E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratiset ish-SHIK Ilir Kumbaro, në rrezik procedura e ekstradimit

02/12/2011  Gjykata londineze lëshon urdhër-arrestin, i konfiskon 10 mijë sterlinat e garancisë

TIRANE-Thyhen rregullat e gjykatës londineze dhe arratiset në drejtim të paditur ish-agjenti i SHIK Ilir Kumbaro, që akuzohet nga drejtësia shqiptare si personi që ka torturuar dhe zhdukur trupin e Remzi Hoxhës në bazën sekrete të Vaimit në Lezhë. Zhdukja e Kumbaros është konstatuar dje, kur në seancën e radhës që po zhvillohet në Londër, nuk është paraqitur personi që pretendon se është Shaqa Shatri, për të cilin shteti shqiptar ka kërkuar ekstradimin e tij, pasi rezulton e provuar se ai është Ilir Kumbaro. Ky i fundit nuk ka dhënë asnjë argument për mungesën në sallën e gjyqit dhe se nuk përgjigjet në asnjërën nga adresat që i ka paraqitur gjykatës. Nga sa mësohet Kumbaro ska qenë i pajisur dhe me pajisjen elektronike, nga e cila mund të lokalizohej vendndodhja e tij. Ndërkohë që dhe vetë avokati i tij para gjykatës nuk ka ditur se me çfarë ta argumentojë mungesën e klientit të tij. Në gjendje ankthi për misterin e vendndodhjes së Kumbaros, avokati mbrojtës theksoi se kishte biseduar në telefon me klientin e tij dhe konfirmoi se Ilir Kumbaro ishte paraqitur në një stacion policie për tu regjistruar, por, siç ishte edhe kushti i lirimit të tij, një ditë më parë në orën 14:00 të pasdites, kur ende nuk dinte gjë. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e shtetit shqiptar i vuri në dukje gjykatës londineze se Kumbaro ka hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe, ka kërkuar azil politik me identitet të rremë dhe ka mjetet në dispozicion për tu zhdukur dhe për tiu shmangur drejtësisë. Nisur nga këto rrethana me kërkesë të përfaqësueses të shtetit shqiptar, gjykata vendosi të lëshojë urdhër arrestin ndaj Kumbaros, duke argumentuar se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një çështje të thjeshtë ekstradimi dhe largimi nga vendi i caktuar nga gjykata. Momentalisht Kumbaro është person që kërkohet jo vetëm nga Shqipëria, por dhe Anglia, pasi pikërisht në këtë të fundit ai ka thyer masën e detyrimit për paraqitje të caktuar nga gjykata londineze. Tani e tutje nëse Kumbaro do të bjerë në duart e drejtësisë, do të gjykohet në gjendje arresti, deri në pritje të vendimit përfundimtar. Ndërkohë që për sa i përket shumës financiare prej 10 mijë sterlina të vëna nga Kumbaro si garanci pasurore për lirinë e tij, gjykata vendosi konfiskimin e menjëhershëm të tyre. Disa javë më parë Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit në burg” të shpallur në mungesë ndaj ish-agjentit të SHIK Ilir Kumbaro, vendim që riti shpresat e familjes së Remzi Hoxhës për një ekstradim të mundshëm nga Anglia. Pavarësisht kësaj, tashmë Ilir Kumbaro duket se sërish ka humbur gjurmët, dhe se në qoftë se arratisja e tij do të zgjasë, ka shumë gjasa që ekstradimi i tij në Shqipëri të mos ndodhë kurrë.

Kumbaro torturoi Hoxhën

Ish-agjenti i SHIK Ilir Kumbaro, nga hetimet e Prokurorisë rezulton si personi i fundit që ka mbajtur nën mbikëqyrje biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha. Gjatë qëndrimit në izolim në bazën sekrete të Vaimit në Lezhë, provohet se Hoxha është torturuar për vdekje nga Kumbaro. Prokuroria shprehet se si rezultat i torturave fizike dhe psikologjike të aplikuara nga Ilir Kumbaro, Remzi Hoxha ka mbetur i vdekur. Më pas trupi i pajetë është zhdukur në rrethana misterioze nga Kumbaro, ku prej 17 vitesh ende nuk dihet mbi vendndodhjen e eshtrave të të ndjerit Remzi Hoxha.

Dy shokët e fëmijërisë dërgohen në gjyq

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›