“Carmina Burana”, suksesi në optikën e koreografisë shqiptare
Prej kohësh Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit mirëpret krijues të ndryshëm, ndër ta koreografë të rinj, për të vënë në skenë krijimet e tyre, për të afirmuar talentin dhe personalitetin artistik. Arian Sukniqi për të dytën herë debuton në skenën e këtij teatri mbas përvojës së fituar me punimet surprizë në shkollën koreografike dhe në Qendrën Kulturore të Bashkisë së Tiranës. Të krijosh nuk është një gjë e lehtë. Kërcimi përgjithësisht është një art i vështirë i mundueshëm që lyp shumë përkushtim dhe punë. Një i painteresuar ose i paditur në artin e kërcimit mund t’i duket si “punë e këndshme”, “argëtuese” kur shikon kërcimin e artistëve në një shfaqje baleti. Ai nuk e di sa mund, sa djersë, sa vëmendje, sa ndjenjë i është dashur një koreografi, një balerini për të realizuar një vepër baleti.
Është një debutim befasues dhe serioz shfaqja “Carmina Burana”, e realizuar në TKOB, e ideuar dhe interpretuar në koreografi nga Arian Sukniqi, nën drejtimin e mjeshtër koncertues Fabio Pironas. Ka ardhur e sukseshme me skenografinë dhe kostumet, mjeshtërisht të realizuar nga Arlind Halili të ndihmuar nga dirigjenti i TKOB, Edmond Doko. Trupat artistike të këtij Teatri, Kori, Baleti, Orkestra morën pjesë në një eksperiment të suksesshëm. Drejtuesit e kësaj vepre të joshur pas së tashmes, nuk mohojnë të kaluarën por afirmojnë ndryshimet e pritshme. Ideatorët e kësaj nisme, një vepër shumë të njohur muzikore që zakonisht interpretohet si kantatë skenike ose si një opera vetëm e kënduar, eksperimentuan dhe u bënë shumë origjinale kur menduan ta inskenonin edhe në koreografi. Pas disa ngutjeve më parë dhe zhbirimeve mbi përmbajtjen dhe formën e kësaj vepre muzikore, Arian Sukniqi e materializoi idenë dhe projeksionin e tij ia afroi drejtorisë së TKOB-it, e cila si gjithmonë mirëpret inisiativat e reja.
Në përmasa të mëdha shfaqja është gjallëruar në skenë mbi veprën e Carl Orff. Kjo muzikë u shkrua mbas viteve njëzet të shekullit të kaluar. Në kohën kur njerëzimi po jetonte një epokë ndryshimesh në sistemet politike dhe shoqërore. Duke gjurmuar në këngë të kënduara në mesjetë nga njerëzit në tubime të ndryshme Orff u frymëzua dhe ndërtoi një vepër muzikore që me kalimin e kohës u vlerësua së tepërmi deri sa në fund të shekullit ajo shndriste dhe luhej në të gjithë skenat e botës. Përkushtimi dhe besimi për të gjetur fatin e tyre, protesta që buron nga shpirti njerëzor e shtyu gjithmonë njeriun të njohë botën dhe jetën që e rrethon. Për ta përcjellë në skenë këtë vepër është krijuar një mikrofabul që përcon mesazhe të fuqishme, të frymëzuara nga kjo muzikë. Pasuria e shprehjes në skenografi dhe interpretimin vokal të korit të operas, veçanërisht zërat e ngrohtë të këngëtarëve Eriona Gjyzeli, Erlind Zeraliu, Klodi Boçka dhe fuzioni e tingulli orkestral i orkestrës e ka mbështetur me mjeshtëri dhe ngrohtësi koreografinë që ajo të jetë e larmishme dhe shumë komunikuese.
Pa i ikur dansit klasik, korrekt me dansin modern...
Skena e këtij teatri shpesh ka thithur duartrokitjet e suksesit të koreografëve të rinj që premtojnë. Dëshira për të afruar tema psikologjikisht të ngarkuara, narrative e lloje të tjera, janë përshtatje e estetikës dhe shijes së tyre që pa u shkëputur nga burimi kryesor, dansi klasik mundohen të jenë qartësisht korrekt me artin modern.
Bota e kërcimit në vendin tonë duhet të jetë e kënaqur të shikojë krijimet e këtyre koreografëve. Është thelbësore që vazhdimësia e krijimit koreografik në Shqipëri të përfaqësohet nga koreografë akoma të rinj si Arian Sukniqi, Gjergj Prevazi, Kozeta Bakiu, Enada Hoxha, Manjola Hasani, Ezdalin Gorani, Albi Nako, Gerd Vaso, etj. Krijimet e tyre sot janë vijimësi e krijuesve më me përvojë dhe me emër të koreografëve shqiptarë. Madhështia e këtyre të fundit ndihmon që ky brez ta shenjojë optikën në të tashmen dhe të ardhmen, pa harruar të kaluarën e afërt, atë që i ushqen ata dhe i përgatiti.
Vendosja e një personazhi në qendër të ngjarjes, i paformuar për t’u përplasur me dallgët e jetës dhe pa provuar akoma kënaqësitë e saj e bën kureshtar publikun të ndjekë zhvillimin e ngjarjes. Është një forcë tjetër qoftë kjo djallëzore që e shtyn dhe e vë në provë përballë një shoqërie të egër disi kaotike, por që akoma nuk ka humbur krejtësisht bukurinë e jetës dhe i afron të zgjedhë fatin e tij. Ai përpëlitet, mëson të përplaset dhe këtu dështon e herë ngrihet përsëri për të vazhuduar më tutje, më lart. Sukniqit i ka pëlqyer ta interpretojë kështu idenë e tij, të gjejë fillin për ta zbërthyer ngërçin dhe për ta çliruar heroin e tij nga makthet dhe mossiguria. Përgjatë gjithë kohës luhet me fatin, i gjithë dekori është një letër bixhozi si një rulet kumari ku gjithkush kërkon fatin e tij që herë zbret poshtë dhe herë fluturon. Është shfrytëzuar çdo hapësirë që ka skena duke cënuar deri diku përmasat klasike të skenës.
Në qëllimin e tij, Sukniqi nuk bëhet merak se dikush mund të shqetësohet për të “ndryshmen” që sjell shfaqja dhe kërcimi i tij. Ai nuk ka shpikur ndonjë sistem fare të ri të kërcimit, aq sa të ndryshojë konceptin tonë mbi çfarë mund të jetë kërcimi. Perceptimi i tij mbi veprën është që të prezantojë atë çka dëshiron, ndryshe nga të tjerët, të mos ndalojë imazhet dhe projeksionet e tij brenda vetes dhe mendjes së tij. T’i sjellë ato në një dinamikë të re e pse jo me një filozofi të re. Estetika e tij është e lidhur me impresionizmin e të tjera shije. Duke parë në tërësi frazën e kërcimit, impulset dhe llogjikën që rrjedh në dramaturgjinë koreografike të shfaqjes, bindemi që ajo çka zhvillohet në tokë dhe më afër është reflektim dhe pasqyrë e formimit të koreografit dhe aftësive të tij për të përshtatur lëvizjen ose për të stilizuar kërcimin aty ku ai e sheh të nevojshme. Ky koncept merr rëndësi pikërisht në perceptimin që i ka bërë ai muzikës duke e celebruar kërcimin me fjalën. Kjo performancë afirmon dëshirën e gjeneratës të krijuesve pas viteve 90-të për të guxuar gjithmonë më tutje, për një art bashkëkohor ndonëse akoma të paarrirë që kërkon mbështetje hapësirë – përkrahje për të performuar dhe për të afirmuar aktorë me origjinalitet.
Arian Sukniqi dhe të tjerë akoma kanë presionet e audiencës, e njerëzve dhe artistëve që i kuptojnë dhe nuk i kuptojnë, ose hiqen që nuk i kuptojnë shfaqjet e tyre. Ata dinë të mbrojnë krijimin e tyre dhe urojmë që të vazhdojnë të krijojnë dhe më me guxim për të mos u dekurajuar, për të vozitur në hapësira të reja për t’u bërë sa më të kuptueshëm dhe sa më afër lëvizjes, kërcimit, gjuhës së vetme të koreografisë. Sukniqi dhe koreografë të tjerë, tashmë që po krijojnë edhe në skenën e TKOB-it do të fillojnë të kuptohen më mirë. Punët e tyre gjithmonë e më shumë duken më shumë baletik ose e thënë më qartë vijnë më të plota, më afër kërcimit dhe gjetjes së një gjuhe të kuptueshme, më adekuate për temën e zgjedhur. Megjithëse Sukniqi nuk ka ndonjë ndonjë preferencë të veçantë për format e baletit klasik, ai nuk largohet plotësisht nga dansi klasik. Ai gjithmonë e më shumë i largohet balancës me të kaluarën dhe sjell një ngjarje si me thënë, një fabul të krijuar por që përçohet me një gjuhë të ndryshme nga një episod në tjetrin pa harruar puantet /këpucët e baletit.
Sukniqi ka aktivizuar kërcimtarë potentë
Ai nuk duket se është vetëm i obsesionuar ndaj të ardhmes. Ai me mbarimin e punës dëshiron të afirmojë të tashmen se sa të hedhë poshtë të shkuarën. Nuk ka qëllim të thotë se vetëm ai është dhe ai duhet proceduar dhe perceptuar. E di mirë që edhe të tjerë do të jenë në qendër të vëmendjes kur ai do të dalë anash e të lirojë rrugë. Gjithkush e ka të qartë që krijmtaria dhe koreografia që ka punuar ose punon në vite ka ardhur nga mjedisi ku ai ka jetuar dhe jeton.
Sukniqi ka manovruar në një mënyrë që kërcimi të jetë i dallueshëm nga sa ka eksploruar më herët në punimet e tij. Struktura e tij kërcyese zhvillohet në hapësira të ndryshme dhe të ndërlikuara. Ai ka medituar shumë në përmbajtjen dhe befasitë e ndeshura në muzikë për të abstraguar figura dhe lëvizje që do të intrigonin gjallërimin e episodeve kryesisht me një plastikë që vesh tërësinë muzikore pa e cënuar atë sadopak. Aftësia e tij për të perceptuar skema të ndryshme nga njëra-tjetra, përkatësisht me pak ose më shumë njerëz, i ka krijuar mundësinë për të realizuar një regji të pasur që e ndihmon shumë koreografinë. Ai është munduar t’i largohet mënyrës standarte që kanë zënë vend me kohë në koreografinë tonë. Ai sjell risi në mendim, veprim dhe krijim, dëshiron të jetë original dhe një autor që tërheq vëmendje. Ai gjithashtu është një vëzhgues i vëmendshëm i asaj që zhvillohet përtej baletit tonë në botë.
Trupa e baletit, kori i madh, muzika e luajtur direkt nga orkestra dhe shfrytëzimi në maksimum i hapësirës skenike kanë kërkuar një menaxhim tërësor dhe professional. Ai ka aktivizuar në rolet primare kërcimtarë potentë, Ledian Agalliu, Dion Gjinika, Sokol Zhugri, Jonida Onuzi, Odeta Dishnica, Elona Dervishaj, Elona Nallbani, pothuaj jo “premierët” e trupës, me natyrë dinamike, të aftë për të kaluar me sukses emocionet muzikore që në ndonjë rast të ngrejnë adrenalinën në kufijtë maksimalë. Ngarkesa e madhe emocionale e koraleve dhe për pasojë kërkesa për një intensitet dramatik të dallueshëm në skenë, për një moment të vë në dyshim nëse lëvizja, kërcimi do mund të jenë po kaq emocionues sa dhe muzika? Përgjigjen e gjejmë në atë që shohim të interpretuar në skenë: vendosja regjizoriale, skenografia aq dinamike, zhvillimi dhe zbarthimi dramaturgjik në shërbim të koreografisë, masiviteti i artistëve në skenë, dinamizmi i kërcimit dhe shumëllojshmëria e skemave, jo vetëm nuk i zbeh vlerat muzikore por duke celebruar fjalën dhe tingullin me kërcimin e shton këtë emocion dhe na përcjell një unitet stilistik të qartë dhe bindës.
Sukniqit i pëlqen të shkëpusë nga toka kërcimin dhe ta zhvendosë në ajër duke shmangur lëvizjen lineare të pandryshueshme; gjërat mund të ndodhin më afër ashtu si në tokë.
Retroskena dhe tradita..!
Herë-herë duket sikur impulset në kërcim dhe vazhdimi logjik nuk janë krah për krah së bashku në të gjithë skemën ose tablonë e frazës së kërcimit. Edhe më parë këtij koreografi i ka pëlqyer të realizojë shfaqje në arenën e cirkut. Ai shfrytëzoi në maksimum hapësirën e arenës dhe mjetet mekanike të saj në shërbim të idesë së tij. Në muzikën e Koçantes tek Katedralja e Parisit, ai gjeti frymëzimin për t’i pajisur me krahë personazhet për të fluturuar dhe vepruar në qiell si të thuash. Ai mendoi që kjo gjetje i pasuroi më shumë figurat e Esmeralda, Kuazimodos e të tjerë.
Mendimi dhe individualiteti i një krijuesi bëhet i pavarur dhe piqet, kur ai ka fituar një eksperiencë vetjake në veprimtarinë artistike dhe interesohet për të njohur jetën sa më thellë në të gjitha aspektet dhe fenomenet që ndodhin në veprimtarinë e shoqërisë. Është po kaq e rëndësishme zotësija si për të menduar ashtu edhe për të ndjerë, po aq për të mësuar me anë të librave. Është shumë i rëndësishëm kontakti me jetën e përditshme, me njerëzit për të gjetur elemente të domosdoshëm dhe njerëzorë që kanë vlerë elementin fizik. Ndaj edhe kur dikush merr inisiativën të krijojë dhe të quhet koreograf është mëkat nëse ai e merr lehtë këtë gjë dhe i duket një mënyrë për t’u afirmuar si një artist me vlerë.
Koreografë novatorë pothuaj një shekull më parë dhanë shembullin që trupi i njeriut dhe lëvizja koreografike si gjuhë shprehëse nuk mund të izolohej dhe burgosej brenda kanoneve të vendosura shekuj më parë në formën e tabuve. Ata i dhanë krahë jo vetëm fantazisë, por edhe përmbajtjes së kërcimit, zbuluan vlera të shumta dhe të reja të artit koreografik. Ato i dhanë kërcimit rol më të madh të komunikimit në kohët e reja dhe arti i tyre kërkon një publik të kulturuar që komunikimin ta ketë më të lehtë. Mënyra e tyre është pranuar si një element dinamik, që vuri në lëvizje plogështinë dhe dembelizmin ku flenin ithtarët vetëm të traditës, që e tradhëtuan traditën kur nuk donin që në lumin e saj të rridhnin përrenj të rinj, që nuk do ta linin të vdiste vetë ajo.
Ndaj kjo shfaqje në T.K.O.B dhe ndonjë tjetër e vënë më parë si “Katedralja e Parisit”, “Paganini”, “Migjeniana”, sjell një frymë të ndryshme dhe ndikon për të mirë në shijen dhe kulturën e kërcimit që po vihet re në repertorin e këtij Teatri.
Arian Sukniqi në këtë shfaqje nuk përdor një kërcim për të bërë efekte me lëvizje virtuoze dhe të mbushur me hedhje e rrotullime marramendëse duke shfrytëzuar teknikën e disa kërcimtarëve. Ai shprehet në pjesën me të madh me skema shumëngjyrëshe ku merr pjesë e gjithë trupa për t’i mëshuar më shumë një domethënjeje më të rëndësishme se sa thjesht kërcimi. Atij i intereson të ndjekë një dinamikë ku problemet që ka shtruar për zgjidhje të përçohen dhe të mund të asimilohen nga publiku pa i ndikuar nga “lustër e ndritshme, por nga një lëndë që pa humbur ndriçimin përcjell emocion dhe ide që të bëjnë të meditosh ndaj asaj që sheh.
Është ky këndvështrim i këtij koreografi që na mundëson të themi që Ariani është gjithmonë në kërkim, gjithmonë i shqetësuar për të mos përsëritur atë çka është bërë më parë. Mënyra se si kërcimi mund të ketë cilësitë për të shprehur një tematikë të shumëllojtë dhe ide të stërholluar e ka tërhequr gjithmonë Arian Sukniqin të vijë përpara publikut dhe të prezantohet si një zë në koreografi me individualitet të dallueshëm dhe të suksesshëm.
Shënim: Autori i këtij shkrimi mban titullin Artist i Merituar. Titulli dhe mestitujt e shkrimit janë redaksionalë-Dh. H.