në mësimin social pontifikal kategori të huaja per të. Nuk ka dy tipologji të doktrinës sociale, një para koncilit dhe nje post koncilit, të ndryshme mes tyre, por një mësim i vetëm, koherent dhe në të njejtën kohë gjithnjë i ri. Është e drejtë të vihen në dukje karakteristikat e njërës apo tjetrës Enciklikë, të mësimeve të njerit apo tjetrit papë, por duke mos e humbur asnjëherë koherencen e gjithë korpusit doktrinal. Koherencë nuk do të thotë mbyllje e një sistemi, sesa besnikëri dinamike kundrejt një drite të marrë. Doktrina sociale e Kishës ndriçon me një dritë që nuk ndryshon problemet gjithnjë të reja që dalin. Kjo ruan karakterin si ate te perhershem ashtu dhe atë historik të kësaj “pasurie” doktrinave e cila me karakteristika te saj specifike, ben pjese ne Traditen gjithnjë jetësore të Kishës. Doktrina sociale eshte ndertuar mbi bazën e transmetuar nga Apostujt Etërve të Kishës dhe më pas i pranuar dhe thelluar nga Doktorët e mëdhenj kristianë. Kjo doktrinë i drejtohet si përfundim Njeriut të ri, “Adamit të fundit që u bë shpirti i dhurimit të jetës” dhe që është princip i dashurisë, e cila “nuk do të ketë asnjeherë fund”. Është dëshmuar nga Shenjtërit dhe nga ata që kanë dhënë jetën për Krishtin Shpëtimtar në fushën e e drejtësisë dhe paqes. Në të shprehet detyra profetike e Papëve për udhëheqjen apostolike të Kishës së Krishtit dhe dallimi i kërkesave të reja të evangjelizmit. Për këto arsye Populorum progressio, futur ne rrymën e madhe të Traditës është në gjendje akoma sot të na flasë ne.
13. Përveç lidhjes së saj të rëndësishme me të gjithë doktrinën sociale të Kishës, enciklika Populorum progressio është ngushtësisht e lidhur me magjisterin e përgjithshëm të Palit të VI dhe në veçanti me magjisterin e tij social. Mësimi i tij social qe natyrisht i një rendësie të madhe: ai ritheksoi rëndësinë e pamohueshme të Ungjillit për ndërtimin e shoqërisë në bazë të lirisë dhe drejtësisë, në perspektivën ideale dhe historike të një qytetërimi i cili merr jetë nga dashuria. Pali i VI kuptoi qartësisht se si cështja sociale ishte bërë ceshtje botërore dhe mori thirrjen reciproke mes shtysës për unifikimin e shoqërisë dhe idealit kristian të një falje të vetme të popujve, solidare në vellazerinë e përbashkët. Tregues në zhvillim, i kuptuar në aspektin njerëzor dhe kristian, zemra e mesazhit social dhe propozoi bamirësinë kristiane si forcën kryesore në shërbim të zhvillimit. Pali i VI i shtyrë nga dëshira për ta bërë dashurinë ë Krishtit plotësisht të dukshme për njeriun bashkëkohor, u përball me shumë vendosmëri për ceshtje të rëndësishme ceshtje etike, pa i leshuar pe dobësive kulturore të kohës së tij.
14. Me Letren apostolike Octogesima adveniens te 1971, Pali i VI trajtoi më pas temën e kuptimit te politikës dhe të rrezikut që formojne vizionet utopiste dhe ideologjike që e paragjykonin cilësinë etike dhe njerëzore të saj. Janë argumente ngushtësisht të lidhur me zhvillimin. Fatkeqësisht ideologjitë negative lulëzojnë në vazhdimësi. Nga ideologjia teknokratike e cila eshte rrënjosur në mënyrë të veçante sot Pali i VI kishte tërhequr vëmendjen, i ndërgjegjshëm për rrezikun nëse do ti besohej i gjithë procesi i zhvillimit vetëm teknikës, pasi në këtë mënyrë do të mbetej pa orientim. Teknika në vetvete është e shumëvlerëshme. Nëse nga njera anë sot ka nga ata që priren t’ia besojnë krejtësisht këtë proces zhvillimi, në anën tjetër po asistohet në lindjen e ideologjive të cilat e mohojnë në përgjithësi vetë dobinë e zhvillimit i cili quhet radikalisht anti-njerëzor dhe mbajtës vetëm i degradimit. Kështu arrihet si përfundim të dënohet jo vetëm mënyra e shtrembëruar dhe e padrejtë me të cilat njerëzit ndonjeherë orientojnë progresin, por vetë zbulimet shkencore nëse përdoren mirë përbëjnë një mundësi rritje për të gjithë.Idea e një bote pa zhvillim shpreh mosbesim tek njeriu dhe Hyu. Pra është një gabim i madh të percmosh aftësitë njerëzore për të kontrolluar shtrembërimet e zhvillimit apo të injorosh që njeriu është si përbërje i prirur drejt «të qënit më shumë». Të absolutizosh ideologjikisht progresin teknik ose të kundrosh apo ëndërrosh utopinë e një njerëzimi të kthyer në gjendjenfillestare të natyrës, janë dy mënyra të kundërta për të ndarë progresin nga vlerësimi i tij moral, pra dhe nga përgjegjësia jonë.
15. Dy elemente te tjere të doktrinës së Palit VI jo ngushtesisht të lidhura me doktrinën sociale - Enciklika Humanae vitae, e 25 korrikut 1968, dhe Thirrja apostolike Evangelii nuntiandi, te 8 dhjetor 1975 - jane shume të rendesishme per te pervijuar kuptimin plotësisht njerëzor të zhvillimit të propozuar nga Kisha. Është pra e arsyeshme të lexohen këto tekste në lidhje me Populorum progressio.
Te Encicklika Humanae Vitae thekson domethenien bashkuese dhe të lindjes të seksualitetit duke vendosur kështu në themelin e shoqërisë ciftin e të martuarve, burre e grua që e kmirepresin njeri tjetrin ne dallime dhe plotesim; nje cift pra i hapur kundrejt jetes. Nuk behet fjalë për moral thjesht individual: enciklika Humanae vitae tregon lidhjet e forta egizistuese mes etikës së jetës dhe etikës sociale, duke inauguruan nje tematike mjeshtërore e cila ka marrë dalëngadalë formë në dokumente të ndryshme dhe së fundi në Enciklikën Evangelium vitae të papa Gjon Palit II. Kisha ofron me forcë këtë lidhje mes etikës së jetës dhe etikës sociale e ndërgjegjshme se “nuk mund të ketë baza solide një shoqeri që ndërsa afirmon vlerat si dinjiteti i njeriut, drejtesia dhe paqja – kundërshton rrënjësisht vetveten duke pranuar dhe tolleruar format nga më të ndryshme të mungeses së vlerësimit dhe dhunimit të jetës njerëzore, mbi të gjitha nëse është e dobët dhe në zgrip” .
Thirrja apostolike Evangelii nuntiandi, nga ana e saj ka një raport shumë të fortë me zhvillimin pasi «ungjillizimi - shkruante Pali i VI - nuk do të ishte e plotë nëse nuk do të merrte parasysh thirrjen reciproke që ia drejtojnë vazhdimisht njëri tjetrit Ungjilli dhe jeta konkrete, personale dhe sociale e njeriut». «Mes ungjillizimit dhe promovimit njerëzor - zhvillim, çlirim - ne fakt egzistojne lidhje të thella»: duke u nisur nga ky ndergjegjesim Pali i VI e vinte në mënyrë të qartë raportin mes shpalljes së krishtit dhe promovimit të personit në shoqëri. Dëshmia e dashurisë së Krishtit përmes veprave të drejtësisë, paqes dhe zhvillimit eshtë pjesë e ungjillizimit pasi Jezu Krishti i cili na do e ka për zemër njeriun në gjithësinë e tij. Mbi këto mësime të rëndësishme bazohet aspekti misionar i doktrinës sociale të Kishës si element thelbësor i ungjillizimit. Doktrina sociale e Kishës është shpallje dhe dëshmi e besimit. Është instrument dhe vend i domosdoshëm i edukimit.
16. Tek Populorum progressio, Pali VI ka dashur të na thotë para së gjithash se progresi është në origjinë dhe thelb një thirrje: «Në projektin e Hyut, çdo njeri është i thirrur për një zhvillim, pasi cdo jetë eshtë thirrje». Dhe pikërisht ky fakt që legjitimon ndërhyrjen e Kishës në problematikat e zhvillimit. Nëse ai do ti përkiste vetëm aspekteve teknike të jetës së njeriut dhe jo kuptimin e ecjes së tij në histori sëbashku me vëllezërit e tij, as individualizimi i qëllimit të kësaj ecjeje, Kisha nuk do të kishte të drejtën të fliste. Pali VI si edhe më pare Leoni XIII tek Rerum novarum, ishte i ndërgjegjshmë se kryentë një detyre të postit të tij duke projektuar dritën e Ungjillit mbi cështjet sociale të kohës së tij.
Të thuash që zhvillimi është thirrje, do të thotë të njohësh nga njëra anë që lind nga një thirrje trashendente, dhe në anën tjetër se është i papaftë të japë vetë domethënien e fundit. Jo pa arsye fjala «thirrje» perdoret edhe në një pasazh tjetër të Enciklikës ku theksohet: «Nuk egziston një humanizëm i vërtetë nëse nuk është i hapur kundrejt Absolutes, në njohjen e një thirrjeje të cilën e ofron ideja e vërtetë e jetës njerëzore. Ky vizion i zhvillimit është zemra, thelbi i enciklikës Populorum progressio dhe motivon të gjitha refleksionet e Palit VI mbi lirinë, mbi të vërtetën dhe bamirësinë në zhvillim. Është dhe arsyeja kryesore për të cilën kjo Enciklikë është akoma aktuale në ditët e sotme.
17. Prirja është një thirrje që kërkon një përgjigje të lirë dhe të ndërgjegjshme. Zhvillimi njerezor integral supozon lirinë e përgjegjshme të personit dhe popujve: asnje strukture nuk mund ta garantoje këtë zhvillim jashtë dhe përtej përgjegjësisë njerëzore. Mesianizmat e mbushur me premtime, por fabrikues të iluzioneve i bazojnë propozimet e veta mbi mohimin e dimensionit trashendent të zhvillimit, në sigurinë se e kanë të gjithë në dispozicionin e tyre. Kjo siguri false kthehet në dobësi, pasi sjell skllaverimin e njeriut të kthyer në mjet për zhvillimin, ndërsa përulësia e atij që pranon një thirrje, prirje kthehet ne autonomi të vertetë, pasi e bën të lirë njeriun. Pali VI nuk ka dyshime se pengesat dhe kushtezimet frenojnë zhvillimin, por është dhe i sigurte që «gjithkush cilatdo qofshin influencat që veprojnë mbi të, autor i arritjeve të tij apo e falimentimit» . Kjo liri ka të bëjë me zhvillimin që kemi para nesh, por njekohësisht ka të bëjë edhe me situatat e nënzhvillimit të cilat nuk janë fryt i rastit apo e një domosdoshmëria historike, por varen nga përgjegjësia njerëzore. Është kjo arsyeja për të cilën «popujt e urisë pyesin sot në mënyrë dramatike popujt e kamjes». Edhe kjo është prirje, një thirrje e drejtuar nga njerëz të lirë njerëzve të lirë për marrjen e përbashkët të një përgjegjësie. Perceptimi i rëndesisë së strukturave ekonomike dhe e institucioneve qe i gjallë tek papa Pali VI, por po aq e qartë qe tek ai perceptimi i natyrës së tyre si instrumenta të lirisë njerëzore. Vetëm nëse është i lirë zhvillimi mund të jetë plotësisht njerëzor; vetëm në një regjim të lirisë së përgjegjshme ai mund të rritet në mënyrë të përshtatshme.
18. Zhvillimi njerëzor i pergjithshëm si prirje perveç lirisë, kërkon edhe që të respektohet e vërteta.Prirja për progres i shtyn njerëzit « të bëjnë, të njohin dhe të kenë më tepër, për të qënë më lart, më shumë » . Por ja ku është problemi: ç’domethenie ka « të jesh më shumë, më lart »? Pyetjes Pali i VII përgjigjet duke treguar tiparet kryesore të « zhvillimit autentik »: ai « duhet të jetë integral, me fjalë të tjera i drejtuar kundrejt promovimit të çdo njeriu dhe e njeriut në përgjithësi. » Në konkurrencen mes vizioneve të ndryshme të njeriut të cilat ofrohen në shoqerine e sotme, akoma më tepër se në ate të Palit të VI, vizioni njerëzor ka veçantinë të afirmojë dhe të justifikojë vlerën e pakushtëzuar të personit njerëzor dhe kuptimin e rritjes së tij. Prirja kristiane për zhvillim ndihmon në ndjekjen e promovimit të të gjithë njerëzve dhe e njeriut në përgjithësi. Pali i VI shkruante kështu: « Ajo që ka vlerë për ne eshtë njeriu, çdo njeri, çdo grup njerëzish, deri sa të përqafojmë gjithë njerëzimin » . Besimi kristian merret me zhvillimin jo duke u bazuar në privilegjet apo në pozitat e pushtetit dhe as ne meritat e të krishterëve, që megjithatë kanë qenë dhe janë akoma sot pranë limiteve natyrore, por bazohet vetëm mbi Krishtin dhe Atij i referohet çdo prirje autentike për zhvillimin njerëzor integral. Ungjilli është element thelbësor i zhvillimit pasi në të Krishti « duke zbuluar misterin e Atit dhe dashurisë së tij, i zbulon plotësisht njeriut njeriun » . E stervitur nga Ati i saj, Kisha vëzhgon shenjat e kohërave i interpreton dhe i ofron botës « atë që vetë posedon: një vizion global të njeriut dhe të njerëzimit » . Pikërisht pse Hyu shqipton “po-ne” më të madhe për njeriun, njeriu nuk mund të mos i hapet prirjes hyjnore për të realizuar zhvillimin e vet. E verteta e zhvillimit konsiston në integralitetin, terësinë e tij: nëse nuk është e gjithë njeriut dhe e çdo njeriu, atëherë zhvillimi nuk është zhvillim i vërtetë. Ky është mesazhi thelbësor i enciklikës Populorum progressio, i vlefshëm sot dhe gjithnjë. Zhvillimi njerëzor integral në planin natyror, si përgjigje e një prirjeje të Hyut krijues, kërkon vërtetësinë e tij « në një humanizëm trashendent që ... i jep [njeriut] plotesinë e tij më të madhe: ky është qëllimi i fundëm suprem i zhvillimit personal » . Prirja kristiane kundrejt këtij zhvillimi ka të bëjë pra si me planin natyror ashtu dhe me atë mbinatyror; arsye për të cilën « kur eklipsohet Hyu aftesia jonë për të njohur rregullin natyror, qëllimin dhe të “mirën” fillon dhe zbehet » .
19. Së fundi, vizioni i zhvillimit si prirje sjell përqendrimin e dashurisë në të. Pali i VI ne Enciklikën Populorum progressio vërente se shkaqet e nënzhvillimit nuk janë fillimisht materiale. Ai na fton t’i kërkojmë në dimensione të tjera të njeriut. Tek vullneti para së gjithash, i cili shpesh nuk i ndjek detyrat e solidaritetit. Tek mendimi në radhe të dytë, që jo gjithnjë di ta orientojë vullnetin në mënyrën e duhur. Për këtë arsye në ndjekjen e zhvillimit, duhen « njerëz të mendimit të aftë për një reflektim të thellë, të cilët i janë kushtuar kërkimit të një humanizmi të ri që i lejon njeriut modern të rigjejë vetveten » . Por nuk është gjithçka. Nën zhvillimi ka një arsye edhe më të rëndësishme se mungesa e mendimit: është « mungesa e vellazerisë mes njerëzve dhe popujve » . Po këtë vellazëri njerëzit do të munden ta arrijnë të vetëm. Shoqëria gjithnjë e më e globalizuar na bën të jemi afër por nuk na bën vëllezër. Vetëm arsyeja është në gjendje të kuptojë barazinë mes njerëzve dhe të vendosë një bashkëjetesë qytetare mes tyre, por nuk arrin të krijojë vëllazërinë. Kjo e ka origjinën nga një thirrje trashendente e Hyut Atë që i pari na deshi duke na mësuar përmes Birit se ç’eshte dashuria vëllazërore. Pali i VI duke paraqitur nivelet e ndryshme të zhvillimit të njeriut, vinte në majë, pasi kishte përmendur besimin, « bashkimin në dashurinë e Krishtit që na therret të gjithë të marrim pjesë si bij në jetën e Hyut të gjallë, Atit të të gjithë njerëzve » .
20. Këto perspektiva të hapura nga enciklika Populorum progressio, mbeten thelbësore për t’i dhënë hapësirë dhe orientim angazhimit tonë për zhvillimin e popujve. Enciklika Populorum progressio, nënvizon në vazhdimësi urgjencën e reformave dhe kërkon që përballë problemeve të mëdha të padrejtesisë në zhvillimin e popujve të veprohet me kurajo dhe pa hezitim. Kjo urgjencë është e diktuar edhe nga dashuria për të vërtetën. Është dashuria e Krishtit që na shtyn: « caritas Christi urget nos » Urgjenca është e dukshme jo vetëm tek sendet, nuk rrjedh vetëm nga shtrengesa e ngjarjeve apo problemeve, por edhe nga vetë trofeu i gares: realizimi i një vellazërie autentike. Rëndësia e këtij objektivi është e tillë sa të kërkojë hapjen tonë deri në thellësi për tu mobilizuar konkretisht “me shpirt” në mënyrë që proceset ekonomike dhe sociale aktuale të shkojnë drejt zgjidhjeve krejtësisht njerëzore.
KAPITULLI DYTE
ZHVILLIMI NJEREZOR NË KOHEN TONE
21. Pali i VI kishte një vizion të rrjedhshëm mbi zhvillimin. Me termin « zhvillim » donte te tregonte objektivin per t’i nxjerre popujt para së gjithash nga uria, nga mizerja, nga semundjet endemike dhe nga analfabetizmi. Nga pikepamja ekonomike, kjo kishte si domethënie pjesemarrjen e tyre aktive dhe në kushte barazie ne procesin ekonomik nderkombetar, nga pikepamja sociale, evolucioni i tyre drejt shoqerive te arsimuara dhe solidare; nga pikepamja politike, konsolidimi i regjimeve demokratike ne gjendje te sigurojne lirine dhe paqen. Pas shume vitesh ndersa shohim me shqetësim zhvillimet dhe perspektivat e krizave qe ndjekin njera tjetren në këto kohë, pyesim veten sa janë realizuar ato, çfare priste Pali i VI nga modeli i zhvillimit qe është adoptuar ne dhjetevjecaret e fundit. Verejme nderkaq se ishin te bazuara shqetesimet e Kishes mbi aftesitë e njeriut vetem teknologjik per t’i dhene vetes objektiva realiste dhe per te administruar gjithnje ne menyre te pershtatshme instrumentet qe ka ne dispozicion. Perfitimi eshte i dobishem nese si mjet eshte orientuar drejt nje qellimi qe t’i jape nje kuptim si mbi prodhimin ashtu dhe si duhet ta perdore. Objektivi ekskluziv i perfitimit nese eshte i prodhuar keq dhe pa iu referuar së mirës së perbashket si qellim i fundit, rrezikon te shkaterroje pasurine dhe te krijoje varferi. Zhvillimi ekonomik që aspironte Pali i VI duhet te ishte i tille qe te prodhonte nje rritje reale, e shtrire tek te gjithe dhe konkretisht e mbeshtetur. Eshte e vertete se zhvillimi ka qene dhe vazhdon te jete nje faktor pozitiv i cili ka larguar nga mizeria miliarda njerez, dhe se fundi i ka ofruar shume Vendeve mundesine per tu bere aktorë efikasë të politikës nderkombetare. Megjithate duhet te dime se vete zhvillimi ekonomik ka qene dhe vazhdon te jete i renduar nga shtremberime dhe probleme dramatike, te cilat dalin më ne pah nga situata aktuale e krizes. Ajo na ve ne menyre te pashtyshme perballe zgjedhjeve qe i perkasin gjithnje e me shume vete fatit te njeriut , por ai nuk mund te lere menjane natyren e tij. Forcat teknike, nderrelatat planetare, efektet shkaterruese te nje aktiviteti finanziar te keqperdorur dhe per me teper spekulativ mbi ekonomine reale, flukset e medha të imigracionit shpesh te provokuara dhe më pas jo te administruara siç duhet, shfrytezimi i çrregullt i resursve tokesore, na shtyjne sot te reflektojme mbi masat e nevojshme per t’i dhene zgjidhje problemeve jo vetem te reja ne krahasim me ata te trajtuar nga Papa Pali i VI por edhe mbi te gjitha, masave me impakt vendimtar per te miren e tanishme dhe te ardhme te njerezimit. Aspektet e krizes dhe zgjidhjet e saj si dhe e nje zhvillimi te ri te mundshem ne te ardhmen, jane gjithnje te nderlidhura mes tyre, kerkojne perpjekje te reja kuptimi te perbashket dhe nje sinteze te re humaniste. Kompleksiteti dhe mprehtesia e situates ekonomike aktuale me te drejte na shqeteson, por duhet te marrim persiper me realizem, besim e shprese pergjegjesite e reja drejt te cilave na therret skenari i nje bote qe ka nevoje per nje rinovim te thelle kulturor dhe rizbulimin e vlerave baze mbi te cilat te ndertohet nje e ardhme me e mire. Kriza na detyron te riprojektojme rrugetimin tone, te veme rregulla te reja dhe te gjejme forma te reja angazhimi, te synojme drejt eksperiencave pozitive dhe hedhjes poshte te atyre negative. Kriza behet keshtu mundësi gjykimi dhe projektimesh te reja. Ne kete kendveshtrim, me besim me shume se te nenshtruar, eshte e arsyeshme te përballohen veshtiresite e momentit aktual.
22. Sot kuadri i zhvillimit eshte policentrik. Aktoret dhe shkaqet si te nenzhvillimit ashtu dhe ato te zhvillimit jane te shumta, fajet dhe meritat jane te diferencuar. Kjo e dhene duhet të na shtyjë të çlirohemi nga ideologjite që e thjeshtësojnë në mënyre shpesh artificiale realitetin, dhe te binde per te ekzaminuar me objektivitet trashesine njerezore te problemeve. Vija ndarese mes vendeve te pasura dhe te varfera nuk eshte me aq e dallueshme si ne koherat e enciklikes Populorum progressio, sipas asaj çka kishte vene ne dukje Gjon Pali II. Rritet pasuria boterore ne terma absolutë, por rriten pabarazitë. Në Vendet e pasura kategori të reja sociale varfërohen dhe lindin varfëri te reja. Në zona më të varfëra disa grupe gezojnë një lloj mbizhvillimi plangprishes dhe konsumist qe është në mënyrë te paparanueshme me situata mizerjeje çnjerëzore të vazhdueshme. Vazhdon « skandali i padrejtesive të bujshme » . Korrupsioni dhe paligjshmëria jane fatkeqësisht te pranishme si ne sjelljet e subjekteve ekonomike dhe politike te Vendeve te pasura, te reja dhe te vjetra, ashtu dhe ne vete Vendet e varfera. Ato qe nuk respektojne te drejtat njerezore te punetoreve jane ndërmarrjet transnacionale dhe grupe te prodhimit lokal. Ndihmat nderkombetare shpesh jane larguar nga qellimet e tyre, si rrjedhoje e papërgjegjshmërive që mblidhen si ne zinxhirin e subjekteve dhurues ashtu dhe në të atyre përfitues. Edhe ne kuadrin e shkaqeve jo materiale apo kulturore te zhvillimit dhe nenzhvillimit mund te gjejme të njejtin nyjezim pergjegjesish. Ka forma eksesive te mbrojtjes së njohjes nga vendet e pasura permes nje perdorimi shume te ngurte te së drejtes intelektuale, veçanerisht ne fushen shendetesore. Ne te njejten kohe ne disa Vende te varfera mbeten akoma modele kulturore dhe norma sociale sjelljeje qe e ngadalesojne procesin e zhvillimit.
23. Shume zona te planetit, sot, megjithese ne menyre problematike dhe jo homogjene, jane zhvilluar, duke hyre ne grupin e forcave te medha te destinuar te luajne role te rendesishme ne te ardhmen. Megjithate duhet nenvizuar se si nuk eshte e mjaftueshme te zhvillohesh vetem nga pikepamja ekonomike e teknologjike. Duhet qe zhvillimi te jete, para se gjithash, i vertete dhe integral. Dalja nga prapambetja ekonomike, nje e dhene ne vetvete pozitive, nuk e zgjidh problematiken komplekse te promovimit te njeriut, as per Vendet protagoniste te ketyre hapave perpara, as edhe per vendet ekonomikisht tashme te zhvilluar, nuk e zgjidh edhe per vendet akoma te varfera te cilet mund te vuajne, perveç formave te vjetra te shfrytezimit edhe rrjedhojat negative qe vijne nga nje rritje e dallueshme nga shtremberimet dhe dizekuilibret.
Pas renies se sistemeve ekonomike dhe politike te vendeve komuniste te Europes Lindore dhe fundit te te ashtuquajturve “blloqe te kundert”, do te ishte e nevojshme nje rikujtese e pergjithshme e zhvillimit. I kishte kerkuar Papa Gjon Pali II i cili ne 1987 kishte treguar ekzistencen e ketyre “blloqeve” si nje nga shkaqet kryesore te nenzhvillimit, pasi politika i hiqte resurset ekonomise dhe kultures dhe ndalonte lirine. Ne vitin 1991 pas ngjarjeve te 1989, ai kerkoi qe edhe pse fundi i “blloqeve”, i korespondonte nje riprojektimi global te zhvillimit, jo vetem ne ato Vende por edhe ne perendim dhe ne ato pjese te botes qe po zhvilloheshin. Kjo ka ndodhur vetem pjeserisht dhe vazhdon te jete nje detyre reale se ciles duhet t’i jepet kenaqesi, ndoshta duke perfituar pikerisht nga zgjedhjet e domosdoshme per te tejkaluar problemet ekonomike aktuale.
...