E Shtunë, 31 Tetor 2026

Boçi: “Rikthimi i trurit” në Universitetin e Elbasanit

Në një intervistë për “standard”, zv.rektori i Universitetit të Elbasanit, z. Luçiano Boçi, ka renditur në detaje efektet e programit “Brain-Gain”, si dhe të programit të qeverisë shqiptare për arsimin universitar, nismat e saj për “thithjen e trurit”, dhe përgatitjen e kornizave të efektshme që bashkë me reformat synojnë integrimin e stafit akademik në simotrat e saj në Evropë e më gjerë

Intervistoi: Artur Ajazi

Zoti Boçi, jeni koordinatori i programit “Brain-Gain”, program i UNDP-s. Cilat janë perspektivat e Universitetit të Elbasanit për thithjen e trurit, në kuadër të mbështetjes nga qeveria shqiptare?

Në realitet këtu duhet bërë një sqarim, pasi programi është iniciativë e vetë qeverisë shqiptare si e interesuara drejtpërdrejtë për parandalimin e fenomenit të “Brain Gain”, pra të ikjes ose emigrimit të trurit, që mbështetet fuqimisht dhe nga UNDP. Programi, në mënyrën se si është konceptuar, ka një shtrirje të gjerë e në tërësi synon përforcimin e nismave dhe krijimin e kushteve për të ndaluar fenomenin e sipërpërmendur të “Brain Gain”, përgatitjen e një kornize politikash që bën të mundur angazhimin efektiv të diasporës akademiko-shkencore në zhvillimin e vendit dhe ndërtimin e një baze elektronike të dhënash që bën të mundur identifikimin e individëve që mund të bëhen pjesë efektive e procesit, duke mbështetur zhvillimin në universitete, sektorin privat e biznese dhe administratën publike. Brenda këtij korpusi qëllimesh të shprehura qartë, universitetet kanë rolin e tyre dhe njëkohësisht janë përfituesit kryesorë të zbatimit të këtij programi, përfitime që prekin si përmirësimin e nivelit të stafit akademik, i cili bëhet garant i rritjes së cilësisë, ashtu dhe përmirësimin e aspekteve kurrikulare dhe programore, që konkretizohen me gërshetime të përvojave që vijnë nga universitarizmi i shteteve më të zhvilluara. Dhe të gjitha këto të çojnë në konfigurimin e universiteteve, si qendra akademike dhe kërkimore-shkencore. Të ndërgjegjshëm për këtë impakt të tij, ne si universitet, në kuadër të këtij programi, kemi arritur të ndërtojmë politika të tilla, që lidhen ngushtësisht me modalitetet e thithjes së personelit akademik (brenda të cilave qartazi kanë precedencë ato individë që janë pajisur me diploma, grada e tituj nga universitete të njohura evropiane e amerikane, ose që kanë përvojë akademike e universitare të tillë) të cilat në esencën e tyre favorizojnë, jo thjesht evidentimin e atyre kapaciteteve shkencore që mund të japin kontribut real, por që realizojnë dhe tërheqjen e tyre pranë katedrave e auditorëve të universitetit. Dhe kjo është drejtuar njëkohësisht si ndaj individëve që kanë pasur kontribute të mëparshme, që nuk janë të pakët, midis të cilëve nuk mund të lë pa përmendur, p.sh. ardhjen e prof. Emine Sadiku nga Gjermania, apo angazhimin e dr. Etleva Lala, ashtu dhe ndaj atyre që janë të spikatur për arritje të dukshme shkencore në fusha konkrete.

Z. Boçi ju njëkohësisht jeni dhe njeri politik, kandidat kryesor për kryesinë e PD-së në Elbasan. Si i gjykoni marrëdhëniet e UE-së me politikën?

Unë jam një ndër kandidatët e artikuluar të mundshëm për kryesinë e degës së PD-së në Elbasan dhe më duket e pavend përcaktimi si kryesori, pasi në një garë të gjithë janë të barazfavorizuar, aq më tepër kur bëhet fjalë për garë brenda një force politike. Ndërsa midis UE-së dhe politikës ekziston, sipas gjykimit tim, një marrëdhënie tepër origjinale dhe ekzemplare, ku brenda secilës çdonjëra është munduar ta respektojë tjetrën në maksimumin e mundshëm. Kjo është arritur në sajë të traditës qytetare të vetë trevës së Elbasanit, si dhe të kontributit personal të personaliteteve akademikë që janë angazhuar fuqishëm në jetën politike, të cilët nuk kanë qenë të pakët nga të dyja kampet e mëdha.

Diferenca është bërë në përkrahjen më të madhe apo më të vogël që i është dhënë universitetit dhe të politikave të drejta, apo të gabuara që janë ndjekur në lidhje më të. Brenda këtij raporti dukshëm politika e majtë e ka anashkaluar interesin ndaj universitetit dhe politika e djathtë nga ana e saj dukshëm e ka zhvendosur qendrën e saj të interesit drejt universitetit, e shprehur kjo jo thjesht me vizitat frytdhënëse të Kryeministrit Berisha, por dhe me veprime konkrete të hartimit të politikave që prekin dhe japin impakte strukturore dhe akademike e shkencore, si dhe me investime infrastrukturore shumë rezultative.

E shikoni veten më shumë si pedagog apo si politikan?

E kam shprehur dhe herë të tjera se profesioni im mbetet pasioni im më i madh, ndërsa angazhimi im politik është detyra ime më e madhe qytetare. Ndërkohë, të dyja ndihmojnë njëra-tjetrën, pasi lidhen ngushtë me marrëdhëniet me publikun. Pastaj, bashkëjetesa e të dyjave ka treguar me raste konkrete që është simbioza më optimale dhe serioze në politikën dhe jetën e sotme shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›