E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carmen, ministrja që i prin ushtrisë

Carmen Chacon, zonja e parë që zuri postin e ministres së Mbrojtjes në Spanjë, doli në faqet e para të gazetave në vitin 2008, kur ndërsa u caktua në detyrën e rëndësishme ishte 7 muajshe shtatzënë. Dy vjet më pas, ajo është një ndër figurat më popullore në ushtri dhe konsiderohet si një nga shpresat e mëdha të Kryeministrit Zapatero

Miquel ka komandën deri në orën 9 pa një çerek të mëngjesit. Më pas Carmen e merr në krahë të birin, hip në ashensor dhe zbret në garazh, ku e pret makina, një “Audi A8”, brenda së cilës ndodhet një truprojë femër. Fillimisht makina ndalon në një çerdhe fëmijësh, më pas merr rrugën drejt zyrës. Ndërkohë mamaja tashmë është shndërruar në një ministre dhe nis të lexojë gazetat që ndodhen në sediljen e pasme të makinës. Carmen, biondja trupvogël 39-vjeçare, është ministrja e parë e Mbrojtjes në Spanjë. Ajo është personi përgjegjës për 128,000 ushtarë dhe ushtarakë dhe njeriu që menaxhon një buxhet prej miliarda eurosh në vit. Dita e saj e punës është e mbushur me takime dhe mbledhje, por gjëja e parë në axhendë është dërgimi i Miquel në çerdhe. Miquel është një fëmijë biond, me një fytyrë serioze që do të mbushë 2 vjeç në maj. Shpesh i ka qëlluar që të ndodhet nëpër ambientet e ministrisë me stafin e punës së të ëmës. Vetë ministrja ka edhe një apartament të sajin, që ndodhet në godinën e ministrisë. është kjo një zgjedhje pragmatiste, që i lejon të jetë njëherazi shefe e përkushtuar, por edhe një nënë që kryen të gjitha detyrat e saj dhe qëndron shumë me të birin. “Përpiqem që t’i bëj mirë të dyja rolet, atë të nënës dhe të ministres.

është shumë e vështirë, ndërkohë që më duhet të qëndroj vazhdimisht në zyrë dhe në takime, por sapo kam pak kohë të lirë, rend tek im bir për ta puthur dhe për ta shtrënguar në krahë. Vuaj shumë kur më duhet që ta lë për ditë të tëra, ndërsa udhëtoj jashtë vendit, por është një problem që e kanë të gjitha mamatë që janë në punë”, rrëfen ministrja.

Politikania parapëlqen që ta portretizojë veten si një grua e zakonshme mes shumë të tjerave që punojnë, si një nënë dhe asgjë më tepër. Por në fakt, emërimi i saj në postin e ministres së Mbrojtjes ishte një fakt i jashtëzakonshëm për Spanjën. Para këtij emërimi, ajo ishte një nga parlamentaret më të suksesshme të Parlamentit, e cila fitoi bindshëm në zgjedhjet e vitit 2008. Fotot e Carmen që parakalonte para rojeve, ndërsa ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, menjëherë pas caktimit në detyrë, kanë bërë xhiron e botës dhe madje ato pamje përfunduan edhe në faqen e parë të së famshmes “New York Times”. Kur Kryeministri vendosi për parakalimin e saj në muajin e shtatë të shtatzënisë pati brenda partisë dhe klasës politike të vendit që e kundërshtuan një vendim të tillë, madje pati nga ata që e konsideruan këtë paraqitje “fyerje për Forcat e Armatosura”. Kur ajo erdhi në detyrë, urdhëroi që të gjitha sajtet e internetit që u ishin bllokuar punonjësve, ato të sportit, lojërave dhe takimeve të rihapeshin dhe kjo shkaktoi sërish shumë reagime, por të gjitha zërat kundër saj në fillim, tani janë shuar dhe kanë reshtur. “Ushtarakët më pranuan”, thotë Carmen pas dy vitesh në detyrë. Sipas saj, ajo që është e rëndësishme në ushtri është grada, jo gjinia.

Megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, Carmen është mbajtur nën vëzhgim të rreptë, si nga ata që e promovuan, ashtu edhe nga ata që i dolën kundër. Ajo sillet në mënyrë shumë të shpenguar dhe origjinale. As e rreptë, si anëtare e Forcave të Armatosura, por as mashkullore. Përkundrazi nuk i druhet për të shfaqur feminilitetin e saj edhe në takimet më të rëndësishme me meshkuj të një karriere të gjatë ushtarake. Për shembull, këpucët me taka i preferon me çdo veshje dhe madje me taka shumë të larta. Takimet i nis gjithmonë me shtrëngime duarsh shumë miqësore të shoqëruara me buzëqeshje. Sipas njerëzve që i qëndrojnë afër, ministrja i trajton të gjithë me shumë mirësjellje, pavarësisht gradës që kanë. Biondja elegante është në të vërtetë një perfeksioniste. Anëtarët e stafit të saj thonë: “Ajo është një grua që ka karakter dhe shumë kurajë”. Ata kanë vënë re edhe faktin se asaj i pëlqen që të dëgjojë shumë të tjerët, por edhe në fund të vendosë atë që i duket më e mira e mundshme për një çështje të caktuar. Ditën që u rikthye në punë pas 6 javëve të lejes së lindjes, ajo e ndryshoi gjithë lidershipin ushtarak dhe këtë e bëri kundër këshillës që i dha paraardhësi i saj. Ajo e ka vendosur besimin e saj në duart e një grushti njerëzisht që janë shumë të afërt, si sekretarja e saj të cilën e mori me vete në detyrën e re nga pozicioni i sekretares së deputetes që kishte më parë. është kjo zonjë që ia redakton fjalimet e shkruara dhe para nga këshilltari i saj ushtarak. Ministrja kalon orë e orë të tëra në zyrë duke lexuar dosje të trasha me materiale dhe këtë e bën dhe kur është në makinë, apo në avion. Zakonisht nuk merr pjesë në darkat zyrtare. Edhe anëtaret konservatore të Parlamentit si Celia Villalobos, nuk kanë ç’të thonë në adresë të Carmen, përveç akuzave të tilla si “Carmen përdor pamjen e saj të jashtme në Parlament për të tërhequr vëmendjen, apo për të promovuar kauzën që ajo kërkon”. Por askush nuk i ka vënë në dyshim aftësitë e saj në drejtimin e një ministrie shumë të rëndësishme dhe me një buxhet jashtëzakonisht të madh.

Së fundi, ministrja vizitoi Haitin si përfaqësuese e Bashkimit Europian (Aktualisht Spanja mban postin e vendit drejtues të BE-së). Pas tërmetit tragjik të muajit janar, që shkatërroi shumë pjesë të vendit dhe shkaktoi mijëra viktima, ajo dërgoi në këtë vend një anije ushtarake spanjolle, “Castilla” në ishullin Hispaniola me 450 ushtarë spanjollë në bord. “Ne duhet që ta rindërtojmë vendin dhe të bëjmë për këtë më të mirën e mundshme”. Ndërkohë ajo u përqendrua te fëmijët e mbijetuar e të mbetur të pastrehë, u solli shumë vaksina dhe ushqime. Ajo e quan veten “pacifiste”, sikundër edhe pjesa më e madhe e spanjollëve të rinj. Qëllimi i saj kryesor është që të eliminojë të gjitha hijet e mbetura nga e kaluara diktatoriale e Spanjës. Së fundi nderoi veteranët që kishin luftuar kundër diktatorit Franko. Me këtë rast u shpreh se ishte thellësisht e prekur nga ky akt i rivendosjes në vend të nderit të njerëzve që u harruan për një kohë të gjatë për kontributin e tyre. Carmen e identifikon veten me pjesën që doli e humbur nga lufta civile spanjolle. Shpesh thotë se vetëm ata që i njohin tmerret e luftës, dinë që të çmojnë dhe duan paqen. Shembulli i gjyshit të saj, një anarkist, formëzoi mënyrën e saj të të menduarit. Ai u dërgua në front në moshën 15-vjeçare, u kap nga mbështetësit e Francës dhe më pas u detyrua që të jetonte në mërgim. Ministrja thotë se vokacionin politik dhe shpirtin luftarak e ka trashëguar nga e ëma dhe gjyshi .

Carmen Chacon ka lindur dhe është rritur në Barcelonë. Në fakt që në fillim e ka pasur të vështirë, pasi u konstatua me një defekt në zemër. Gjatë fëmijërisë ka qenë e sëmurë dhe fillimisht ndoqi një shkollë vajzash katolike, ku parapëlqente që të luante basketboll me skuadrën e shkollës. Përvoja e mësoi që të mos lejonte që humbjet t’ia mposhtnin shpirtin dhe ta detyronin që të tërhiqej. “Unë luftoj për gjithçka. E urrej humbjen”, thotë sot ministrja. Më pas, ajo studioi ligje dhe për të paguar studimet bëri punë të ndryshme. Në moshën 18-vjeçare u bë pjesë e socialistëve të Katalonjës. Më pas u takua me njeriun me të cilin do të lidhte fatin e jetës, Miguel Barroso. Ai ishte zëdhënësi i parë i qeverisë së Zapateros dhe vazhdon që të punojë me të si këshilltar. “Ne spanjollët kemi kaluar shumë që nga rënia e Frankos”, thotë Carmen dhe sipas saj, një nga betejat më të mëdha ka qenë ajo për të drejta të barabarta mes meshkujve dhe femrave. Falë emancipimit, që ka ecur me hapa të shpejtë vitet e fundit, ajo po mbështetet shumë te gratë dhe roli i tyre në modernizimin e ushtrisë spanjolle. Deri 22 vjet më parë, gratë nuk lejoheshin në Spanjë që të ishin pjesë e ushtrisë, por tani Spanja është vendi i dytë pas Francës në Europë për numrin më të lartë të femrave në ushtri me 12.2%. Një studim i fundit i një qendre kërkimesh sociologjike në Madrid ka dalë në përfundim se Forcat e Armatosura janë institucioni të cilit spanjollët i besojnë më shumë se të tjerët, pavarësisht faktit se misioni i Forcave të Armatosura në Afganistan ka qenë shumë i debatueshëm dhe i diskutueshëm në shkallë të gjerë, në të gjithën vendin. Kjo pjesërisht sepse kostoja ishte shumë e lartë, vetëm për një vit pritet t’i kushtojë buxhetit spanjoll 500 milionë euro. Ministres iu desh që pak kohë më parë të mbronte në Parlament vendimin për dyfishimin e trupave spanjolle në Afganistan. Deri më tani, kanë vdekur në Afganistan 28 spanjollë. Në fillim të shkurtit, vetë ministrja shoqëroi për në atdhe një ushtar spanjoll të vrarë. “Momentet e mia më të hidhura janë ato kur më duhet t’u njoftoj familjarëve të viktimave vdekjen e të afërmve të tyre”, thotë ministrja. Nëpër funeralet e ushtarëve, ajo nuk i kursen lotët, e megjithatë refuzon që të pranojë deklaratat e konservatorëve se Spanja është në luftë në Afganistan.

Ndërkohë ministres i janë dashur vetëm dy vjet në krye të ministrisë që të sfidojë botën mashkullore, jo vetëm të Forcave të Armatosura, por në përgjithësi të politikës së vendit. Në sondazhet e opinionit publik, ajo është politikania e dytë më popullore në kabinetin qeveritar, pas ministrit të Brendshëm që zë vendin e parë. Në një revistë mashkullore, ajo është renditur 1 nga 100 femrat më të dëshiruara nga meshkujt në të gjithë botën dhe në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit, në Zvicër, ajo renditet si një “Lidere e re globale”.

Për socialistët ajo konsiderohet si një shpresë në këto kohë të vështira të krizës ekonomike. Ajo po planifikon një fushatë për partinë e saj në zgjedhjet kyçe lokale në Katalonjë, vendlindjen e saj dhe Kryeministri Zapatero mund ta emërojë në postin e zëvendëspresidentes këtë verë. Madje ka edhe zëra brenda partisë se Zapatero po përgatitet që ta lërë atë pasuese në vitin 2012. Kundërpërgjigjja e vetme e Carmen ndaj një spekulimi të tillë është: “Unë do të shkoj aty ku të më caktojë Kryeministri”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›