E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgimi i trupave shtesë në Afganistan, talebanët: Do intensifikojmë luftën

Talebanët kanë njoftuar se do ta intensifikojnë luftën në Afganistan, pas zotimit të amerikanëve dhe aleatëve të tyre për të dërguar përforcime të mëdha në vend. Përmes një deklarate, talebanët paralajmëruan se një vendim i tillë do të provokojë një qëndresë së fortë. Presidenti amerikan, Barak Obama, duke njoftuar një strategji të shumëpritur, tha se 30 mijë trupa shtesë do të dislokohen shpejt në Afganistan. Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen tha se vendet e tjera do të kontribuonin me të paktën pesë mijë trupa shtesë vitin e ardhshëm.
Por përmes një deklarate, talebanët thanë se strategjia amerikane nuk do të jepte rezultat dhe do të çonte në shtimin e numrit të ushtarëve të vrarë në radhët e trupave të huaja. Militantët talebanë janë shprehur se shtimi i trupave ndërkombëtare do t'u jepte atyre më shumë mundësi për të ndërmarrë sulme dhe do të shërbente si nxitje për rekrutimin e militantëve të tjerë. Talebanët e quajtën kolonialiste nismën e re të Shteteve të Bashkuara dhe vunë në dukje se gjatë gjithë historisë së Afganistanit, pushtuesit e huaj kanë dështuar. Në deklaratën e talebanëve thuhet gjithashtu se plani për shtimin e trupave do të dëmtojë ekonominë amerikane.
Në deklaratë paralajmërohet gjithashtu se planet për stërvitjen e ushtarëve afganë, me synimin që ata të marrin përsipër garantimin e sigurisë, nuk do të funksionojnë, sepse ata shihen si kukulla nga banorët vendas.
Ndërkaq, Gjermania ka njoftuar të mërkurën se do të jetë e gatshme në trajnimin e ushtarëve afganë, por se nuk do të ndërmerrte nismën e dërgimit të më shumë trupave shtesë përpara se të rishqyrtonte strategjinë që do të ndiqet në këtë vend, në fillim të vitit të ardhshëm. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm gjerman Guido Ëesterëelle. Ndërkohë që kryediplomati francez Berndard Kushner është shprehur se Franca nuk ka plane për shtimin e trupave në Afganistan për kohën e mbetur. Kushner ka mirëpritur planet e Presidentit amerikan Obama për shtimin e 30 mijë trupave të reja fillimin e vitit të ardhshëm, duke thënë se kjo do të ndihmojë SHBA-në në qëllimin e saj për nisjen e tërheqjes së këtyre trupave në vitin 2011.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›