E Diel, 1 Nëntor 2026

Ceka: Antiplumbi mund të kishte shmangur katastrofën

 

Kreu i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, në deklaratat e tij për ngjarjen tragjike të së premtes së shkuar nuk është fokusuar në nxjerrjen e përgjegjësive me shkarkime drejtuesish ose jo në radhët e Ministrisë së Brendshme, por te veprimet operacionale të ndërmarra. Ish-ministri i Brendshëm, Ceka e sheh ngjarjen e ndodhur në një këndvështrim tjetër, duke e cilësuar si gabim mos pajisjen e policëve me veshjet e duhura. Sipas tij, ngjarja e rëndë mund të ishte shmangur nëse punonjësit e policisë mund të shkonin në këtë aksion me mjetet e duhura mbrojtëse. “Ka gjithmonë gjëra nuk mund t’i mendojë polici. Mendoj që operacioni është zhvilluar me guxim, duhet të çonte në paralizimin e të kërkuarit, por reagimi ka qenë jashtë parashikimit. Po të kishin pasur këto veshje apo mjete të duhura, katastrofa mund të ishe shmangur”, deklaroi Ceka për mediat. Për masakrën e 7 gushtit, kreu i PAD-së është i mendimit se ngjarja duhet të analizohet thellësisht, për të mos lejuar më viktima në radhët e uniformave blu. Në të njëjtën kohë ish-ministri deklaron se duhet një analizë nga ana e struktura të policisë dhe organet hetimore për ngjarjen e ndodhur. “Drejtësia do të bëjë punën e vet për dënimin e përgjegjësve, por duhen nxjerrë edhe mësime për pajisjen e njerëzve që marrin pjesë në aksione të tilla me të gjitha mjetet e nevojshme. Në këtë rast mbrojtëset e plumbave duhet të ishin të përshtatshme sipas stinës së verës. I takon prokurorisë, qoftë edhe Ministrisë së Brendshme, të përcaktojë modalitetet se si është zhvilluar ky aksion, për të zbuluar qoftë edhe gabimet e mundshme”, theksoi Ceka. Vrasja e katër policëve në një operacion për kapjen e shumë të kërkuarit, Dritan Dajti, është një nga ngjarjet më të rënda të kohëve të fundit në Shqipëri. Të tilla ngjarje nuk kishin ndodhur që në kohën e trazirave të vitit 1997-1998 në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›