E Shtunë, 31 Tetor 2026

Carvalho braktis Portugalinë

Nga Express më 01 shtator 2011 në ora 21:00

Qendërmbrojtësi i Real Madridit, Ricardo Carvalho është pensionuar nga futbolli ndërkombëtar për shkak të “mungesës së respektit” ndaj tij.

33 vjeçari braktisi kampin stërvitor të Portugalisë në Obidos, ku ishin duke u përgatitur për ndeshjen kualifikuese për Euro 2012 kundër Qipros të premten.

Po ashtu qarkullojnë njoftime se Carvalho kishte mosmarrëveshje me selektorin Paulo Bento.

Federata portugeze e Futbollit publikoi një komunikatë në ueb faqen e saj: “Ricardo Carvalho u largua nga kampi stërvitor pa informuar FPF-në ose selektorin e ekipit kombëtar. Futbollisti nuk do të udhëtojë në Qipro”.

Carvalho, i cili ka bërë 75 paraqitje për Portugalinë, ka publikuar po ashtu një komunikatë të tijën në agjencinë portugeze të lajmeve Lusa.

“Ndihem në kulm të formës fizike dhe mendore, siç kam treguar në paraqitjet e mia për klubin dhe Kombëtaren. Por, nëse ndihem se jam tepricë e një gjë e tillë nuk më thuhet, e vetmja mundësi për mua është të largohem. Kam luajtur 75 herë për Portugalinë dhe kam mbrojtur emrin e ekipit portugez. Kurrë më parë nuk jam ndjerë i parespektuar dhe me dinjitet të lënduar. Në mesin e bashklojtarëve të mi jam vetëm një futbollist i rëndomtë. Nuk kam planifikuar të përfundoj karrierën time ndërkombëtare në këtë mënyrë, por rrethanat më kanë detyruar të marr këtë vendim. Dua t’u falënderohem të gjithë portugezëve”, deklaroi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›