E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Policia irritoi protestuesit, me megafon bëja apel për qetësi

02/12/2011  Pas 11 muaj nga ngjarja, Prokuroria pyet deputetin Tahiri për demonstratën

TIRANE-Kur kanë kaluar 11 muaj nga demonstrata e dhunshme e 21 janarit, Prokuroria e Tiranës ka vendosur të vijojë me pyetjen e personave që organizuan dhe drejtuan tubimin përpara godinës së Kryeministrisë. Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, është paraqitur dje në Prokurori, ku përpara prokurorit Ervin Karanxha dhe dy oficerëve të Drejtorisë së Policisë Tiranë ka dhënë dëshminë e tij, lidhur me ngjarjet e dhunshme që u zhvilluan gjatë demonstratës së organizuar nga PS. Ashtu siç pritej, edhe në dëshminë e dhënë para prokurorëve, Tahiri ka rikonfirmuar dhe një herë tjetër qëndrimin e partisë së tij, se demonstruesit më 21 janar janë provokuar fillimisht nga policia, e cila ka qëlluar e para në drejtim të tyre. Për rreth 45 minuta, Tahiri ka qëndruar në dispozicion të hetuesve, duke ju përgjigjur pyetjeve të tyre, që konsistonin më shumë në rolin e Tahirit në demonstratë, gjuajtjes me gurë të demonstruesve në drejtim të policisë si dhe urdhrat që janë dhënë nga Tahiri, gjatë zhvillimit të demonstratës. Interesit të prokurorit Karanxha dhe dy oficerëve të policisë, Tahiri u është përgjigjur se ai ska dhënë asnjë urdhër për të qëlluar në drejtim të uniformave blu, që ishin rreshtuar në perimetrin e parë të sigurisë. “Vazhdimisht protestuesve të irrituar për shkak të provokimit nga forcat e rendit, u kam bërë thirrje me megafon për tu tërhequr dhe të vazhdonin protestën e tyre në mënyrë paqësore”,-mësohet të jetë shprehur deputeti i PS Sajmir Tahiri. Më tej ky i fundit ka shtuar se shkaktari i asaj që ndodhi më 21 janar gjatë zhvillimit të demonstratës së opozitës, është Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës, të cilat me provokimet e njëpasnjëshme degraduan demonstratën në atë mënyrë, duke vrarë më pas dhe katër protestues të pafajshëm. Pas daljes nga Prokuroria, deputeti i PS Sajmir Tahiri u shpreh se “Ajo që është për tu theksuar është nga njëra anë gatishmëria jonë për të ndihmuar hetimet në lidhje me 21 janarin dhe nga ana tjetër mungesa totale e gatishmërisë së atyre që urdhëruan vrasjet e 21 janarit. Kështu që sot që flasim familjarët e 4 qytetarëve që humbën jetën kërkojnë drejtësi. Fëmijët e mbetur pa prindër kërkojnë drejtësi, ndërkohë që familjarët dhe fëmijët e atyre që urdhëruan vrasjet e 21 janarit pasurohen në kurriz të qytetarëve. Kjo është pabarazia dhe mungesa e drejtësisë, mungesa e shtetit ligjor dhe paaftësia e këtij shteti për të bërë drejtësi njëlloj për të gjithë”,- ka pohuar Tahiri. Për sa i përket hetimeve lidhur me organizatorët e demonstratës, në muajin janar të këtij viti Prokuroria pyeti deputetët e PS Tom Doshi, Paulin Stërkaj, kreun e PSD Skënder Gjinushi, kreun e PDK Nard Ndoka, si dhe disa drejtues lokalë të PS në rrethe.

Rama: Tre akuza për 21 janarin

Nga Brukseli ku ishte ftuar në “Konferencën e Miqve të Evropës” Kryeprokurorja Ina Rama, theksoi se për autorët e vrasjes së katër demonstruesve të 21 janarit, do të ngrihen 3 akuza. Sipas saj, e para lidhet me vrasjet e Hekuran Dedës, Zivër Veizit, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikës, e dyta lidhet me ushtrimin e kompetencave të kryerjes së detyrës, ndërsa e treta lidhet me manipulimin e provave në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që Kryeprokurorja theksoi se një procedim tjetër, po heton lidhur me rolin e organizatorëve të demonstratës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›