E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndëshkimi i qëllimshëm, dy ndeshje moslojë

Nga Express më 01 shtator 2011 në ora 22:00

Delegati i gjyqtarëve të UEFA-s, Pierluigi Collina ka bërë të ditur se futbollistët që qëllimisht marrin ndëshkim në mënyrë që të suspendohen, do të dënohen me dy ndeshje moslojë.

Tema u përhap sezonin e kaluar, kur trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho udhëzoi mbrojtësin Sergio Ramos dhe mesfushorin Xabi Alonso të ndëshkohen qëllimisht në ndeshjen e tyre të parafundit në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve kundër Ajaxit (fitore 4-0), në mënyrë që të mos kenë të drejtë loje në takimin e ardhshëm, të parëndësishëm sa i përket renditjes ose kualifikimit.

“Futbollistët që qëllimisht provokojnë karton të verdhë dhe marrin suspendime, do të dënohen me dy ndeshje moslojë. Kjo është e qartë, ju nuk mund të vendosni se kur do të suspendoheni”, tha Collina për UEFA.com.

Italiani theksoi se është detyrë e UEFA-s të mbrojë futbollistët nga ndërhyrjet e ashpra.

“Ne nuk duam të shohim këmbë të thyera. Duhet t’i shmangemi mundësisë që një futbollist të rrezikojë shëndetin e tij nga dikush tjetër. Nuk na nevojiten mjekët në fushë. Ne duhet t’i bindim futbollistët të mos rrezikojnë kundërshtarin. Respekti ndaj kundërshtarit dhe mbrojtja e tyre janë objektivat tona kryesore”, përfundoi Collina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›