E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB: U miratua rezoluta serbe

Nga RFE

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e miratoi rezolutën e paraqitur nga Serbia për të kërkuar mendim këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës- nëse ajo është ose jo në pajtim me ligjin ndërkombëtar.

Për rezolutën 77 vende anëtare të OKB-së kanë votuar për, 74 kanë abstenuar dhe 6 kanë qenë kundër.

Pritet që dy deri në tre vjet të kalojnë deri sa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ta japë opinionin e saj.

Beogradi ka thënë se këshilla neutrale juridike do të ndihmojë në uljen e tensioneve në rajon, por përkrahësit e Kosovës thonë se ajo do të ngadalësojë integrimin e Prishtinës në komunitetin botëror.

Edhe pse rezoluta serbe është miratuar nga Asambleja, shumë nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë abstenuar.

SHBA, sikurse edhe Shqipëria e kanë kundërshtuar atë.

Përfaqësuesja e SHBA-së Rosemary Di Carlo i ka thënë Asamblesë se kërkesa e Serbisë ka qenë e panevojshme dhe jodobiprurëse, për të shtuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Ambasadori britanik në OKB John Sawyers ka përsëritur përkrahjen e plotë të Londrës për GJND, por ka shtuar se kjo nuk nënkupton se e mbështet rezolutën e Beogradit, për të cilën Britania ka abstenuar.

"Arsyeja është se kërkesa e Serbisë është bërë më shumë për arsye politike sesa juridike", ka thënë ai për të shtuar se rezoluta "është dizenjuar që të ngadalësojë shfaqjen e Kosovës si një komb i pavarur i njohur në masë të madhe ndërkombëtarisht, në institucionet ndërkombëtare të botës, ku edhe ajo do të luante rolin e vet".

Ndarjet në BE, kane qenë të qarta, meqë Qiproja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Spanja mbështetën kërkesën serbe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›