Çekia: Voton vendosjen e radarit antiraketë amerikane
Senatorët e Republikës çekë kanë miratuar me 49 nga 81 vota marrëveshjen dypalëshe të nënshkruar nga Praga dhe Uashingtoni për dislokimin e mburojës amerikane antiraketë në vendin e tyre. Gjatë debatit parlamentar, kryeministri çek, Mirek Topolanek, propozoi që votimi përfundimtar të bëhet pas marrjes zyrtare të postit nga presidenti i zgjedhur Barak Obama, në janar. Por këshilltari i Obamës për politikën e jashtme, Dennis McDonough, ka bërë të ditur se presidenti i zgjedhur nuk kishte mbajtur asnjë qëndrim zyrtar lidhur me këtë program. "Qëndrimi i Obamës është po ai i mbajtur gjatë gjithë fushatës së tij: ai mbështet dislokimin e një sistemi të mbrojtjes antiraketë kur teknologjia të jetë e provuar", ka thënë McDonough. Megjithatë Topolanek theksoi përpara senatorëve se administrata e re nuk kishte në plan të ndryshonte mendim për mburojën antiraketë. Sipas Uashingtonit, sistemi ka për qëllim të pengojë sulme të mundshme nga shtete si Irani. Projekti ka shkaktuar zemërimin e Moskës që shprehet se është një cënim i sigurisë së saj dhe kërcënon me vendosjen e raketave 'Iskander' në enklavën ruse Kaliningrad, e rrethuar nga vende të BE-së, nëse amerikanët këmbëngulin. Ndërkohë që Topolanek deklaroi përpara Senatit se sistemi nuk drejtohej kundër Moskës. Sipas sondazheve të vazhdueshme, projekti ka shkaktuar zemërimin e rreth 60 përqind të çekëve. Radari, i parashikuar të vendoset në një terren ushtarak ish-sovjetik që ndodhet rreth 70 kilometra në jugperëndim të Pragës, me një rreze prej afro 800 kilometrash, pritet të bashkohet me 10 interceptorë në Poloni.