Çështja e emrit, partitë shqiptare të ndara

Partitë politike shqiptare në Maqedoni japin vlerësime të ndryshme lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit të shtetit me palën greke. Bashkimi Demokratik për Integrim ose BDI, ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur partnerin e saj qeveritar VMRO-DPMNE për gjetjen e çdo zgjidhjeje për kontestin e emrit, para takimit të lartë të BE-së në fillim të dhjetorit, kur pritet vendimi për caktimin ose jo të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. "Ne jemi të interesuar, që Maqedonia të zërë vendin e merituar pranë strukturave europiane dhe NATO-s. Ne si BDI, do jemi pjesë konstruktive dhe e dobishme në drejtim të zgjidhjes së problemit të emrit", ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. ndërkaq Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka bërë të ditur se Qeveria e Gruevskit nuk ka kapacitete për të zgjidhur kontestin e emrit, ndërsa ky subjekt paralajmëron se fillimisht duhet të zgjidhet çështja shqiptare, si problemi më i madh në vend. Partitë politike shqiptare nuk kanë strategji të përbashkët për të bërë presione ndaj palës maqedonase për të zhbllokuar procesin e integrimeve euroatlantike. Ato janë shprehur edhe kundër mundësisë për mbajtjen e një referendumi për çështjen e emrit, një projekt i VMRO-DPMNE dhe kryeministrit Nikolla Gruevski. ndërsa partitë e vogla politike shqiptare në të njëjtën linjë kanë bërë thirrje për zgjidhjen e kontestit të emrit, duke shpalosur edhe propozime për emrin, që duhet të jenë pjesë e propozimeve në negociatat midis Athinës dhe Shkupit, që udhëhiqen nën mandatin e OKB-së