E Shtunë, 31 Tetor 2026

I heq shtëpisë dyer e dritare, në kërkim të autorit

25/11/2011  Hajduti 38-vjeçar vodhi çdo pajisje e orendi në banesë, mori dhe “mburojat” e fundit

DEVOLL- Shtetasi 38-vjeçar Artan T., banues në qytetin e Korçës, ka mundur të vjedhë një banesë në këtë qytet, duke e zhveshur atë krejtësisht nga të gjitha pajisjet elektronike, orenditë e kuzhinës dhe gjithë orenditë e tjera që gjendeshin në brendësi të saj. Madje nuk është mjaftuar vetëm me kaq, kur ka parë se në këtë shtëpi nuk kishte mbetur asgjë tjetër për t’u vjedhur, i kishte hequr banesës edhe dyert edhe dritaret, duke e shndërruar këtë shtëpi në një objekt të pabanueshëm. Mësohet gjithashtu se 38-vjeçari kishte mundur ta vidhte me lehtësi shtëpinë, pasi ai kishte pasur dijeni që pronari i banesës nuk jetonte në Korçë, por në fshatin Kapshticë të rrethit Devoll. Vjedhja në fjalë do të konstatohej vetëm kur pronari i banesës, 62-vjeçari me inicialet H.B do të vinte në Korçë (si gjithnjë) për të parë banesën e tij. Për të gjithçka kishte qenë e papritur: në shtëpinë e tij nuk kishte mbetur asgjë, as dyert dhe as dritaret; ngjasonte me një banesë të braktisur. E vetmja rrugë ku mund të gjente ngushëllim dhe të kërkonte ndihmë i mbetej policia. Fatmirësisht pas denoncimit tij, policia do të bënte të mundur identifikimin e tij, por autori i ngjarjes nuk gjendej më në qytetin e Korçës. Ai ishte larguar në drejtim të paditur. Sipas burimeve të policisë, autor i vjedhjes është 38-vjeçari Artan.T., banues në lagjen nr. 4 t ë Korçës. Vepra penale e konsumuar është ajo e “vjedhjes” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal, ndërsa materialet e përpiluara do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Korçë për ndjekje të mëtejshme, sqaruan burimet policore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›