Te salloni i Sofisë - Sofia nxjerr listën e qeverisë
Epo mirë? Të gjithë planet për të kursyer të dështuan. Nejse, të shkuara të harru
ara. Përfundimisht duhet të bëhesh e fortë dhe të vazhdosh rrugën: Shpenzimi sjell mirëqënien. Dhe e dini çfarë? Fitimi më i madh i shkon më shumë personalitetit njerëzor sesa kursimi. S’ka njeri në botë që mos e lakmojë këtë status, (natyrisht me përjashtim të mamasë tënde).
I vetmi dyshim, (krejt i papërfillshëm) që të mbetet për veten është se ende nuk di çfarë të bësh. Si të fitosh më shumë e kishe fjalën. Por tani që e ke ndarë mendjen për ti hyrë kësaj rruge, do të sajosh diçka, ja ke për ta parë.
U gëlltite mirë, pastaj me një farë krenarie hape derën e dyqanit të Sofisë. Ty të pëlqen Sofia, sepse ajo i ribën njerëzit. Ja hyjnë të shëmtuar dalin të bukur. Pastaj lajmet e vërteta, po ato të vërtetat fare (jo nga ato që vijnë si telefon i prishur dhe shpesh të bëjnë dhe qesharak në sytë e të tjerëve) ku mund t’i mësosh? Vetëm tek Sofia.
U dëgjua tingulli i derës dhe vajza brune, e këndshme që punon atje (me thënë të drejtën në fillim ti nuk e duroje dot), ngriti sytë drejt teje.
Kur të pa, e zënë në befasi u skuq dhe u kthye ngadalë mënjanë. Po kuptoj, - pëshpëriste dhe diç zhgarraviste në një fletë…. Dhe çfarë përgjigje keni marrë deri tani?
Pa më thuaj, - e pyete sapo mbylli telefonin, - si ja kalove të premte dhe të shtunë?
Ngrite sytë nga ajo, në pritej të ndonjë llomotitje mbi fustanin që kishte blerë tek X apo Y. Brunja, është nga ato lloj njerëzish, që gjithë ditën rrinë duke treguar etiketat e rrobave që kanë veshur.
Një zot e di pse ka njerëz që i bëjnë gjërat kaq në fshehtësi, e kam fjalën për këta të qeverisë? – thotë ajo.
Dëgjo, - ia nisi me një frymë, - atë bisedën që sapo dëgjove a ka mundësi mos e bësh fjalë me njeri? Po i merrja një të besuari nga kryeministria emrat e ministrave të rinj. Po çmenden klientet. Ti shohësh gjithë këta të Shëndetësisë, Ekonomisë, Ministrisë së Jashtme, janë bërë zeher. Çfarë s’thonë e çfarë nuk shkruajnë.
Po ata ç’kanë, a nuk i siguruan që nuk do t’i lëvizë njeri. Po ai miku ç’të tha,- e pyeti Sofia.
Po ja, më tha që ajo punë kishte mbaruar se i dinte të gjitha, po do të mi jepte nesër.
Ehe, s’ditka gjë as ai i shkreti - tha Sofia. Kështu thonë të gjithë që të bëhen interesantë.
Më thuaj gjërat me radhë dhe më shkoqur, - i thashë ashtu e mëdyshur dhe zgjata pak kokën.
Po ja, Lulëzim Basha dhe Genc Ruli dhe mund të jenë dhe mund të mos jenë - tha brunja.
Po këtë e kanë thënë dhe gazetat. Lulëzim Basha tek Mbrojtja? - e pyete.
Varet, u përgjigj turbull Sofia. Dikush do të donte të ishte dhe kryetar i grupit parlamentar. Por ka një problem, Kryetare e Kuvendit është sërish Jozefina Topalli, më vjen keq. Dhe ti shihje si ishin bërë ato të Ministrisë së Jashtme. Vrer. Kanë frikë se do të mbeten të gjitha pa punë. Po, po të shkojë tek Mbrojtja ai do ti marrë me vete apo jo? Të paktën stafin e ngushtë, a nuk ndodh gjithnjë kështu?
Po mirë, a nuk përflitet dhe Genc Ruli për tek Mbrojtja? – ndërhyn një nga klientet, me sa dukej dhe ajo punonjëse administrate.
Po moj po, ai dhe kur i kishin dërguar në fillim fjalë kishte thënë. O këtë ministri që kam, ose hiç fare? Pastaj nxori Mbrojtjen dhe nga pasditja arriti deri tek Arsimi. Ma thanë këto të gazetave mua, se tani të gjithë ata të PD i marrin në telefon dhe i pyesin. Di gjë ku do jem ministër unë?
Po thonë se te Mbrojtja do dhe Ferdinand Xhaferi me Leonard Demin?
Po atij Xhaferrit i takon? U çorr duke u zënë nëpër debate me Rudina Seferin e PS?
Bëri gjë Ruli. Doli vetëm një herë dhe gjithë kohën ngeli duke i thënë po jo moj xhan, po jo moj xhan,- thotë brunja.
Askush nuk është takuar deri tani me Berishën, - thotë Sofia, duke ngritur pak më shumë zërin në fund të fjalisë.
Moj, por për atë punë mos fol kot ti se kishte vajtur Rajmonda Bulku dhe kishte kërkuar Ministrinë e Kulturës, - thotë brunja, që me një dorë mban tharësen e flokëve dhe me një dorë një cullufe flokësh te koka e klientes.
Iii prandaj ishte aq e mërzitur ajo vajza që punon te Ministria e Kulturës, ajo pra që u kreh para një ore? Se thonë që kjo s’ia ka haberin fare nga këto punët me kompjutera.
PO mi, kishte shkuar kjo Rajmonda dhe kishte thënë. Më jepni Kulturën se dua të rregulloj pak problemet e Teatrit. Por kur i kishin thënë se Kultura është bashkë me Sportin. UHHh po unë sportin se duroj dot, - ishte përgjigjur, - pse nuk vini një zëvendësministër. Pastaj e pyetën, po Ministria e Kulturës ka dhe Turizmin? Ua po vini një zv/ministër tjetër, u kishte thënë.
Pastaj ç’të keqe ka. A nuk e bënë deputete se ju duheshin femra, pse për qeverinë nuk duhen femra? - thotë brunja, që gjysmën e ditës e kalon në punë dhe gjysmën tjetër para kanalit T të Digitalbit, duke parë filma shqiptarë bardh e zi të para ’90.
Ua, po është kjo Majlinda Bregu, ç’duan femër tjetër. A nuk shkruan në të gjitha gazetat se vendi i saj është i sigurt në qeveri?
Ua ç’i sigurt moj. Unë e pashë një pasdite nga liqeni, javën që shkoi, atë ditë pra që i kishte dalë një shkrim i keq në një gazetë. Ishte natë. Fiks tek lokali Green Park”. Kishte dalë me të shoqin. Po fliste në telefon dhe thoshte “Ai është gomar…” . Se di për kë e kishte por e dëgjoi e gjithë rruga. Dukej që e kishte punën keq - thotë brunja.
Jo jo, ashtu flet ajo, është goc garipe, jo si këto delikatet. Pastaj është mësuar në televizor ajo i bie diret dhe në kokë – s’ka lidhje, ajo është e sigurt thotë Sofia që gjithnjë është mësuar t’iu vërë vulën e fundit gjërave.
Po Olldashi? - i pyet.
Është bërë si lule dele i shkreti? Ta mbaj mos e mbaj. Pastaj pason një heshtje e gjatë dhe e sikletshme.