E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezart Taci: “Dy milionë euro? Shumë pak para kënaqësisë”



Dash Frashëri

Kanë mbetur vetëm pesë ditë kur futbolli shqiptar do të përjetojë një eveniment historik. Milani, skuadra me më shumë trofe ndërkombëtarë në botë, do të luajë në “Qemal Stafa” kundër skuadrës me më shumë tituj në Shqipëri, Tiranës. Puna në zyrat e kompanisë “Taci Oil International” është në kulmin e saj. Telefonata me zyrat e Milanit, shkëmbim informacione me anë të postës elektronike. Kërkesat e klubit italian për detajet edhe me të voglat të organizmit të ndeshjes janë të shumta, që nisin që nga pritja e përcjellja në aeroport, konferencës për shtyp e deri te posterat e takimit. Një ngjarje e rrallë dhe e papërsëritshme, por me një kosto të jashtëzakonshme financiare, një shumë që vërtitet rreth 2 milionë euro.
Një staf jo i vogël merret me këtë punë, teksa në ambientet e kompanisë lider të karburanteve në Shqipëri ndodhej edhe shefi i klubit të Tiranës, Eduard Gjini. Impenjim maksimal. Është duke u përgatitur një ngjarje e rrallë. Dy fitues të “Topit të artë”, Shevçenko e Ronaldinjo; pesë kampionë bote Maldini, Nesta, Inzagi, Dida e Ronaldinjo, priten të argëtojnë me magjitë e tyre tifozët e shumtë shqiptarë. Presidenti i “Taci Oil International”, Rezart Taçi, kërkon të informohet për gjithçka. “Dëshiroj që gjithçka të jetë perfekte atë ditë. Ia kam premtuar jo vetëm Adriano Galianit (administratorit të Milanit), por para së gjithash presidentit Silvio Berluskoni”, - thotë Taçi, i cili në sfond pas tij ka një baner të evenimentit, ndërsa përballë ka tre foto të mëdha nga takimi i tij me kryeministrin e Italisë e një nga njerëzit më të pasur në botë.
Fluksi i blerjes së biletave është i jashtëzakonshëm, edhe pse ato kanë vetëm dy ditë që kanë dalë në shitje. Sipas zyrës për shtyp pranë kompanisë “Taci Oil International” biletat e tribunave A e B janë shitur plotësisht, ndërkohë që edhe një pjesë e madhe e tribunave për karshi janë në duart e shikuesve.

Zoti Taçi, tashmë ditët drejt 14 tetorit, kur në “Qemal Stafa”, Milani e Tirana do të diskutojnë trofeun e parë “Taci Oil Albania Reads” po numërohen mbrapsht. Si po i përjeton orët organizatori i kësaj ndeshje historike?
- Çdo ditë që kalon më jep emocione edhe më të mëdha. Është vërtet një ndeshje, për të cilën jam i bindur se do të kënaqë sportdashësit e shumtë shqiptare, por dhe do të hyjë jo vetëm në statistika, por dhe në historinë e futbollit shqiptar.
Lista tashmë është bërë zyrtare. Milani do të mbërrijë në Tiranë me yjet e tij, ku spikasin Shevçenko e Ronaldinjo, dy nga më të njohurit, por dhe më të adhuruarit.
- E gjithë këmbëngulja e kompanisë sime “Taci Oil”, si organizatore e këtij trofeu synonte në praninë e yjeve të Milanit, për t’i dhënë një përmasë feste popullore.
Tifozeria milaniste në Shqipëri e më gjerë tashmë kanë në duar biletat e para të takimit për të shijuar edhe këtë ngjarje të papërsëritshme.
E meriton të vlerësohet si e tillë. Në vizionin tim nuk është vetëm një ngjarje sportive, por edhe një festë sportive. Unë u bëj thirrje të gjithëve të vijnë në stadium. Festa u përket atyre.
Le të flasim për tribunën “VIP”, kush do të jetë atje?
Autoritetet më të larta në Shqipëri kanë shprehur interesimin e tyre për të qenë të pranishëm në “Qemal Stafa”. Ftesa u janë bërë edhe drejtuesve më të lartë të shtetit më të ri në botë, Kosovës, përfshirë presidentit e kryeministrit. Madje, takimin do ta transmetojë direkt edhe një nga televizionet më të njohura në Kosovë, “Koha vizion”, ashtu si dhe paketa “Supersport” e “Top Chanell”.
Evenimenti ka marrë përmasa mbarëkombëtare, pasi edhe shqiptarë nga Kosova, Maqedonia apo Mali i Zi, janë duke e përcjellur mediatikisht këtë sfidë?
- Fakti, që një ekip i këtij niveli të lartë botëror, prestigji të padiskutueshëm ndërkombëtar vjen e luan edhe në një nga stadiumet shqiptare, mendoj se është një vlerësim e një respekt si për sportin tonë ashtu edhe për Shqipërinë e shqiptarët si komb.
Media italiane i ka kushtuar një vëmendje të posaçme pjesëmarrjes së Milanit në trofeun “Taci Oil Albania Reads”, duke publikuar informacione të vazhdueshme.
Duhet t’ia dimë për faleminderit edhe Milanit, por edhe Shqipërisë. Ka një interes të medias jo vetëm për të pasqyruar ndeshjen në aspektin sportiv, por dhe për të pasqyruar realitetin shqiptar, gjithmonë e në zhvillim më të madh.
Daniele Masaro, një nga drejtuesit e njohur të Akademisë së Milanit ka folur me superlativa në “Milan Channel”, duke vlerësuar pozitivisht jo vetëm ndeshjen, por dhe atmosferën miqësore që e rrethon këtë takim.
Masaro është një mik i madh i Shqipërisë dhe këtë ai e ka shprehur gjithmonë në mediat italiane. Ai ka dhënë kontributin e tij të veçantë për realizimin e kësaj miqësoreje dhe për t’i dhënë vlera lidhjes së Milanit me Shqipërinë.
Ju njiheni si një mik i ngushtë i presidentit të Milanit e kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskonit. Nga se vjen ky “feeling”?
Së pari vjen se edhe unë jam një tifoz i hershëm i Milanit, por edhe së qeni të njëllojtë në mënyrën e politikbërjes të së njëjtës filozofi të bërit biznes. Berluskoni është një nga biznesmenët më të mëdhenj jo vetëm në Itali, por dhe në botë. Është një shembull për t’u admiruar edhe për thjeshtësinë e tij. Të krijon shumë shpejt një atmosferë miqësore.
“Taci Oil” ka organizuar edhe të parin kamping “Milan Junior Camp” në Shqipëri, ku nga 400 fëmijët që morën pjesë, pesë prej tyre fituan të drejtën për të bërë një vizitë në “San Siro”.
Nuk ka kënaqësi më të madhe të jesh promotor i të ardhshme të mundshme të këtyre fëmijëve në sport, një nga klubet më të mëdha të botës.
Ndeshja flitet se ka një kosto të madhe financiare. Sa ka shkuar ajo?
Nuk ka asnjë rëndësi shuma. Kënaqësia është ajo që mbetet primare. Kemi nevojë të gjithë për të.

Kush vjen në Tiranë

Dy fitues të “Topit të artë”, ukrainasi Shevçenko e braziliani Ronaldinjo. Në superlistën kuqezi janë edhe tre kampionë bote me Italinë: Alesandro Nesta, Filipo Inzagi e Andrea Pirlo, por dhe dy kampionë bote me Brazilin, Ronaldinjo e Dida. Vjen i vetmi lojtar në botë, i cili ka mundur të fitojë tre trofe të Ligës së Kampioneve me tre skuadra të ndryshme, holandezi Klarens Sedorf. kryegolashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kompeticionet ndërkombëtare: Filipo Inzagi, lojtari me shumë prezenca te Milani e në kampionatin e Serisë A: kapiteni Paolo Maldini.

9 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›