E Diel, 1 Nëntor 2026

Schumacher pret bolid më të mirë, por jo edhe titullin

Nga Express më 01 shkurt 2011 në ora 10:58

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Michael Schumacher pret të ketë një bolid më të mirë nga Mercedesi për sezonin e ri, por nuk e sheh veten si konkurrent për titull.

“Nuk mendoj se jemi ende atje. Në Mercedes e dimë mjaft mirë se ku qëndrojmë. Mirëpo, nuk e dimë se ku qëndrojnë të tjerët”, tha për të përditshmen gjermane Bild të hënën. Schumacher, 42 vjeç, dhe kolegu i tij, bashkëkombësi gjerman Nico Rosberg do të fillojnë testet në Valencia të martën, pas prezantimit të bolidit të ri më herët gjatë kësaj dite.

“Kam një ndjenjë të mirë. Më 2010 menjëherë pas testeve dimërore e kam kuptuar se nuk do të jem në gjendje të rivalizoj shumë prej ngasësve. Tani shpresoj të kem një bolid me të cilin mund të luftoj për kreun”, shtoi ai.

Schumacher, i cili vitin e kaluar u kthye nga pensionimi, theksoi se nuk ishte i befasuar që ylli i Ferrarit, Fernando Alonso e përmendi atë si rivalin serioz për titull. “Fernando do të jetë i vetëdijshëm se gjërat janë duke u përmirësuar për ne. Është reale që ai shtoi Mercedesin në listën e konkurrentëve për titull”, përfundoi Schumacher. Bolidi i ri i Mercedesit është emëruar MP2 W02.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›