E Shtunë, 31 Tetor 2026

Caspian: "Më duket se do ta shoh Nedën sërisht"

Caspian Makan është një nga ata njerëz që pësuan humbjet më të mëdha gjatë ditëve të revoltave paszgjedhore në Teheran, verën e kaluar. Ato ditë e dashura e tij iku për të mos u kthyer më nga një plumb snajperi, sikundër edhe rreth 80 civilë të tjerë që mbetën rrugëve të Teheranit. Vetëm se dhimbja e tij është shumëfishuar nga fakti se momentet e fundit të jetës së të dashurës së tij u filmuan dhe u hodhën në internet. Bëhet fjalë për disa sekuenca rreth 1 minutë e gjysmë që e shndërruan vajzën nga Teherani në ikonë të një revolte që ende sot nuk është qetësuar. Por simbolet shkatërrojnë jetë njerëzish. Ditët dhe javët që pasuan vdekjen e Nedas dhe që i shkaktuan Caspianit humbjen e gruas që dashuronte, u shndërruan për të në ditë të humbjeve të mëdha. Veç gruas me të cilën kishte vendosur të lidhte jetën, ai humbi edhe atdheun e tij, shokët dhe karrierën. Të gjithë ata që kishin të bënin me Nedan, me vdekjen e saj, ishin të rrezikshëm për qeverinë iraniane. Anëtarët e familjes së saj, veç humbjes, pësuan shumë diskriminime, kërcënime dhe madje disa edhe u burgosën. Mjeku që u ndodh pranë të ndjerës në momentin e saj të fundmë, njeriu që u filmua edhe nga kamera amatore, tani ndodhet në mërgim në Britaninë e Madhe. Mësuesi i muzikës që ishte me Nedan ditën e demonstratës dhe deri në çastin kur ajo u godit për vdekje, ka deklaruar nga frika se nuk mban mend se çfarë ka ndodhur atë ditë dhe është tërhequr në vetminë e tij. Ndërsa vetë Caspian, njeriu më i afërt i saj, u zhduk. Ditët që pasuan vrasjen e studentes, ai foli për një stacion të huaj televiziv dhe pas kësaj askush nuk mori më lajme prej tij. Më në fund doli se djaloshi ndodhej në burgun famëkeq të Teheranit, që është edhe simboli i frikshëm i regjimit islamik, në të cilin shkojnë të gjithë armiqtë e tij përmes policisë së fshehtë. Aty ai qëndroi i mbyllur e i lënë vetëm për më se dy muaj. Në shtator u la i lirë me kusht, ndërkohë që gjykimi i tij vazhdon. Por duke pasur parasysh rrezikun që mund t‘i vinte nga gjykimi, pra mundësinë e një gjyqi të shtrembëruar, shoqëruar me një dënim shumë të gjatë, i nxitur nga familjarët dhe miqtë e tij, Caspian vendosi që ta lerë vendin dhe të ikë larg për të shpëtuar kokën. Aktualisht ai qëndron i fshehur dhe vendndodhja e tij është e fshehtë. Nuk dëshiron që njerëzit ta dinë se ku ndodhet. Frika e madhe është ajo e policisë sekrete iraniane, që mund ta gjejë dhe ta dërgojë me forcë në atdhe. Megjithatë ai ndodhet në një apartament në një shtet të Lindjes së Mesme. Një gazetare britanike vendosi që ta kontaktonte dhe të mësonte prej tij faktet e një historie shumë të dhimbshme e tragjike, një tragjedie personale me përmasa ndërkombëtare. Caspian, në pamje të parë ka pamjen e një djaloshi të qetë, që ka bërë paqe me veten. Nuk duket aspak i lodhur nga një ikje e gjatë nëpër male. Por kjo vetëm në pamje të parë, sepse po t‘i afrohesh, do të vesh re rrathët që i qarkojnë fytyrën. Ato janë tregues i padiskutueshëm i një lodhjeje e dhimbjeje që djaloshi mundohet t‘i mbajë të fshehtë. Kur vendosi ta linte vendin e tij për të shpëtuar, mori me vete vetëm pak gjëra personale, mes të cilave një kompjuter ku mban fotografitë me Nedan. Të dy duken shumë të dashuruar, të lumtur, me një shkëlqim sysh që shfaq hapur një gjendje shumë të mirë shpirtërore. Teksa tregon fotot e Nedas, Caspian përkëdhel me mollëzat e gishtërinjve ekranin, si të donte ti dërgonte të dashurës një shenjë se ai ende e do dhe mendon për të, edhe pse tashmë në dimensione të ndryshme. Historia e tyre e dashurisë nisi si çdo romancë që nis mes të rinjve kur janë me pushime. Ata ishin në të njëjtin grup turistik të rinjsh gjatë një vizite në Turqi prillin e kaluar. Për të Neda ishte një vajzë jo vetëm me një bukuri të rrallë, por edhe me një mendje të ndritur, me humor dhe me një zemër të artë. Turqia është një vend ku iranianët mund të shkojnë pa vizë, një ndër vendet e pakta dhe si pasojë është shumë e preferuar. Në këtë vend femrat nuk detyrohen që të mbajnë shami koke dhe për këtë arsye fotot e Nedas në Turqi janë pa shami dhe ajo vetëm ngjan me të gjitha vajzat e moshës së saj në Perëndim. Djaloshi kujton me një zë plot mallëngjim bisedat e para me Nedan. Ajo ishte shumë fetare dhe kishte studiuar teologji dhe filozofi islamike në Universitetin e Teheranit. Por e kishte lënë studimin përgjysmë, pasi befas kishte kuptuar se nuk ishte në një mendje me ato që i mësoheshin në shkollë për Zotin. Ishte martuar shumë e re dhe më pas ishte divorcuar, por të dy kishin rënë dakord që të mos flisnin për marrëdhëniet e tyre të mëparshme. Ajo nuk ishte e interesuar në lidhje të rastësishme dhe të përkohshme dhe synonte të gjente një njeri me të cilin të ndante për shumë kohë mendimet dhe ndjenjat e saj për botën dhe për të bukurën. Caspian ishte 38 vjeç, 12 vjet më i ri se ajo, dhe që në momentin e parë e kuptoi se kjo vajzë ishte një histori serioze. Por në fillim të dy ishin shumë nervozë, sepse në fund të fundit mund të ishte edhe thjesht një romancë pushimesh, që do të merrte fund menjëherë. "Për 10-12 ditë pas udhëtimit, nuk e pamë njëri-tjetrin dhe këtë e bëmë sepse donim që të kuptonim se çfarë ndjenim realisht për njëri-tjetrin dhe nëse do të na merrte malli edhe me t‘u kthyer në shtëpi. Një ditë vendosëm që të takoheshim dhe po atë ditë e kuptuam se dëshironim që të shiheshim sërish e sërish. Që pa ardhur Neda, unë e kuptova që doja të isha me të dhe kur ajo erdhi, më tha se ndihej njësoj si unë", rrëfen Caspian. Çifti nuk u fejua zyrtarisht, por sigurisht që planet ishin bërë të gjitha për një ceremoni zyrtare. Ata madje kishin prerë biletat për të shkuar sërish në Turqi, këtë herë vetëm, në një udhëtim me njëri-tjetrin. Ishin planet personale të një çifti që nuk u realizuan kurrë, sepse atëherë Neda vdiq dhe Caspian përfundoi në burg. Ndërkohë, nga njohja e tyre kishin ndodhur shumë gjëra, përfshi edhe zgjedhjet presidenciale. As Neda e as Caspian nuk kishin ndonjë interes të veçantë për politikën. Për ta zgjedhjet ishin një veprimtari formale, sa për sy e faqe. Ëndrrat për reforma nuk ishin realizuar kurrë dhe çdo gjë në Iran dominohet nga elita fetare. Për sa u përket zgjedhjeve presidenciale, ato do të organizoheshin mes Ahmadinexhadit që kishte drejtuar vendin gjatë një mandati dhe shefit të opozitës, Mir Mousavi. Si Caspian, ashtu edhe Neda, nuk kishin ndërmend që të votonin, sepse nuk besonin në drejtësinë e votës. Disa ditë para zgjedhjeve u formua edhe "lëvizja e gjelbër" dhe në rrugët e qytetit ndihej atmosfera e karnavaleve. Neda ishte e përfshirë nga kureshtja dhe dëshira për të parë se çfarë bëhej jashtë, si reagonin njerëzit, ndërkohë që Caspian ishte shumë më i rezervuar. "I thosha shumë shpesh që nuk duhej të dilte në rrugë dhe të mbështeste Mussavin dhe ajo më përgjigjej se nuk dilte për të, por për opozitarët e tjerë, njerëzit e thjeshtë si ne, që kërkonin drejtësi dhe liri", rrëfen Caspian. Fati i zgjedhjeve dihet, por ajo që nuk dinë ata që jetojnë jashtë Iranit, është mbështetja e madhe mediatike që mori Ahmadinexhad para dhe pas zgjedhjeve. Iranianët u ndjenë të mashtruar, të zhgënjyer dhe kur dolën në rrugë për të kërkuar të drejtën, u përballën me dhunën dhe forcën e një regjimi që nuk kishte ndërmend të lëshonte pe. Më të rrezikshmit në rrugë ishin Rojet Revolucionare, milicia Basij, pasi këta të fundit shpesh ishin të veshur edhe civilë. Për disa ditë rrugët u shndërruan në sheshe beteje. Protestuesit ishin të gjithë të paarmatosur, përveç faktit që kishin gurë, apo shishe në duar për t‘iu kundërvënë sulmeve. Veç kësaj kishin edhe celularët me të cilët mund të filmonin dhe të përcillnin të vërtetën përtej kufirit, duke qenë se qeveria nuk i lejonte gazetarët e huaj që të raportonin nga rrugët e Teheranit. Ajo çka u shndërrua në një fenomen të vërtetë, ishte pikërisht transmetimi i informacionit nga kamerat në internet dhe vdekja e Nedas ishte fatkeqësisht pjesë e kësaj të ashtuquajture "gazetari qytetare". "Neda u bashkua me protestuesit që në fillim. Ishte shumë e guximshme dhe kjo më shqetësonte, sepse parandieja se mund t‘i ndodhte diçka. I kërkova që të mos shkonte më në protesta, por ajo mendonte vetëm për qëllimin e saj: demokracinë dhe lirinë për iranianët".
Neda ndiqte ndërkohë gjithçka që ndodhte herë me të ëmën e herë me të dashurin. Përpiqej që t‘u mbushte mendjen të gjithëve që të bashkoheshin me protestuesit, sepse ishte shumë bukur, ishte e vërtetë. Ajo e ndjente për detyrë të ishte nëpër rrugë. Caspian kujton fjalët e saj: "Caspian, më lër të të them të vërtetën. Mendoj se në kushtet në të cilat ndodhemi, jemi të gjithë përgjegjës për veprimet tona, për vendimet dhe zgjedhjet tona. Edhe sikur të kishim fëmijë, unë do ta merrja me vete në demonstratë, për t‘i rrëzuar ata djaj që na qeverisin". Për Caspianin, që nga ai moment u bë e qartë që për Nedan nuk kishte kthim pas.
Ditën kur e goditën për vdekje, Caspian ishte jashtë me kamerën e tij, në një pjesë tjetër të qytetit. "Po fotografoja protestat, por ishte shumë e vështirë, sepse rojet e sigurimit mund të të kapnin dhe të të çonin drejt e në burg, nëse të shihnin me kamera, apo aparat celulari në dorë. Ishte rreth orës 18:00 apo 19:00 kur sytë më zunë njerëz që qëlloheshin me armë zjarri. Disa binin, të tjerë vetëm rrëzoheshin e më pas çoheshin. Gjatë gjithë kohës mendoja me shqetësim për Nedan. Isha shumë i shqetësuar për të. Doja t‘i telefonoja, por kishte shumë trafik dhe sistemi ishte i bllokuar dhe nuk e kontaktova përgjatë shumë orëve. Edhe atë natë nuk arrita të vë gjumë në sy. Në kokë më iknin e më vinin skena të tmerrshme. Nuk arrija të qëndroja shtrirë, ndaj shkova te kompjuteri, duke parë fotot që kisha marrë. Rreth orës 06:00 të mëngjesit më ra telefoni celular. Ishte numri i Nedas, por zëri që më foli nuk ishte i saji. Ishte e motra, e cila më tha vetëm dy fjalë: ‘Neda na la‘. Unë nuk e kuptova se çfarë më tha, dhe më pas nuk doja ta pranoja".
Në ato çaste vdekja e Nedas kishte bërë xhiron e botës. Të gjithë i patë çastet e saj të fundme, goditjen, rënien në tokë, gjakun që mbushi gjithë rrugën brenda pak çastesh. Por sapo pamjet e Nedas pushtuan globin, makina e propagandës dhe shërbimeve sekrete iraniane nisën që të transformonin të vërtetën përmes asgjësimit të të gjithë personave që kishin të bënin me martiren. Familjes iu lejua varrimi, por jo njerëzve të tjerë. Në TV u tha se organizatorët e dhunës ishin forcat e panjohura dhe elementë terroristë. Caspian, i ngërthyer nga dhimbja dhe mllefi për padrejtësitë që pasuan vdekjen, vendosi që të japë një intervistë në telefon për "BBC"-në dhe "Al Jazeera"-n, ku përshkroi në hollësi atë që ndodhi. Pasojat mund të merreshin me mend. Miqtë e tij iu lutën që menjëherë pas kësaj të ikte nga Irani, por ai nuk iku, sepse nuk donte që ta linte pas Nedan të vetme, edhe pse të ikur njëherë e përgjithmonë. Gjithçka që ndodhi pas ishte po aq traumatike, e errët dhe e frikshme, sa edhe vetë vdekja e Nedas. Më në fund Caspian ia doli të ikte, edhe pse përmes një rruge shumë të vështirë dhe i sëmurë. "Ndërsa po lija Teheranin, mendoja për njerëzit e mirë të Iranit, që janë aq të mbarë e të durueshëm. Ata më dukeshin kaq të pashpresë. Sot jam 38 vjeç dhe e kam dashur gjithmonë vendin tim dhe megjithëse jam në arrati, jam i bindur që do ta shoh sërish dhe shpresoj në një ditë më të mirë". Si mbaron fjalinë, Caspian që ka qëndruar gjatë gjithë kohës thuajse i qetë, i lejon vetes ca lot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›