E Diel, 1 Nëntor 2026

“21 janari” brenda dhjetorit vijnë ekspertizat nga SHBA

25/11/2011  Priten aktet e ekspertimit për 7 pistoleta

TIRANE-Brenda muajit dhjetor pritet të vijnë në Prokurorinë e Tiranës përgjigjet nga SHBA, lidhur me konklukzjonet e ekspertimit të 7 pistoletave të Gardës së Republikës. Nga burime pranë akuzës së kryeqytetit mësohet se autoritetet amerikane kanë konfirmuar, dërgimin e përgjigjeve për të gjitha pistoletat që Prokuroria shqiptare ka dërguar në SHBA. Në ditët e muajit dhjetor të këtij viti, Prokuroria do njihet me rezultatet e hetimit dhe se nëpërmjet këtyre konkluzioneve do vendoset se kush nga efektivët e Gardës së Republikës do merret i pandehur për katër vrasjet e 21 janarit, të ndodhura para godinës së Kryeministrisë. Momentalisht hetuesit e çështjes kanë mbyllur të gjitha veprimet hetimore, dhe se tashmë janë në pritje vetëm të rezultateve të ekspertizave në SHBA. Pas kësaj dosja, me disa të pandehur do dërgohet në gjykatë përpara datës 21 janar, kur dhe mbushen plot 1 vit nga demonstrata e dhunshme, në të cilën mbetën të vrarë me armë zjari shtetasit Aleks Nikaj, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi. Lidhur me këto vrasje Prokuroria e Tiranës urdhëroi arrestimin e 7 gardistëve, por momentalisht vetëm njëri prej tyre Agim Llupo ndodhen i izoluar në qeli. Ndërsa për sa i përket 6 efektivëve të tjera ata janë duke u hetuar në gjendje të lirë. E.Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›