E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Carmina Burana”, premiera neoklasike

Premiera e baletit “Carmina Burana” do të çelë më 4 tetor sezonin e ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kompozuar nga gjermani Karl Orff në vitin 1936, “Carmina Burana” vjen e përshtatur në një version ndryshe për skenën shqiptare nga koreografi Arian Sukniqi.

Sukniqi u shpreh se “shfaqja do të zhvillohet në formën e një muzikali, nën një gjuhë koreografike me dominancë neo-klasike, si një performancë ku janë të njehsuara baleti dhe kënga". Ai tha se individi dhe raporti i tij me fatin, i predikuar e shtjelluar edhe në 25 këngë kishtare, mban gjithë zhvillimin e veprës, e cila nuk ka një subjekt të mirëpërcaktuar. Rreth 150 artistë do të angazhohen në këtë produksion, të cilin Sukniqi e quan një “variant tërësisht tonin dhe të pa tentuar më parë”.

"Një mori skenash koreografike do të ndryshojnë sipas këngëve dhe pjesa tjetër e teknikës do të sjellë një spektakël që i afrohet përmasave të muzikalit. Tani jemi në fazën përfundimtare të punës, jemi duke u marrë me orkestrën dhe të gjithë janë të angazhuar. Besoj se do jetë një show i vërtetë", - tha ai.

Sipas Sukniqit, protagonistët duhet të kujdesen shumë për t’u përshtatur me gjithë pjesën e objekteve, të cilat nuk do të jenë thjesht në funksion të koreografisë, por të komunikimit tërësor. Në këtë produksion, të konceptuar në 25 pjesë, do të angazhohen shumë solistë, ku kënga dhe baleti janë të njësuara. Në rolet kryesore interpretojnë këngëtarët e talentuar Erlind Zeraliu dhe Erjona Gjyzeli dhe balerinët Dion Gjinika, Erald Zela, Suela Guri, Elona Nallbani, Elona Dervishi, Fatos Alla, ndërsa orkestra e TKOB do të dirigjohet nga italiani Fabio Pirona. “Janë një kastë artistësh të rinj që kërkojnë të futen në treg”, - shprehet Sukniqi. Skenografia është realizuar nga Arlind Halili, e cila është tërësisht në funksion të veprës, ndërsa Dritan Lumshi do të drejtojë korin, i cili do të këndojë tekstin origjinal në latinisht. "Deri më sot kjo pjesë është vënë në variante nga më të ndryshmet dhe është bërë pjesë e repertorit në shumë teatro prestigjioze të botës, pasi është një vepër që të lë hapësirë për të punuar”, - u shpreh Sukniqi.

Vepra vjen në një stil kontemporan, ku artistët do të jenë protagonistë të gjithçkaje, përfshirë edhe ndërrimin e skenave të pjesës. "Carmina Burana" është historia e një të riu në kërkim të dashurisë si një forcë madhore. Në këtë rrugëtim të tij shfaqet edhe e keqja, simbolizuar përmes djallit. Lufta e përhershme mes të mirës dhe së keqes është ajo që e shtyn këtë personazh në kërkim të mundësive të tij. Por djalli godet pikërisht te shpresat dhe gati ia arrin qëllimit. Në këtë moment shfaqet një personazh tjetër, paksa mitik, i cili merr përsipër ta drejtojë këtë njeri. Ai e fut nëpër shumë ambiente, ku mund të kërkojë dashurinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›