E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje mediatike mes PS dhe PD për kutitë e votimit

TIRANË- Pas përfundimit të protestës maratonë të opozitës, ndërkohë që Partia Socialiste la të hapur vijimësinë e protestave, kanë vijuar sërisht përplasjet mediatike mes dy partive. Për të disatën herë Partia Socialiste këmbëngul se kërkon hapjen e kutive, për të parë se cilat janë votat reale të hedhura nga shqiptarët dhe jo numërimin nga fillimi të këtyre votave. Ndërkohë Partia Demokratike përmes një deklarate për shtyp e ka lexuar deklaratën e partisë rozë si kthesë në qendrimin e PS. Demokratët citojnë se më në fund për herë të parë që nga 28 qershori, PS deklaroi në emër të opozitës, se opozita nuk kërkon rinumërim të votave, as ndryshimin e vendimit të gjykatës, por kërkon hetm parlamentar të zgjedhjeve.

PD deklaron se mbetet e gatshme dhe e hapur për krijimin e komisionit hetimor parlamentar, në përputhje me Kushtetutën, ligjin organik të komisioneve parlamentare dhe Gjykatës Kushtetuese për objektin e hetimit të komisionit parlamentar. PD i përmbahet angazhimit të saj publik se në këtë komision, pavarësisht se ligji i komisioneve parlamentare, parashikon në mënyrë taksative që maxhoranca ka shumicën e komisionit, të krijojë pas zgjedhjes së komisionit mundësinë që shumicën ta ketë opozita, duke tërhequr antarët e saj prej tij. Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes ka reaguar sërisht PS duke kërkuar edhe një herë hapjen e kutive të votimit dhe jo numërim të votave për efekt të mandateve.

Në këto deklarata duket edhe një herë se partitë më të mëdha politike në vend i mbeten vendimeve të tyre. Kur kanë kaluar 5 muaj nga zgjedhjet opozita nuk është përfshirë në asnjë aktivitet të Parlamentit, ndërsa pritet që në Kuvend të votohen ligje të rëndësishme, që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, por edhe marrëveshja për kufirin me Greqinë, që gjithashtu kërkon vota të konsiderueshme.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›