E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet tregu i futbollit fund shitblerjeve ne futboll ne gjithe Europen

Në mesnatë gongu ra dhe asnjë lëvizje nuk mund të bëhej pas atij afati. Mediat elektronike, radiotelevizive dhe ato të shtypit të shkruar gjithsesi pritën pak më gjatë derisa marrëveshjet e minutave dhe sekondave të fundit të përfundonin dhe të bëheshin publike. Italia, Spanja dhe Anglia i dhanë fund tregut të futbollit për verën e këtij viti dhe do të duhet të presin janarin e vitit 2012 për përforcimet e reja.
Në Apenine, Interi arriti të mbante Uesli Snajderin, pra nuk humbi një tjetër yll të madh pas Samuel Etosë. Ardhja e Diego Forlanit u shoqërua edhe me afrimin e lojtarit ofensiv të Lacios, Zarate.

Lëvizje të forta të Romës, ndërsa verdhekuqtë morën plot 4 lojtarë. Pasi u zyrtarizuan Pjaniç e Kjer, kryeqytetasit bënë të vetët edhe Fernando Gagon e Realit për 7 milionë euro dhe Fabio Borinin e Parmës në formë huazimi.

Një lëvizje në momentet e fundit ishte edhe ajo e Milanit për mesfushorin e Palermos, Antonio Noçerino. Një lëvizje e zgjuar e kuqezinjve, ndërsa kostoja e operacionit sipas mediave italiane është vetëm 500 mijë euro.

Në Spanjë pati vetëm një lëvizje shumë të rëndësishme në momentet e fundit dhe kjo ishte ajo e brazilianit Diego. i padëshiruar nga trajneri i Volfsburgut, Feliks Magat, mesfushori sulmues u bë lojtar i Atletikos së Madridit, duke zënë vendin e lënë bosh nga Sergio Agero.

Së fundi, Anglia, e cila në tërësi ka shpenzuar gati 500 milionë stërlina në këtë periudhë 3-mujore. Çelsi nuk arriti të siguronte shërbimin e kroatit Luka Modriç, pasi Totenhem hodhi poshtë një ofertë prej 40 milionë stërlinash për organizatorin. Po ashtu, Porto nuk pranoi 20 milionë stërlina për Alvaro Pereirën, ndërsa kërkoi 25 milionë për uruguajanin. Së fundi, flluskë sapuni doli edhe tentativa për Frank Riberinë e Bajernit. Blutë arritën të merrnin në sekondat e fundit, mesfushorin Raul Meireles nga Liverpuli për 12 milionë stërlina, ndërsa Arsenali u tregua shumë më i lëvizshëm. Në mbrojtje u morën Andre Santos i Fenerbahçes dhe Per Mertezaker i Verderit e i Gjermanisë. Në mesfushë erdhi Mikel Arteta, si zëvendësues për Sesk Fabregasin dhe po ashtu Josi Benajun nga Çelsi. Së fundi, Stouk Siti mori Piter Krauçin dhe Uilson Palasiosin nga Totenhemi, ndërsa Liverpuli riktheu në ekip uellsianin Krejg Belami, që ishte tek Mançester Siti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›