“Nëse zgjedhjet dështojnë, pasojat do jenë të rënda”
Gjermania mbetet vendi që ka ndihmuar më shumë se kushdo tjetër Shqipërinë pas viteve 90-të. Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchart pasi ka bërë një bilanc të ndihmës së vendit të tij për Shqipërinë në dy dekadat e fundit, tha se ajo kap një shumë rreth 700 milion euro. Ambasadori theksoi po ashtu se janë kryer bisedime mes dy qeverive gjatë vizitës së kryeministrit Berisha në Berlin, për vazhdimin e projekteve mbështetës për të ardhmen, ku diskutohet një fond prej afër 90 milion eurosh.
Por përtej një bashkëpunimi të shkëlqyer ekonomik dhe një prezence të fortë gjermane në Shqipëri, ambasadori flet dhe një sërë detyrash dhe reformash që qeveria duhet të ndërmarrë për të ndihmuar sa më shpejt premtimin e madh që u ka dhënë shqiptarëve për liberalizimin e vizave. Sipas tij, vendet evropiane i kane bërë të qartë kushtet e tyre për reformat që duhet të ndërmarrin vendet e rajonit dhe thotë se tashmë topi mbetet tek ne. Ai po ashtu nuk shpreson shumë se para zgjedhjeve të vitit 2009 do të liberalizohen vizat, edhe pse qeveria është entuziaste për këtë.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i intervistës së tij është fakti që ai i bën thirrje qeverisë të vazhdojë të punojë me misionin e OSBE dhe atë të FMN në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka lënë të kuptohet se misioni i OSBE është i panevojshëm, pasi sipas saj Shqipëria është nj vend i stabilizuar. Kryeministri Berisha po ashtu ka theksuar se pas përfundimit të programit aktual të FMN në Tiranë ai do të ndryshojë statusin e marrëdhënieve me të. Kryediplomati gjerman rekomandon me kujdes, që bashkëpunimi me FMN duhet të vazhdojë. Ai thotë se do të ishte mirë për Shqipërinë, nëse do të vazhdonte me tej të kishte një bashkëpunim sa më të ngushtë të mundshëm.
Një vazhdim i bashkëpunimit të ngushtë do të ishte një sinjal që ky stabilitet duhet të ruhet dhe ky do të ishte një sinjal i rëndësishëm për Shqipërinë ndaj investuesve.
Kryediplomati gjerman lë shpresa të qarta se Bundestagu gjerman do ta ratifikoj para pranverës protokollin për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO dhe se po ashtu Bundesrat do ta miratojë marrëveshjen e MSA.
Por paralajmërimi i tij më serioz mbetet rreth zgjedhjeve të vitit 2009 në Tiranë. Duke shpjeguar lodhjen që ka Bashkimi Evropian nga tejzgjerimi i kufijve të tij, kryediplomati gjerman thotë se është e domosdoshme që nga Tirana të mos vijë asnjë lajm i keq në Bashkimin Evropian. Nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme, atëherë pasojat për Shqipërinë sipas tij do të jenë katastrofike. Vendi do të stopojë integrimin e tij në Bashkimin Evropian dhe do të bëjë shumë hapa prapa. Ai shpreh një entuziazëm të përmbajtur lidhur me ritmet e reformës zgjedhore dhe mundësinë e prodhimit të kartave të identitetit por i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë bashkë dhe shpejt për të realizuar zgjedhje me standarde të larta, që i kanë hije një vendi që do të jetë në pranverë anëtar i NATO.
Java e parë e Tetorit, na kujton të gjithëve rënien e Murit të Berlinit, e cila ka qenë një ngjarje e madhe për gjithë vendet që ishin nën regjimin komunist. Sa ndjehen ende në pjesën lindore të Gjermanisë gjurmët e së shkuarës komuniste?
Para 18 vjetësh, më 3 tetor ne lamë përfundimisht pas ndarjen e Gjermanisë. Regjimi i padrejtësive në Republikën Demokratike Gjermane(RDGJ) u kapërcye, sepse qytetaret dhe qytetarët kishin rrëzuar murin. Kështu RDGJ- ja dhe regjimi i padrejtësive i përkasin së kaluarës. Por, historitë individuale të njerëzve në RDGJ nuk janë përcaktuar vetëm nga sistemi dhe padrejtësitë e tij. Shumica e tyre kanë punuar dhe arritur shumë.
Në RDGJ ka pasur lumturi, suksese dhe realizime. Dhe kjo jo falë diktaturës së
partisë në pushtet Unionit Socialist Gjerman (SED), por pavarësisht ekzistencës së saj. Prandaj ne tregojmë mirënjohje ndaj së kaluarës individuale të njerëzve, të cilët kanë ndjekur rrugën e tyre në RDGJ pa u bërë fajtorë. Kjo gjurmë e së kaluarës duhet të mbetet e ndjeshme.
Cila ka qenë problemi më i madh për integrim, infrastruktura dhe zhvillimi ekonomik, apo kultura demokratike?
Ajo, çka gjermano- lindorët me kurajë të madhe dhe të gatshëm për sakrificë përmbushën në vitin 1989 si kusht për bashkimin gjerman ishte një revolucion politik për të drejtën dhe lirinë, pra për një kulturë tjetër politike. Por pasojat e një ndarjeje 40- vjeçare na venë edhe sot para sfidave të mëdha. Jo të gjithë janë të kënaqur me gjithëçka që është bërë dhe arritur deri tani.
Te disa ekziston një fiksim i njëanshëm te materialja, ndryshimet ekonomike midis Lindjes dhe Perëndimit. Edhe një këtë fushë ne kemi të gjitha arsyet të vlerësojmë kontributin e qytetareve dhe qytetarëve në 18 vitet e fundit në të dyja pjesët e Gjermanisë.
Askund dhe asnjëherë më parë njëra pjesë e një vendi nuk e ka ndihmuar pjesën tjetër në një shkallë të ngjashme.
Se sa probleme janë kapërcyer, kjo bëhet veçanërisht e qartë, nëse krahasojmë zhvillimin që kanë pësuar landet e reja federale me zhvillimin në vendet fqinje të Evropës Lindore nisur nga një situatë fillestare politike dhe ekonomike e ngjashme brenda të njëjtit hark kohor.
Muri i Berlinit për çdo vend ish komunist, na kujton dhe makthin e mungesës së lëvizjes së lirë. Sa e lehtë do të jetë që qeveria gjermane të japi pëlqimin e saj për liberalizimin e vizave me Shqipërinë?
Qeveria federale gjermane e ka miratuar "Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave" me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Pra, miratimi për liberalizimin e vizave parimisht është dhënë. Se kur do të ndodhë, kjo gjë është në dorë të qeverive të rajonit: "Udhërrëfyesi" ("Road Map") numëron ende shumë reforma të domosdoshme.
A është liberalizimi i vizave me Shqipërinë, vetëm një çështje kushtesh, që duhet të plotësojë Shqipëria, apo dhe një problem i
brendshëm që mund të përdoret në politikën gjermane, para zgjedhjeve të Vjeshtës së vitit 2009?
Edhe një herë e theksoj: Vendimi në parim për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë tashmë është marrë.
Bundestagu ka ratifikuar MSA me Shqipërinë, ndërsa Bundesrat ende jo? Është çështje procedure apo problem politik?
Bundestag-u dhe Bundesrat-i gjerman i kanë marrë përkthimet përfundimtare të teksteve të marrëveshjes në fillim të vitit 2008. Pas
kësaj ka nisur procesi i ratifikimit, i cili aktualisht po ecën normalisht. Nuk ka probleme me ratifikimin: Gjermania i qëndron vendimit themelor të BE-së, sipas së cilit e ardhmja e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është në BE.
Shqipëria po shkon drejt anëtarësimit të plotë në NATO, ndoshta në Samitin e pranverës. Kur pritet ta ratifikojë parlamenti gjerman protokollin e anëtarësisë për Shqipërinë dhe Kroacinë?
Kabineti qeveritar federal e miratoi Protokollin e Anëtarësimit më 24.9.2008 dhe në këtë mënyrë ka nisur dhe ratifikimi në
Gjermani. Për këtë është i nevojshëm edhe miratimi nga Bundestag-u. Kjo do të ndodhë brenda kohës së duhur, deri kur të zhvillohet samiti i NATO-s në Strasburg dhe Kehl në prill 2009.
Ka një frikë nga tejzgjerimi i Bashkimit Evropian me vende të standardit shqiptar. Sa ndjehet kjo në politikën gjermane dhe sa mund të ndikoj kjo gjë, përveç problemeve tona për të qenë larg vitit të anëtarësimit në BE?
Keni të drejtë: te shumë njerëz në BE ekziston një farë "lodhje nga zgjerimi". Kësaj "lodhjeje" mund t'i përgjigjet politika më së miri me lajme të mira nga Ballkani Perëndimor. Dhe këtë dëshiron edhe politika gjermane: ne e shohim të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Analiza e fundit e Transparency International, e cila tregoi se Shqipëria në vitin 2007 ka bërë hapa të dukshme përpara në luftën kundër korrupsionit, ishte një lajm i tillë i mirë. Zgjedhjet në vitin 2009 do të jenë veçanërisht të rëndësishme: ato do të duhet të vlerësohen si të drejta dhe të ndershme nga vëzhguesit e pavarur. Gjermania dëshiron që Shqipëria të integrohet në BE. Kjo thuhet edhe në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë federale gjermane. Çdo lajm i mirë nga Shqipëria na e bën më të lehtë t'ua sqarojmë këtë qytetarëve në Gjermani. Çdo lajm i keq, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme si psh. zgjedhjet, do ta vështirësonte.
Shqipëria ka përpara saj disa sfida që kanë të bëjnë me reformën elektorale dhe reformën në drejtësi. Shumë hapa, politika shqiptare po i ndërmerr vet pa nevojën e ndërmjetësimit ndërkombëtar? A jeni të kënaqur për këtë?
Përmirësimi i klimës politike në Shqipëri, larg një politike të brendshme të karakterizuar nga konfrontimet, dhe e orientuar drejt një politike të bashkëpunimit dhe kompromiseve, atje ku kjo është e mundur për palët, përbën një zhvillim shumë pozitiv për Shqipërinë. Kolegët e mi në BE dhe unë inkurajojmë qeverinë dhe opozitën të vijojnë përballjet politike në këtë formë.
Ka një përpjekje të qartë të qeverisë për të ulur rëndësinë e misionit të OSBE në Shqipëri, si shenjë që dëshmon se vendi po
shkon drejt stabilitetit. A është kjo diçka e mirëpritur prej vendit tuaj?
Qeveria gjermane i rekomandon asaj shqiptare të shfrytëzojë më tej mundësitë e misionit të OSBE-së në kuadrin e mandatit ekzistues si konsulencë dhe mbështetje për programin e saj të reformave. Qeveria shqiptare ka kritikuar disa pjesë të programit të OSBE-së. Për këtë duhet të zhvillohet një dialog i hapur.
Reforma zgjedhore shihet si një kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme me standard të përmirësuar në vitin 2009. Si e shikoni ju punën e deritanishme?
Unë shpresoj, që ligji i ri elektoral të miratohet sa më shpejt nga Parlamenti. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare po afrojnë dhe kuadri i përgjithshëm duhet t'i bëhet i ditur në kohë të gjitha forcave politike. Zgjedhësit shqiptarë si dhe ne jemi në pritje të një regjistri të ri për zgjedhësit. Në këtë pikë unë jam shumë optimist, që ky regjistër do të përgatitet së shpejti me mbështetjen e OSBE-së dhe BE-së. Veç kësaj duhet të bëhet dhe shpërndarja e pasaportave biometrike. Unë nuk kam arsye të dyshoj në sigurinë që jep qeveria, se shpërndarja e tyre do të bëhet në kohë për zgjedhjet.
Shqipëria do të jetë bërë anëtare e NATO-s në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme. Në një vend anëtar të NATO-s duhet të zhvillohen zgjedhje jo problematike.
Zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve do të jetë shumë i rëndësishëm edhe për përafrimin e vendit tuaj në BE.
Ka pasur shqetësime dhe nga diplomatë amerikanë mbi përplasjet e qeverisë me institucionet e pavarura në vend, kryesisht Presidentin, Prokurorinë e Përgjithshme dhe Gjykatën e Lartë? A ju bashkoheni ju këtyre shqetësimeve dhe sa të rëndësishme janë ato?
Ju jeni duke prekur dy çështje. Eshtë mjaft normale që në një shtet demokratik të lindin debate midis institucioneve kushtetuese të pavarura mbi kufizimin e mandateve përkatëse. Nëse për këtë nuk bihet dakord, atëherë këto çështje i kalojnë Gjykatës Kushtetuese.
Pyetja e dyte që lidhet me sistemin e drejtë sisë: Kolegët e mi të BE-së dhe unë e ndjekim me interes të madh reformën në drejtësi. Qeveria shqiptare synon që edhe gjykatësit dhe prokurorët të vihen para përgjegjësië për krime dhe shkelje. Ky është një objektiv legjitim, të cilin ne e mbështesim. Nga ana tjetër një forcim i ekzekutivit në kuadrin e luftës kundër korrupsionit psh. në drejtësi dhe prokurori, rrezikon të mbysë pavarësinë e gjyqësorit. Kjo e fundit duhet të ruhet dhe të forcohet më tej.
Ndarja e pushteteve është një arritje themelore e demokracisë. Ajo nuk duhet të vihet në rrezik. Përmes misionit EURALIUS, ku merr pjesë dhe Gjermania, Bashkimi Evropian i ofron Shqipërisë konsulencë për luftimin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë pa interferuar në mënyrë substanciale në pavarësinë e drejtësisë. Unë i inkurajoj autoritetet shqiptare të shfrytëzojnë këtë mision mjaft të kualifikuar më shumë për ligjet e reja si dhe në procesin e legjislacionit në tërësi.
Kryeministri thotë se pas vitit 2009, Shqipëria do të ketë një marrëveshje formale me FMN, që nuk parasheh këtë shkallë përfshirje që ka ky institucion financiar në çështjet e politikës ekonomike dhe financiare në Shqipëri. A mendoni se ne kemi mbërritur të ruajmë stabilitetin ekonomik pa përfshirje të fortë të rekomandimeve të FMN?
Më lejoni të përgëzoj Shqipërinë për bashkëpunimin e suksesshëm me FMN-në. Do të ishte mirë për Shqipërinë, nëse do të vazhdonte me tej të kishte një bashkëpunim sa më të ngushtë të mundshëm.
Stabiliteti makroekonomik që ka karakterizuar vendin tuaj gjatë bashkëpunimit me FMN-në, ka krijuar besim në zhvillimin ekonomik të vendit Tuaj dhe ka afruar investues të huaj në Shqipëri. Një vazhdim i bashkëpunimit të ngushtë do të ishte një sinjal që ky stabilitet duhet të ruhet dhe ky do të ishte një sinjal i rëndësishëm për Shqipërinë ndaj investuesve.
Desha ta mbyll intervistën me një opinion tuajin me skenarin më pozitiv që do të bënte që shqiptarët tu hiqeshin vizave para zgjedhjeve të vitit 2009 dhe të bëheshin anëtarë me të drejta të plota për NATO, (gjithmonë para zgjedhjeve parlamentare)?
Dhe skenari më negative që mund të na privoj nga këto objektiva?
Unë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria do të bëhet anëtar i NATO-s në pranverë të vitit 2009. Por njëkohësisht nuk mund të spekuloj lidhur me afatin, se kur do të përmbushen kushtet e "Udhërrëfyesit për Vizat". Gjermania e mbështet Shqipërinë në arritjen e objektivave të "Udhërrëfyesit të Vizave", psh. në përmjet asistencës së policisë, apo konsulencës në luftën kundër korrupsionit.