E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çimento, kërcënohet drejtori i fabrikës

FUSHË KRUJË- Konfliktet dhe kërcënimet nuk kanë të so sur për aksionerët e fabrikës së çimentos të Fushë - Krujës. Ende pa u zbardhur vrasja e Zv. Drejtorit të Fabrikës, Anwar Rizik, në telefonat e Charles Bouri dhe Jorge Jeha, dy prej aksionerëve, kanë mbërritur një sërë telefonatash dhe mesazhesh kërcënuese. Të ndodhur përpara këtij fakti, Bouri dhe Jeha janë drejtuar pasditen e së dielës në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku kanë depozituar kallëzimin e tyre në lidhje me kërcënimet e mbërritura. Nga ana e tyre, oficerët e Policisë së Tiranës kanë marrë në këqyrje telefonat e dy drejtuesve dhe kanë nisur menjëherë punën për zbardhjen e autorit të këtyre kërcënimeve. Ndërkaq, të pyetur nga oficerët, Charles Bouri dhe Jorge Jeha kanë deklaruar se nuk i njohin numrat që i kërcënojnë dhe se nuk kanë asnjë ide se kush mund të jenë autorët e kërcënimeve. 
PRECEDENTI
Kjo nuk është hera e parë që Jorge Jeha është vënë në qendër të kërcënimeve me anë të telefonit, pasi rreth një vit e gjysmë më parë ai ka marrë thirrje telefonike shqetësuese dhe mesazhe kërcënuese nga Bashkim Zalla. Thirrjet telefonike janë adresuar nga numri 06842..... në përdorim të Bashkim Zallës në numrin në disponim të George Jehas. Ndërmjet të tjerave, në numrin e Jorge Jehas është dërguar edhe një mesazh kërcënues nga Bashkim Zalla më datë 24.01.2011 me përmbajtje: "Ti Xhorxh dhe Besimi i paguani me vra Çarlin nga 15 milion euro, kështu më tha L.M. po për ju kush do paguaj se nuk i shpëtoni dot krimeve tuaja fill pas Çarlit mendoni se do jetoni, kam për tju q.. robt të gjithëve. Ju vras, do njoftoj Aleksin për planet tuaja B.Zalla". Në lidhje me këto kërcënime, Bashkim Zalla, banor i fshatit Zallë, në të cilën ndodhet dhe fabrika, është dënuar me 6 muaj burg nga të dy shkallët e gjyqësorit.
KONFLIKTET
Prej kohësh, drejtuesit e shoqërisë "Ceament Factory" Fushë - Krujë janë në konflikt të vazhdueshëm me banorët e zonës, të cilët në shumë raste kanë pasur konflikte të ashpra mes tyre. Shpeshherë kjo fabrikë është bërë objekt i sulmeve me eksploziv, të cilat dëmtojnë shtyllat e tensionit dhe urat që lidhin këtë fabrikë me rrugët kryesore. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këto përplasje kanë ardhur pasi shoqëria "Ceament Factory" Fushë Krujë ka prerë pagesat mujore ndaj banorëve të fshatit Zallë për shkak të vështirësive financiare që po kalon. Këto pagesa janë dhënë për shkak të ndotjes që shkakton fabrika e çimentos. Pas një seri sulmesh me eksploziv, ngjarja më e rëndë u shënua më datë 9 maj, ku si pasojë e një shpërthimi eksplozivi, mbeti i vrarë Zv. Drejtori i kësaj fabrike, Anwar Rizik ngjarje për të cilën Policia ende nuk ka asnjë të dyshuar.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›