E Shtunë, 31 Tetor 2026

Caritasi Shqiptar konference kushtuar Personave me Aftesi te Kufizuara

Caritasi Shqiptar organizoi sot konferencën kushtuar Personave me Aftësi të Kufizuara, në bashkëpunim me Agjencinë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile e cila ka mundësuar dhe financimin e Raport Studimit “Përkrahja Shoqërore për Personat me Aftësi të Kufizuara Mendore”.

Në Konferencë morën pjesë Nora Malaj, zv/ministre e Arsimit dhe Shkencës; Bardh Spahia, zv/ministër i Shëndetësisë, ambasadori austriak; presidenti i Caritas-it Shqiptar; Liri Berisha, Presidente e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”; Alenka Verbole përfaqësuese e OSBE-së në Shqipëri; si dhe përfaqësues të institucioneve, qeverisë dhe shoqërisë civile.

Në fjalën e hapjes, Albert Nikolla, drejtor i Caritas Shqiptar vuri në dukje se aftësia e kufizuar është në fokus të punës dhe një ndër prioritetet e Strategjisë së Caritas Shqiptar për periudhën 2011-2015.

Kurse Nora Malaj, shprehu mirënjohjen dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare për nismat e shoqërisë civile të cilat kanë në fokus integrimin dhe arsimimin gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuar.

Prezantimi i dokumentarit “Për të Lehtësuar një dhimbje” i mundësuar me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe Kooperim si dhe të Carias-it Austriak mundësoi njohjen me arritjet dhe mosarritjet në funksion të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për PAK në Shqipëri.

Përmes dokumentarit del në pah se pavarësisht përpjekjeve serioze dhe angazhimit të ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe shoqëria civile ende mbetet shumë për tu bërë për integrimin dhe përfshirjen sociale të PAK në shoqëri si individë me të drejta të barabarta.

Në këtë dokumentar është mundësuar marrja e intervistave nga 3 Ministrat e Ministrive respektive te MSH, MASH dhe MPÇSSHB të cilët bëjnë të njohur reformat e ndërmarra dhe synimet e qeverisë shqiptare për zbatimin e reformave me qëllim zbatimin e plotë të Strategjisë Kombëtare për PAK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›