E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelet panairi “Klik Ekspo Group” në Tiranë

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha theksoi sot, gjatë ceremonisë së çeljes së sesionit të 18-të të panairit ndërkombëtar të Tiranës “Klik Ekspo-Group” se, "ky panair është një eveniment i rëndësishëm për vendin".

Berisha shprehu dëshirën që këto ditë në Tiranë të jenë ditë të frytshme për sipërmarrjet e tyre. "Shqipëria ka ndryshuar me shpejtësi të madhe. Nga një vend, i cili para vitit 2005 ka pasur një mesatare të investimeve të huaja prej 38 milionë dollarë në vit, në një vend që në 3 vitet e fundit ka marrë rreth 1 miliard dollarë investime të huaj", theksoi Berisha.

Berisha vijoi më tej se, Shqipëria është vend me potenciale mjaft të mëdha të energjisë së rinovueshme. “443 hidrocentrale do të ndërtohen. Qeveria ka firmosur me sektorin privat 110 kontrata për 300 hidrocentrale të dimensioneve të ndryshme. Berisha vuri theksin mbi potencialin e madh minerar të vendit. “Në male dhe nëntokë ka rezerva të mëdha të kromit, bakrit, hekurit, nikelit”, tha Berisha.

“Modeli ynë ekonomik ka funksionuar. Ky model ekonomik bazohet në taksa të ulta dhe qeveri të vogël. Jemi një nga 10 administratat më të vogla të planetit. Jemi një ndër 10 qeveritë më të shkurtra për sa i përket biznesit në planet”, theksoi Kryeministri.

“Të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një vend realisht të besueshëm”, iu drejtua Berisha investitorëve të huaj, duk i ftuar të konsiderojnë seriozisht të investojnë në Shqipëri, ku theksoi Kryeministri, “ një mik i vërtetë do ju mbështesë fuqishëm në suksesin tuaj dhe ky është qeveria shqiptare”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›