Maqedoni, mbyten 15 turistë
Mbytja e 15 turistëve në liqenin e Ohrit gjatë ditës së djeshme nuk mund të merrte tjetër emër përveçse tragjedi. Anija turistike “Ilinden” është fundosur brenda pak sekondave, ndërsa po lundronte në drejtim të kompleksit turistik “Shën Naumi”, që ndodhet në ujërat e liqenit. Shkaku i fundosjes së anijes thuhet të jetë mbingarkesa me turistë, gjë që kishte bërë që anija të ndahet në dy pjesë. Dëshmitarët në breg treguan për mediat se kanë dëgjuar gra të bërtisnin nga anija 200 metra larg bregut. Anijet e tjera të turistëve, “Kristina” dhe “Aleksandria”, por edhe shumë varka të vogla janë afruar menjëherë për të ndihmuar turistët. Shumë turistë u shtruan në spital. Kjo është tragjedia më e madhe që ka ndodhur në liqenin e Ohrit deri më sot. Dëshmitarët thonë se nëse dy anijet e tjera me varka, “Alexandria” dhe “Kristina” nuk do të ishin afruar për të ndihmuar turistët, numri i viktimave do të ishte dy herë më i madh. Anija lundronte në ujërat e Ohrit prej 85 vitesh, njofton agjencia “Fokus”. Ajo është prodhuar në Gjermani në vitin 1924 dhe ishte pjesë e flotës së mbretërisë serbe-kroate-sllovene. 20 vite më parë ajo nuk punoi më. U riparua dhe u përshtat për të lundruar drejt Shën Naumit, për distanca të shkurtra. Dimitar Fileski është pronari i anijes dhe djali i tij 23-vjeçar, Sotiri ishte kapiteni. “Ilinden” kishte kapacitet të transportonte vetëm për 45 pasagjerë. Anija kishte marrë leje lundrimi nga Ministria maqedonase e Transportit dhe komunikimit më 23 maj. Leja skandonte një vit më vonë. Sipas informacioneve paraprake anija ishte e mbimbushur, në bord ishin 73 pasagjerë. Qeveria e Maqedonisë shprehu keqardhje për fatkeqësinë e ndodhur dhe shumë ministra të kabinetit qeveritar ndodhen në Ohër për të koordinuar aktivitetet e nxjerrjes së viktimave dhe trajtimin e duhur të të mbijetuarve. Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka dërguar në vendngjarje ministren e Brendshme Gordana Jankulovska, atë të Transportit, Mile Janakieski, ministrin e Mbrojtjes, Zoran Konjanoski dhe të Shëndetit, Bujar Osmani.
Ditë zie
Qeveria maqedonase mbajti një seancë të jashtëzakonshme të shtunën pasdite për shkak të incidentit në liqenin e Ohrit. Qeveria ka vendosur ta deklarojë ditë zie kombëtare këtë të diel për tragjedinë që ndodhi. Ministri i Mbrojtjes në Maqedoni, Zoran Konjanovski, tha se kushtet teknike të anijes ishin të mira, por druhet se ajo transportonte më shumë njerëz se sa lejohej. Informacionet zyrtare flasin për 15 viktima, por trupa të tjerë janë deklaruar të humbur. Ministrja e Brendshme maqedonase, Gordana Jankulovska, tha se në bord ishin 73 njerëz, por të dhënat nuk janë përfundimtare. Deri tani janë shpëtuar 50 njerëz. Pjesa më e madhe e 73 pasagjerëve janë bullgarë. 7 persona janë shtruar në spital. Ata do të kthehen në Bullgari me avionin qeveritar ose xhetin presidencial. Të gjitha viktimat bullgare do të dërgohen në Bullgari për autopsinë. Në mbrëmje në liqenin e Ohrit mbërriti edhe Presidenti bullgar, Georgi Parvanov, përveç një delegacioni qeveritar që kishte mbërritur pak orë pas tragjedisë. Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov dhe kryeministri Nikolla Gruevski ndodheshin në vendngjarje.