Cefa: Kompensimi financiar nis në shtator
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa, ka bërë të ditur se kompensimi financiar për subjektet e shpronësuara do të nisë në muajin shtator. Sipas tij, AKKP po merret aktualisht me shpërndarjen e fondit për subjektet e prekura nga legalizimet dhe më pas do të nisë procedura për kompensimin financiar për subjektet e shpronësuara. "Kompensimi i radhës financiar është shtyrë për shkak se Agjencia po merret me kompensimin e pronarëve të prekur nga ndërtimet informale. Menjëherë, sapo të mbarojë ky proces, që shpresoj të mos jetë i gjatë në kohë, Agjencia sigurisht që do të fillojë atë që ka detyrën e vet prioritare, kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuara. Ndoshta në kriteret e Vendimit Organik të Këshillit të Ministrave, mund të kemi ndryshime në sensin që të rritet rrethi i subjekteve që do të përfitojnë, çka nënkupton që ndoshta mund të kemi një eliminim të disa kritereve kufizuese, të cilat ishin në vendimet e Këshillit të Ministrave deri tani. Por kjo do t'i mbetet kohës, pasi akoma nuk është informacion përfundimtar", - ka bërë të ditur Cefa.