Inva Mula, një shqiptare në Paris dhe një nga ambasadoret më të shquara të këngës franceze
Në revistën e shtator-tetorit Në Skenë (En Scène), është botuar së fundmi një shkrim i kritikut muzikor francez Christophe Ghristi, në prag të vënies në skenë të Operas Mireille të kompozitorit Charles Gounod. Opera e cila vihet për herë të parë në skenë më 14 shtator në historinë e operas të Palais Garnier, do të transmetohet drejtpërdrejt në TV.
Shkrimi i plotë Christophe Ghristi
"Micaela, Manon, Antonia, Thaïs dhe tani Mireille… Gjatë disa viteve, soprano nga Tirana është bërë një nga ambasadoret më të shquara të këngës franceze". Pothuajse po bëhen 20 vjet që Inva Mula jeton në Francë. Ajo e ka treguar se ç’përfaqëson kjo kohë e mrekullueshme për të. E lindur në Tiranë, ajo u rrit në një familje artistësh: nëna e saj është dhe ajo soprano, ndërsa i ati, kompozitor. Pra në mënyrë të natyrshme ajo vendosi t’i kushtohet këngës, ku mësimet e para i mori nga nëna e saj. Dhe veçse në moshën 23 vjeçare, pas një audicioni të arrirë ajo mundi të këndonte Traviatta-n në Operan e Tiranës dhe për disa vjet interpretoi role të tjera si Lejla në Peshkatarët e Perlave apo Xhilda (Gilda). Një bursë i bëri të mundur të vinte e të studionte në Paris…
Në fillim ajo ishte disi e humbur, meqë nuk fliste frëngjisht, me një profesoreshë që nuk arriti ta ndihmonte siç duhej… Pothuajse rastësisht ajo konkuroi për korrin e Operas së Bastille-s dhe u angazhua në korr. Dhe ja, ajo mësoi se si funksiononte shtëpia e madhe e Operas, duke parë në skenë këngëtarët e saj të preferuar… Por Inva Mula kërkoi tjetër gjë, diçka më shumë Ajo tentoi të konkurojë në konkursin "Plaçido Domingo" të cilin e fitoi dhe karriera e saj e madhe filloi: në Evropë si dhe në Los Angelos, ku tenori madrilenas, Domingo ishte dhe drejtues i kësaj opere. Ajo këndoi atje në operat Don Pasquale, Boheme apo Dasma e Figaro-s. Në atë kohë, në Francë, ajo zëvëndësoi në momentet e fundit një “Xhilda” problematike në skenën e operas së Marsejës dhe ja ku u gjënd në skenë me Leo Nuçi-n, i cili e ftoi menjëherë në Verona… Por Opera Bastijë është besnike me të, duke e angazhuar për rolet Frascita apo Michaela të Carmen apo Lady Macbeth të Sostakoviç. Në vitin 2001 ajo pati një takim tjetër të rëndësishëm në karrierën e saj: takimi me Ricardo Muti-n, duke kënduar nën drejtimin e tij në operan Falstaff e pastaj Traviatta të operas La Scala.
Kurorëzimi parizian Inva Mula e pati po atë vit me rolin e Violetës në Oepera Bastijë me partner tenorin Rinaldo Villazon në vitin 2004, duke e mbushur sallën me sensibilitetin e saj dhe pathosin e parrezistueshëm. Një këngëtare e madhe kishte “lindur” tashmë. Që nga ky moment, Inva Mula është imponuar në skenë si një nga këngëtaret më të shkëlqyera soprano të kohëve tona, si në rolet e operave italiane ashtu dhe në heroinat franceze, të cilat i ka shtuar në mënyrë progresive në repertorin e saj dhe ku ajo është sot një nga interpretueset më frymëzuese të tyre. Roli i Manon, i kënduar tashmë në Barcelonë, Milano dhe në Vjenë, është tashmë një nga rolet e saj fetish. Por ajo është gjithashtu një Antonia e jashtëzakonshme në Tregimet e Homanit (Contes d’Hoffman), një rol që ajo do ta këndojë dhe më vonë, një Thaïs të shkëlqyer, etj… Margarita e saj e kënduar fillimthi në teatrin e Orange, është bërë tashmë historike, ashtu si dhe personazhi i saj Rozenn tek opera Mbreti i Is (Roi d’Ys), që e këndoi me një shije dhe emocion të paharrueshëm. Interesi i saj për muzikën franceze shkoi gjer tek Atlandita e Tomasi-t, e kënduar në Marsejë qapo tek opera e rrallë e Bize-së, Ivan IV, nga i cili ka mbetur veçse regjistrimi. Dhe ja sërrish na shfaqet me Mirelle (Mrej) një vajzë e jugut si dhe vetë ajo, me të njëjtën thjeshtësi dhe vullnet të pathyeshëm.
“Ndjej se roli po zhvillohet brënda meje – e kam këtë ëmbëlsi dhe jam e lumtur që do ta këndoj në skenë Por megjithtë, dhe një personazhi të freskët dhe rinor, nuk duhet patur frikë ta mishërosh dhe t’i japësh pasion. Veç të tjerave, orkestrimi i Gounod është aq i pasur sa që ai ju nxit që të jepni akoma më shumë ngjyra”. Po gjuha frënge që ajo këndon në skenat më të mëdha ndërkombëtare? - “ Ju e dini, unë jetoj në Francë prej afro 20 vjetësh dhe ndihmoj birin tim të bëj detyrat në frëngjisht. Por të këndosh në frëngjisht është akoma më vështirë, edhe për ata që frëngjishtja është gjuhë e nënës. Duhet punuar pa pushim, por gjithçka arrihet… Dhe jam krenare dhe shumë e lumtur që kjo vepër do të këndohet për here të pare në Palais Garnier…” Pas Mireille dhe para operas së Hoffman, Inva Mula do të këndojë në Opera Bastijë një nga personazhet e përzgjedhura të saj, Mimi i operas La Boheme. Edhe tek Puçini, pathosi i saj drithërues bën mrekullira. Ajo do të shoqërohet nga Massimo Giordano dhe në rolin e Musette do të jetë soprano Nathaly Dessay. Tri role në një pasion të vetëm, ja Inva Mula në historinë e Operas së Parisit.
...