Çështja e emrit, Greqia do të bllokojë bisedimet BE-Maqedoni
Qeveria e re socialiste e Greqisë është shprehur se do të bllokojë bisedimet për pranimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian, derisa do të mbetet pa zgjidhje çështja e emrit të saj. Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Droutsas, ka deklaruar se fillimi i bisedimeve për këtë temë në takimin e BE më 7 dhjetor, do të ishte i pakonceptueshëm, përderisa nuk është zgjidhur çështja e emrit. Greqia kërkon që Maqedonia të ndërrojë emrin. Për këtë arsye ajo ka bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ministri i jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski, i cili po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare për siguri në Greqi, ka thënë së shpreson që të dy palët kanë kohë të mjaftueshme për t'i rishqyrtuar pozicionet e tyre deri në takimin e BE-së. "Nuk ka dallime në pozicionet e Greqisë lidhur me aspiratat e Maqedonisë për fillimin e negociatave me BE-në. Në prag të Samitit të BE-së, Greqia duhet të mendojë për hapat e saj dhe të jetë pragmatike në raport me integrimin europian që synon Maqedonia", ka theksuar Milloshoski. Ai ka shtuar se nëse nuk do të jetë data për fillimin e negociatave për anëtarësim në axhendën e 7 dhjetorit në Samitin e BE-së, atëherë do të cënohet besueshmëria e BE-së dhe Komisionit Europian. Greqia përveç ndryshimit të emrit të shtetit, kërkon edhe ndryshimin e emërtimeve që mbajnë emrin "maqedonas", duke përfshirë identitetin, gjuhën dhe emërtimet e tjera në të gjitha sferat.