E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ismail Qemalit s'ka kush t'i bëjë skulpturë

TIRANE- Kërkohet një skulptor që të jetë thjeshtë dhe vetëm SKULPTOR! Galeria Kombëtare e Arteve ka shpallur prej muajsh një konkurs skulpture për Ismail Qemalin. Prurjet e para disa javëve qenë një fyerje e rëndë për plakun e urtë ku përveç paaftësisë artistike u vunë re edhe gafa të pafalshme historike. Për këto arsye, Galeria e Arteve me të drejtë i ktheu mbrapsht dhe iu kërkoi më të mirëve prej pjesëmarrësve t'i ribënin bocetet. Por, me sa duket, Ismail Qemalit s'ka kush t'i bëjë skulpturë! Kjo kuptohet në ndopak sekonda që i sheh, vrenjtur nga pakënaqësia që merr, që syri nuk të mbushet e nuk buzëqesh dot. Tash e sa javë po presim të shohim një Ismail Qemali që të të thotë se është Ismail Qemali, e kërkojmë me sy ndër ato bocete të vëna krah për krah njëra - tjetrës por s'na del para. Edhe këtë herë, prurjet ndonëse në krahasim me të parat janë diçka më lart, sërish lënë shumë për të dëshiruar. Vihet re një lloj përçudnimi në fizionominë e tij, krejt e pakuptueshme, nëse kemi parasysh se në të gjitha fotografitë e njohura të Plakut të Urtë, prej nga e kanë zanafillën edhe pikturat apo rolet filmike, portreti i tij është i njëjtë. Atëherë, kaq e vështirë qenka për një skulptor ta realizojë atë portret kaq të njohur? Çfarë ka kaq të parealizueshme? Mbas kësaj, shtrohet një pyetje tjetër, përgjigja e së cilës është ende më e rëndë, a kemi skulptorë sot? Skulptorë që të jenë në gjendje të realizojnë një prej figurave më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar? Ku është brezi i ri i skulpturës shqiptare dhe cili është produkti i shkollës shqiptare të skulpturës? A ka të rinj, e nëse s'ka të rinj, po të vjetrit ku janë që po na lënë në baltë në këtë 100 - vjetor?
Mbetet vetëm të "shpallim në kërkim" një skulptor që të jetë në gjendje të realizojë një skulpturë dinjitoze të Ismail Qemalit! Juria përbëhej nga Hektor Dule, Rubens Shima, Ali Oseku, Kaliopi Naska, Gjergj Bakëllbashi, Enton Derraj dhe Suzana Varvarica dhe sot, kur kanë ardhur prurjet e dyta i kërkuam një mendim Rubens Shimës, Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ndonëse juria e ka bërë zgjedhjen e saj, të cilën do ia propozojë Komitetit Ndërministror për Pavarësinë, Shima thotë një frazë që nënkupton shumëçka cilësinë e këtyre punëve, të parave e të dytave. "Mendoj se herë të tjera duhet të shohim seriozisht mundësinë e realizmit të një konkursi ndërkombëtar", - shqipton ai, nga se ne kuptojmë që nuk duket fort i kënaqur.
Zoti Shima, në galeri kanë ardhur bocetet e dyta të Ismail Qemalit. Cili është mendimi i jurisë?
Nga bocetet e reja që u prezantuan pas kohës që iu la në dispozicion artistëve për të ripropozuar 2 versione të shtatores, një ulur e një në këmbë juria gjykoi që brenda kësaj lënde, ekziston boceti i cili pretendon për të qenë një shatore e mirë e për t'u vendosur në qytetin e Tiranës. Juria i ka parë me kujdes që të gjitha propozimet dhe ripropozimet e artistëve dhe besoj se brenda ditës së brenda së nesërme (sot) do të përpilojë edhe raportin së bashku me vendimin të cilin do t'ia përcjellë ministrit të Kulturës, Z.Bumçi. Siç ka ndodhur edhe me rastet e tjera këtë material, praktika e do që materiali së bashku me argumentimin e jurisë, ta miratojë Komiteti Ndërministror për Festimin e 100 - vjetorit të Pavarësisë dhe ky komitet do të shpallë fituesin e konkursit të skulpturës së Ismail Qemalit.
Koha që i dhatë në dispozicion artistëve për realizimin e skulpturave herën e dytë ishte më e shkurtër se herën e parë e megjithatë prurjet janë një nivel më lartë se të parat. Si shpjegohet kjo?
Mendoj se ka qenë një kohë e mbledhur bashkë e gjitha, dhe ka qenë mëse e mjaftueshme sipas gjykimit tim për të njohur këtë personazh, fizionominë dhe personalitetin e tij. Unë nuk i shoh si të ndara këto sepse siç e thashë bocetet e propozuara kësaj radhe janë ripropozime duke marrë në konsideratë vërejtjet e kërkesat e jurisë. Artistët herën e dytë kanë pasur një përvojë përpara se ishin marrë me figurën e Ismail Qemalit.
Ka dy lloj bocetesh, në njërin I.Qemali paraqitet në këmbë, e tek tjetri ulur. Përse është kërkuar në dy lloj qëndrimesh?
Do të ketë vetëm një shatore të Ismail Qemalit. Arsyeja pse nga juria janë kërkuar dy versionet ka të bëjë me gjykimin se një gjë e tillë shërben në funksion të sheshit i cili pritet të shpallet. U kërkuan dy qëndrime figurative të ndryshme që të shihej se cili qëndron më mirë në shesh.
Ç'mund të na thoni për cilësinë artistike të veprave?
Unë i qëndroj asaj që kam thënë edhe më parë, shtyrja e këtij konkursi ka qenë e domosdoshme dhe gjykoj që ka ardhur koha që të zgjerohet skena e skulpturës. Veçanërisht, në raste të tjera të ngjashme, mendoj se do të jetë shumë më e mirë dhe më e shëndetshme që Ministria e Kulturës të organizojë një konkurs ndërkombëtar ku artistë të huaj të marrin pjesë në konkurse për monumente që kanë në plan të vendosen në Tiranë apo në Shqipëri. Kuptohet që këtu kam parasysh figura që përmbajnë legjitimitetin për të shpallur konkurse ndërkombëtare siç do të ishte për shembull Skënderbeu apo Nënë Tereza, pra për ngjarje e emra të rëndësishëm. Mendoj se është mirë që herë të tjera të merret në konsideratë me shumë seriozitet shpallja e konkursit ndërkombëtar. Kjo do të jetë një gjë shumë e rëndësishme.
Ky nivel çfarë thotë për shkollën shqiptare të skulpturës?
Ky është një problem tjetër e shumë kompleks, por sigurisht që thotë shumë sepse konkursi u shty për pjesëmarrje shumë të dobët. Nuk e di se kujt i takon përgjegjësia në këtë rast. Disa u munduan ta justifikojnë atë pjesëmarrje me kohën që patën në dispozicion, por nuk besoj se problemi ishte këtu.
Kishte edhe gabime historike në ato bocete.
Aty kishte shumë problematika. Ishte një konkurs i cili dështoi për shkak të cilësisë së dobët. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›