Çeku:Objektivi i EULEX-it duhet përcaktuar

Objektivi i EULEX-it duhet përcaktuar me qëllimin që të shërbejë si mbështetje që Kosova të bëhet sa më shpejt tërësisht e pavarur e sovrane, shtet i qendrueshëm dhe funksional me rend kushtetues dhe sundim të ligjit, deklaroi dje kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës Agim Çeku. "Këtë duhet ta kërkojnë institucionet tona, këtë duhet ta përcaktojnë dhe këtë duhet ta publikojnë si objektiv që EULEX-i duhet ta arrijë", tha ai në një konferencë shtypi duke shprehur mbështetje për shtrirjen e misionit në gjithë territorin. "Me një përcaktim të tillë të objektivit, EULEX-i nuk është neutral ndaj statusit, respekton Kushtetutën dhe Kornizën Ligjore të Kosovës, përcaktohen qartë parametrat e suksesit dhe përcaktohet strategjia, misioni fiton përkrahje dhe bashkëpunim të plotë dhe Kosovën e sjell shumë afër Evropës", tha Çeku. Sipas tij, nuk dihet cilës kornizë ligjore i referohet EULEX-i, Kushtetutës së Kosovës, Rezolutës 1244, raportit të Ban Ki Mun-it apo Planit të përbashkët të veprimit të BE-së. Çeku mendon se UNMIK-u duhet të shndërrohet në zyrë ndërlidhëse të OKB-së për ta ndihmuar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.