PS: Berisha i fali naftën Vokshit,deputetja e PD: Padi për shpifje
Partia Socialiste akuzoi sërish dje Kryeministrin Berisha se i ka falur deputetes demokrate, Albana Vokshi, pasuritë publike të nëntokës shqiptare. Përmes një deklarate për shtyp, deputeti i PS-së, Artan Gaçi, tha se "bashkëshortit të ish-këshilltares së Kryeministrit i janë kaluar kontrata për blerje nafte nga nëntoka shqiptare për 25- vjet". "Rezervat e naftës në zonën ku punon kompania e Albana Vokshit kapin një vlerë tregu prej 4 miliardë dollarë, sipas një llogaritje të vetë kompanisë. Kompania e Vokshit dhe Tartarit nxjerr miliona dollarë, ndërsa taksat që paguan kjo kompani në arkën e shtetit janë qesharake, nga 2-6 për qind", - tha Gaçi. Sipas tij, "3 zonat naftëmbajtëse që i janë falur Albana Vokshit, kanë qenë prodhuese të naftës prej vitesh".
Për herë të parë reagoi dje deputetja e PD-së, Vokshi, pas adresimit të akuzave nga ana e PS. Në një deklaratë për shtyp, Vokshi sqaroi se Arian Tartari, me të cilin ajo bashkëjeton prej kohësh, e ka nisur biznesin që në vitet `90 dhe ka punuar vazhdimisht, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet.
"Dëshiroj të pyes Edvin Kristaq Ramën, a i ka hyrë ndokush për shumë leje ndërtimi, që kompanitë me të cilat ka bashkëpunuar Arian Tartari, ka marrë nga bashkia nën drejtimin e tij? Po për licencat e tjera që ai ka përfituar para 2005, në të cilën qeveriste PS-ja, kush i ka ndërhyrë? Arian Tartari ka filluar bizneset e tij që në 1990 dhe ka punuar pa ndërprerje e me korrektësinë më të madhe, pavarësisht se cila parti ka qeverisur", - u shpreh deputetja Vokshi. Ajo gjithashtu thekson se nuk ka bërë asnjë favorizim dhe asnjë ndërhyrje në favor të bizneseve të tij, as për leje ndërtimi, as për licencat e tjera, duke thënë se nëse vërtetohet e kundërta, ajo do të dorëzojë mandatin e vet. "Lidhur me shpifjet dhe trillimet e turpshme të Edvin Ramës do t'i drejtohem gjykatës në mënyrë që të vë në vend dinjitetin dhe drejtësinë mbi këtë rast", - u shpreh Vokshi.