E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çertifikohen 140 punonjës të rinj të Policisë së Shtetit

TIRANE-Në ambientet e Qendrës së Formimit policor në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e çertifikimit të 140 punonjësve të rinj të Policisë së Shtetit, që përfunduan me sukses kursin 22 javor, të Shkollës Bazë të Policisë "Për patrullë të përgjithshme".

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, theksoi në fjalën e tij se "gjatë zbatimit në praktikë të njohurive të fituara ju mund të përballeni me vështirësi të natyrave të ndryshme. Prandaj ju këshilloj që ashtu si deri tani, të jeni këmbëngulës në zbatimin në praktikë të njohurive të përfituara, të përfitoni nga përvoja e kolegëve në terren, të respektoni kolegët dhe eprorët tuaj, të respektoni gjithmonë qytetarin dhe të rrisni në vazhdimësi cilësinë e shërbimeve që ne i ofrojmë atij".

Në mënyrë të veçantë, Burgaj përsëriti kërkesën dhe nevojën që ka shoqëria ndaj Policisë së Shtetit për përmirësim të mëtejshëm të parametrave të rendit e sigurisë publike, si dhe për rritjen e efiçencës në funksion të zbatimit të ligjit.
Ndërsa Drejtori i Qendrës së Formimit Policor, Hamdi Fjora, tha se "detyra e punonjësit të policisë është e vështirë dhe komplekse, por unë jam plotësisht i bindur se bazat e njohurive që ju morët, ndërsa përgatiteshit si njerëz të zbatimit të ligjit, janë shumë të shëndosha".
Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falenderoi për kontributin dhe asistencën e dhënë partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht programin ICITAP dhe Misionin PAMECA III për trajnimin bazë.
Punonjësit e sapoçertifikuar të Shkollës Bazë të Policisë "Për patrullë të përgjithshme" do të vijojnë tashmë programin e trajnimit në terren përgjatë 22 javëve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›