E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezi Skifteri - Dashuria dhe gracka ...e shoqes së ngushtë

 

Anila mema

Si gjithmonë me
    taka të larta,
    ngjyra që
    feksin, bustrier
    jeshil, xhinse të
    zbehta, të gjera me xhepa shumë, sandale po jeshile, e buzëkuq pink. Kjo është silueta e stilistes së njohur Rezarta Skifterit, në një ditë të zakonshme, në atelienë e saj, pranë rrugës së Elbasanit në kryeqytet. Paraditeve deri gjashtës së pasdites, aty e gjen, duke hedhur ndonjë model në letër, a duke rregulluar ndonjë fustan, klientëve të sapoardhura për provën e radhës. Është fillim sezoni, ndonëse me përtesë, por puna ka ditë që ka nisur për të. Ndryshe nga vitet e tjera, pushimet këtë vit i ka shijuar pa masë, por sërish ndryshe nga herët e tjera, këtë vit ka bërë më pak. Ca më tepër nuk do ishin keq, projektet si për të edhe për të shoqin,avokat i njohur Eugen Papandile, kanë kohë që kanë nisur. Megjithatë pasditet, fundjavat shëtitje me makinë, jashtë Tirane apo në vendet përreth mund të zëvendësojnë fare mirë, ditët mangët të pushimeve. Por si ka qenë kjo verë për familjen e saj, ku i kaluan pushimet, cila është marrëdhënia e saj me vajzën tre-vjeçare Sara, evoluimi i saj ndër vite, projektet e pse jo veshjet, bizhutë, çantat a parfumet e preferuara të stilistes. Lexojini në këtë intervistë.
Rikthim pas pushimesh... Si ka qenë kjo verë për ju?
Kësaj vere unë kam bërë më pak pushime se çdo herë tjetër, për shkak të punës. Gjithsesi, vera më shkoi shumë mbarë këtë sezon. Mund të them se ka qenë një nga verat që u kënaqa më shumë, pasi u mundova që këto tri javë të mos lija asnjë ditë pa organizuar. Ishim në Turqi me familjen, motrën dhe familjen e saj. Ia kaluam mirë. Pas këtyre pushimeve dhjetëditore në Turqi, shkuam në një nga ishujt në Selanik. Ditët e tjera i kemi kaluar këtu jashtë Tirane.
Ishin pushime shumë aktive dhe fizikisht nuk ndihem dhe aq e çlodhur, sepse nuk qëndronim një moment në shtëpi.
Çfarë kishin këto pushime, diçka të veçantë?
Aaa, po. Do t’ju tregoj se kam fluturuar me parashutë. U ngjitëm në një lartësi të tillë që ishte sa pesë herë 15- katëshi. S’e kisha provuar më parë, ishte një eksperiencë e bukur. Kjo ishte një nga gjërat që kam bërë këtë vit, sepse përgjithësisht çdo vit bëj ndonjë të tillë.
S’mund të mos ju pyesim për vajzën tuaj...
Është e vogël. Për 5 minuta duket sikur mes nesh po funksionon një marrëdhënie shoqërore. Por pastaj, sa hap e mbyll sytë, ajo kthehet në moshën e vet dhe bën rrëmujë, bën zhurmë, shkatërron gjithë shtëpinë. Për disa minuta t’i nuk e njeh më shtëpinë tënde, aq shumë përmbysje bën ajo.
Ka momente që vërtet kënaqem duke biseduar me të. Mos u çudisni, edhe pse ajo është vetëm 3 vjeçe, ndodh kështu. Gjithsesi, jemi në të dy, unë dhe im shoq që përpiqemi, siç i thonë, t’i vijmë pas fijes. Ama, ndodh që këtë gjë ta bëjë ajo, ta në vijë ne pas fijes.
Kthehuni pas në kohë, tre vite. Kur vajza juaj lindi...
...dita e parë kur lindi vajza, unë dhe bashkëshorti im rrinim sipër djepit (tip krevat djep) dhe e shihnim të çuditur, ç’ishte ai beb që ishte në shtëpinë tonë dhe nuk na besohej që ishte yni. Ishte shumë e bukur, por shumë e lodhshme, tepër e lodhshme. Muajt e parë me vajzën ishin të tillë, pasi ajo ishte një fëmijë që flinte ditën dhe rrinte zgjuar gjithë natën. Kishte ngatërruar rolet e ditës me natën, dhe ne bënim të kundërtën. Ishte tepër e lodhshme kjo gjë, por e bënim me radhë, një herë unë një herë im shoq.
Sa kanë mbetur në mendjen tuaj “herët e para” të vajzës?
Tërësisht. Më kujtohet kur ka bërë gu-gunë e parë, mbaj mend vaksinën e parë, kam ruajtur veshjen që ka pasur për vaksinimin e parë, kam ruajtur flokët e para të saj, një bishtalec të vogël që ia kam prerë, kam ruajtur qiririn e parë, të dytin dhe të tretin ia ruaj...
Unë dua t’i mbaj këto gjëra, që kur të rritet të kujtojë dhe unë pak a shumë t’i shpjegoj kohën kur ka qenë e vogël.
Kur ka ecur?
Kur ka hedhur hapat e parë kemi qenë në Pogradec dhe ditëlindja e saj e parë është bërë në Pogradec. Aty po bënim pushimet dhe ajri i pastër i Pogradecit i bënte mirë fëmijës.
Nënat shpesh thonë se fjala e parë e bebes së tyre ka qenë “ma”. Mos ndoshta mendoni edhe ju kështu?
Pse jo? Ime bijë fjalën e parë e ka thënë ‘ma’, më pas ‘ba’.
Kujt i ngjason?
Nga bashkëshorti ka marrë gjithçka, i ngjason totalisht atij. Nga unë ka marrë karakterin, ose më mirë të them, kur bëhet fjalë për karakterin, ka më shumë prej meje se sa prej të atit/ama nga pamja, Sara s’ka asgjë timen. Është bardhoshe në portret, por në të gjitha tiparet i ngjan Genit. Shpresoja të më ngjante nga ngjyra e syve, por edhe aty nuk kam shanse.
Jeni një mama vëzhguese? Përpiqeni të kuptoni prirjet e vajzës tuaj që tani?
Po, e shoh që ka qejf gjërat e bukura, tërhiqet gjithnjë nga gjërat e tualetit, veshjet i pëlqejnë. Më duket sikur i pëlqen të bëjë modelen. Të gjithë vajzat e vogla kanë qejf të bëjnë nga këto gjëra, por mua më ka bërë përshtypje njëherë, kur vesha një bluzë dhe vura një rrip në mes ajo më tha: Mama ç’e ke këtë rrip, s’e kam parë. Ndërkohë që ajo është akoma fëmijë fare i vogël. Kur hap gardërobën e Sarës (që është më e madhe se e imja) dhe i them hajde të të vesh, ajo që ma kthen: “Jo mama, do e zgjedh vetë ça do vesh”.
Domethënë ju mendoni se do të trashëgojë prej jush profesionin?
Kjo do shihet më vonë, por unë tani për të mendoj që të rritet e shëndetshme. Përpiqem që të mos lerë asgjë t’i mungojë, të bëj maksimumin që të rritet e qetë dhe me shumë dashuri. Pastaj profesionin do ia lemë asaj të zgjedhë si të dëshirojë. Jo, nuk do të ndikoj absolutisht.
Jeni një mama posesive?
Kur ka lindur Sara kam qenë shumë posesive, e teproja më shumë se ç’duhet, por s’e vija re. Tani mendoj se e kam lodhur pak, me përkujdesjet e ekzagjeruara, me gramaturat e ushqimit, me këmbënguljen që ajo të bënte orët e duhura të gjumit. Them se do të ketë ndikuar tek ajo edhe shqetësimi im i tepërt nëse ajo nuk hante sa duhet apo flinte sa duhet. Familjarët e mi e vinin re. Më thoshin që të hiqja dorë, por unë s’i dëgjoja. Tani që Sara është rritur, jam më e qetë në këtë drejtim, e lë pak më të lirë me gjërat që i pëlqejnë asaj. Tani jo, nuk mund të quhem nënë posesive.
  Sa kohë të ditës viheni në dispozicion të familjes?
Unë deri në orën 9 e 30 jam në shtëpi dhe pastaj kthehem sërish në orën 5 e 30 apo 6 e 30, varet sa zgjat puna. Por mundohem që rreth kësaj ore të jem në shtëpi. Të mos e teproj. Nuk mund të rri pjesën tjetër të ditës pa parë familjen. Kështu që mundohem ta ndërpres punën.
Në shtëpi ju pret Sara?
Jo vetëm. Unë kam bërë një pakt me veten time dhe me bashkëshortin. Që të dy në një orë të caktuar, duhet të ndërpresim punën, ai në orën e tij zyrtare, dhe unë duhet ta ndjek nga mbrapa, në këtë orë ose një orë më pas maksimumi. Duam të dy të jemi në shtëpi për t’u marrë me vajzën, apo qoftë edhe për të pirë një kafe të tre. Gjithsesi Geni kthehet përpara, që do të thotë se në shtëpi gjej time bijë dhe tim shoq.
Çfarë ka ndryshuar në marrëdhënien bashkëshortore, koha, shndërrimi në prindër, apo prania e një fëmije?
Nuk ka ndryshuar asgjë mes nesh. Vazhdojmë të shohim familjen padiskutim, por edhe qejfin, edhe të dalat... nuk i kemi lënë pas dore.
Profesionet tuaja s’kanë asnjë pikë të përbashkët. Përbën ndonjë problem një gjë e tillë?
Kjo mendoj se s’ka rëndësi. Më tepër të rëndësishme janë karakteret. Ne në shumë pika mendojmë njëlloj, jemi tipa të ngjashëm. Ka edhe raste kur jemi kundër. Ama mund të them se për mua im shoq është një mbështetje që më ofrohet gjithnjë sa herë më duhet. Sa për profesionet. Le të jenë të ndryshme, të largëta. Ndoshta është më mirë kështu.
Kur do të vijë fëmija i dytë?
Për momentin është herët. Për më vonë do mendojmë akoma.

GeNi, avokati i marrosur pas stilistes sE bukur

E kujtojmë shpesh. Madje, edhe para dy ditësh e kujtuam. Ajo ka qenë ditë e çuditshme për mua, sepse për atë ka qenë shumë e bukur. Ai më ka pikasur. Unë s’e kisha vënë re, edhe pse rrinim për një periudhë të gjatë në një ambient të përbashkët, në lokal. Nëpërmjet një mikeshës sime dhe shokut të saj të ngushtë, që është dhe shoku i bashkëshortit tim, kishin kurdisur një plan. Sepse unë isha dhe jam ajo natyrë që nuk para kam qejf që këto gjëra të më bëhen nga të tjerët. Thjeshtë kisha lënë për të pirë kafe me shoqen time, kur shoh dhe dy të tjerë me të. Mendova se do kishte diçka dhe u nxeha. Por pastaj insistimi i bashkëshortit tim të ardhshëm dhe muhabeti i cili ishte shumë i këndshëm filloi të më lëkundte dhe harrova inatin e momentit.
Më pas nisën takimet, njohja më e thellë. Nga ana e prindërve të mi nuk kisha asnjë lloj pengese... Unë kam qenë dhe jam një natyrë “me këmbë në tokë”. Jam e qejfit, haresë, preferoj shumë udhëtimet, sidomos me makinë, jam shumë e shoqërisë, por te pjesa sentimentale jam me këmbë në tokë. Dhe bashkëshorti im, është lodhur pak, madje atë thoshte gjithmonë: vetëm ndjenja që kisha për ty se më ke lodhur shumë. Megjithatë impakti i parë ka qenë tek unë. Pata një ndjesi nga brenda. Lidhja jonë zgjati tre vjet e gjysmë, pastaj erdhi fejesa. Kjo ishte shumë tradicionale. Ne të dy menduam të bënim diçka shumë të vogël, por përfunduam në një festë të madhe. Pastaj martesa dhe shtatzënia ime që erdhi menjëherë më pas. Ndodhi shumë shpejt, bebi na erdhi si dhuratë pas martese. 

Gardëroba vetjake e stilistes

xhinset
Në gardërobën e saj të veshjeve të ditës, Rezi Skifteri mban shumë xhinse, të gjitha stilet e tyre. Bluzat i kërkon dhe i ka praktike. T-shirt sidoqoftë bluza sport. 100 për qind sport ose pak të ndërthurura me ndonjë element modern.
Sa për veshjet e mbrëmjes, janë pantallona të formave të çuditshme. Taftaja është materiali i saj i preferuar. Por edhe materialet elastike. Kurse fustanet janë treçerekëshe deri te gjuri, nuk ka të shkurtra, nuk ka të gjatë. Dekolteja është e theksuar, por mund të kenë dhe  një hapje në kurriz të ekzagjeruar.

kepucet
Sa për skarpierën thotë se e ka të tejmbushur me këpuce a sandale me taka. Gjithnjë i preferon ta larta. Sa për format, aty duhet ndalur pak për t’i specifikuar, pasi janë shumë të çuditshme. “Nuk i kam pëlqyer kurrë sandalet apo këpucët klasike”. Po aq të pazakonta janë edhe ngjyrat e forta, të feksura. Ashtu siç në përgjithësi janë ngjyrat e gardërobës së Rrezarta Skifterit. Ngjyrat janë pasioni i saj. “Mbaj shumë pak kolore të errëta dhe përveç ngjyrave dhe kontrasteve të forta preferoj dhe të hirtën”, thotë. Madje e hirta është e preferuar prej saj d eh t-shirte në këtë ngjyrë i ka të shumta. “Të paktën tani që jam bërë bionde”, thotë duke pasur parasysh kombinimin.

Bizhu
Nëse dikush do të kërkonte të përshkruante Rezi Skifterin, apo stilin e saj, nuk kishte se si të harronte bizhutë. Gjithnjë të mëdha, me ngjyra të forta po se po, binin që larg në sy. Ama kjo i takon të shkuarës. Për momentin stiliste thuajse ka bërë dorëheqje. Jo se ka zëvendësuar bizhutë e mëdha me të vogla apo të imta, por i ka hequr pothuajse krejt. “Pothuajse nuk i mbaj. Vathët, unazat, thuajse i kam hequr fare”, thotë.

CANTAT & Make Up
Çantat janë portofol fare të vegjël, ose baule të mëdha. Nuk ka të mesme, sepse i duket klasike. Nuk e do klasiken.

Markat që zgjedh për make up janë “Mak”, ose “Vishi”. Kremrat i ka të mars “Ester Lauder”, kurse parfumi i preferuar është “Marc Jacobs”,
Buzëkuqet i përdor të lëngshëm dhe vajorë. Me kontraste të forta, por mat. Asnjëherë me shkëlqim, ngjyrat e forta me shkëlqim nuk i pëlqejnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›